
Vengu: Shqipëria në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, nën drejtimin e një vendi aleat
Shqipëria do të përfshihet në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza në kuadër të mandatit të Bordi i Paqes, organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar.

Shqipëria do të përfshihet në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza në kuadër të mandatit të Bordi i Paqes, organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, e themeluar më 19 shkurt, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe garantimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura nga konflikti.
Forca e stabilizimit përbën instrumentin operacional të Bordit të Paqes për zbatimin në terren të objektivave të tij, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në koordinim me shtetet anëtare.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria do të përfshihet në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza nëpërmjet një formule “ombrellë”, nën drejtimin e një vendi aleat.
Në një konferencë për shtyp, Vengu sqaroi se hartat që kanë qarkulluar së fundmi në media lidhur me këtë çështje nuk janë dokumente zyrtare dhe nuk pasqyrojnë vendimmarrje të formalizuar.
“Kanë qarkulluar shumë harta në media, por ato nuk përbëjnë dokument zyrtar. Aktualisht po presim përcaktimin e vendeve aleate që do të kenë rolin ombrellë, siç quhet në gjuhën teknike, dhe nën të cilat do të përfshihemi në këtë operacion. Janë diskutimet në nivel shtabesh që do të përcaktojnë këto elemente”, u shpreh ministri.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral lejtnant Arben Kingji theksoi se Shqipëria ka shprehur dakordësinë në parim për të marrë pjesë në një Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Rripin e Gazës, ndërsa në fazën e parë parashikohet përfshirja me oficerë në shtabin që do të krijohet për këtë qëllim.
Sipas Kingjit, ende nuk ka një numër të përcaktuar efektivësh dhe nuk ka vendimmarrje përfundimtare, pasi procesi vijon në koordinim të ngushtë me aleatët.
Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, e themeluar më 19 shkurt, me mision promovimin e stabilitetit, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Aktiviteti i tij do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Konkretisht shtetet anëtare janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Shqipëria ka statusin e anëtarit themelues.
Marrë nga ATSH



















