
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: Mot i vranët dhe reshje shiu në të gjithë vendin
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi sot se në të gjithë territorin e vendit mbizotëron mot i vranët, me vranësira të dendura dhe shikim të reduktuar në disa zona, për shkak të reshjeve të shiut dhe mjegullinës.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi sot se në të gjithë territorin e vendit mbizotëron mot i vranët, me vranësira të dendura dhe shikim të reduktuar në disa zona, për shkak të reshjeve të shiut dhe mjegullinës.
Reshjet paraqiten me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa hera-herës shfaqen shtrëngata afatshkurtra, veçanërisht në veriperëndim dhe në zonat qendrore të vendit.
Në veri dhe veriperëndim, në zonat e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Vaut të Dejës, Lezhës, Pukës, Tropojës, Mirditës, Kurbinit dhe Matit, reshjet e shiut janë të pranishme me intensitet të ulët deri mesatar.
Në qendër të vendit, përfshirë Tiranën, Elbasanin dhe Librazhdin, reshjet parashikohen në intervale të shkurtra kohore, hera-herës me intensitet deri të lartë dhe në formën e stuhive të izoluara.
Në jugperëndim dhe jug, në zonat e Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës, Himarës, Delvinës, Sarandës, Dropullit dhe Libohovës, reshjet janë kryesisht me intensitet të ulët deri mesatar, me përmirësime të përkohshme lokale.
Në relievet e larta malore të veriut dhe verilindjes, si dhe në zonën e Alpeve, priten reshje dëbore me intensitet të ulët, kryesisht në formën e flokëve të borës.
Temperaturat e ajrit variojnë nga 7 deri në 9 gradë Celsius në zonat verilindore dhe malore, deri në 17–18 gradë Celsius në jug dhe përgjatë vijës bregdetare.
Era fryn kryesisht nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa hera-herës, sidomos në zonat luginore, në relievet malore dhe përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në jug të vendit, pritet të arrijë shpejtësi deri në 24 m/s.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak apelon për kujdes të shtuar, veçanërisht në qarkullimin rrugor dhe në zonat e ekspozuara ndaj reshjeve intensive dhe erërave të forta.
Burimi ATSH



















