
Pr.ligji “Për Prefektin e Qarkut”, shtohet për herë të parë pozicioni i Prefektit Detar
Projektligji i ri “Për Prefektin e Qarkut” është në fazën e konsultimit publik.

Projektligji i ri “Për Prefektin e Qarkut” është në fazën e konsultimit publik.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se me këtë projektligj “forcojmë rolin e prefektit në sigurinë publike, mbrojtjen e territorit dhe menaxhimin e emergjencave civile, duke garantuar që çdo qytetar, në të gjithë territorin e vendit, të përfitojë shërbime me standarde të larta, mbështetje dhe siguri”.
Gjithashtu, sipas Koçiut, prezantohet për herë të parë nocioni i Prefektit Detar, për monitorimin dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.
Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.
Projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.
Risi e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.
Burimi ATSH



















