
Rama: Draftrezoluta e PE vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë në integrimin europian
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se draftrezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për Shqipërinë përbën një vlerësim të qartë për progresin e vendit në procesin e integrimit europian.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se draftrezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për Shqipërinë përbën një vlerësim të qartë për progresin e vendit në procesin e integrimit europian.
Në rubrikën “Shënimet e Javës” në Podkastin “FLASIM” – Episodi 7, Sezoni 6, Rama u shpreh se dokumenti në fjalë evidenton arritje të rëndësishme të vendit në negociatat me Bashkimin Europian.
“Draft-rezoluta e publikuar nga Parlamenti Europian për vendin tonë është një vlerësim i qartë për progresin e Shqipërisë. Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda 13 muajve, gjë që përbën një rekord në historinë e integrimeve europiane dhe në ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë dhe domethënës në procesin e negociatave me nënvizimin rreth ambicies sonë që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027, duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimin rajonal dhe përputhshmërinë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi draft-rezolutën si një sinjal të rëndësishëm për opinionin publik në vend.
“Kjo draft-rezolutë është një tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë: Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe takimet që delegacioni pluralist i Parlamentit Europian zhvilloi në Tiranë gjatë kësaj jave”, u shpreh Rama.
/Marrë nga ATSH



















