
Miratohet krijimi i bazës së të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë
Këshilli i Ministrave miratoi sot krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL).

Këshilli i Ministrave miratoi sot krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL).
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore SMIAL është Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Të dhënat e bazës shtetërore ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore. Ndërkohë që të dhënat parësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat e mbledhura nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Të dhënat dytësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, Regjistri Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë, Regjistri Tregtar dhe nga Sistemi i Tatimit Elektronik.
Sistemi SMIAL ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile; Sistemin e Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara; Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë; Regjistrin Tregtar dhe Sistemin e Tatimit Elektronik.
Institucioni administrues siguron që përpunimi i të dhënave personale në SMIAL të kryhet në përputhje me parimet dhe kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar ligjshmërinë, drejtësinë, transparencën, minimizimin e të dhënave, saktësinë dhe ruajtjen e tyre, vetëm për periudhën e nevojshme për të përmbushur qëllimin e grumbullimit.
Pas përfundimit të afatit të përcaktuar të ruajtjes, të dhënat personale fshihen ose anonimizohen, sipas procedurave të miratuara nga institucioni administrues, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Organizimi e funksionimi i brendshëm i sistemit dhe i bazës së të dhënave të SMIAL-it përcaktohen e miratohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues, në përputhje me parashikimet e ligjit “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
Palët zbatojnë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut, për çdo veprim në regjistër lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave personale, me qëllim garantimin e gjurmueshmërisë, konfidencialitetit, integritetit, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve e të shërbimeve të përpunimit.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Marrë nga ATSH


















