
Ambasada e Bullgarisë, pritje zyrtare me rastin e Festës Kombëtare
Në fjalimin e tij përshëndetës ambasadori Ivajllo Kirov theksoi dinamikën shumë pozitive të marrëdhënieve bullgaro-shqiptare dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Tiranë shënoi Festën Kombëtare të Bullgarisë – 3 Marsin, me një pritje solemne.

Ndër të ftuarit ishin përfaqësues të institucioneve shqiptare, të trupit diplomatik, të biznesit, si dhe të qarqeve akademike e kulturore, përveç miqve të Bullgarisë.

Në fjalimin e tij përshëndetës ambasadori Ivajllo Kirov theksoi dinamikën shumë pozitive të marrëdhënieve bullgaro-shqiptare dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, në sfondin e zhvillimeve shqetësuese gjeopolitike – luftës në Ukrainë dhe konfliktit të ri në Lindjen e Mesme.

Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu z. Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave i Shqipërisë.
Atmosfera festive u plotësua nga performanca mbresëlënëse e sopranos Ramona Tulumani, e cila interpretoi himnet kombëtare të Bullgarisë dhe Shqipërisë, si dhe këngën emblematike bullgare „Hubava si, moja goro“.
Pritja u realizua me mbështetjen e çmuar të First Investment Bank.



















