
Xhaja: Ripërdorimi social i pasurive të konfiskuara, instrument kundër pabarazive dhe diskriminimit
Kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, theksoi sot se “viti 2025 ka qenë një vit me zhvillime pozitive për AAPSK, duke u shoqëruar me rritje të transparencës, përmirësim të procedurave dhe forcim të standardeve të llogaridhënies në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.

Kryeadministratorja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, theksoi sot se “viti 2025 ka qenë një vit me zhvillime pozitive për AAPSK, duke u shoqëruar me rritje të transparencës, përmirësim të procedurave dhe forcim të standardeve të llogaridhënies në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.
Në fjalën përshëndetëse në Konferencën Vjetore të organizuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, Xhaja i kushtoi një vëmendje e veçantë ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar.
Duke e cilësuar një instrument të drejtpërdrejtë për kthimin e pasurive të paligjshme në vlerë për shoqërinë, Xhaja tha se “ky proces nuk përbën vetëm një mekanizëm administrativ, por një politikë me ndikim të qartë social, që kontribuon në forcimin e kohezionit social, rritjen e solidaritetit dhe mbështetjen e komuniteteve në nevojë”.
“Ripërdorimi social i pasurive është mënyra se si shteti i përgjigjet padrejtësive dhe pabarazive, duke i kthyer pasuritë e krimit në shërbim të interesit publik,” u shpreh Xhaja, duke nënvizuar se kjo qasje ka ndikuar pozitivisht edhe në perceptimin publik ndaj AAPSK, si një institucion me rol aktiv në shërbim të shoqërisë.
Kryeadministratorja theksoi gjithashtu afrimin e agjencisë me komunitetet dhe organizatat e shoqërisë civile, duke e konsideruar komunikimin, transparencën dhe hapjen ndaj publikut si elementë kyç për ndërtimin e besimit dhe rritjen e efektivitetit institucional.
Duke folur për perspektivën e vitit 2026, Xhaja bëri të ditur se AAPSK synon të forcojë më tej ndikimin social të pasurive të rikthyera në përdorim publik, të thellojë standardet e transparencës dhe të zgjerojë bashkëpunimin me aktorët që veprojnë në terren për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen sociale.
Konferenca Vjetore e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shërbeu si një platformë dialogu dhe reflektimi mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025 dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile në luftën kundër diskriminimit.
Burimi ATSH



















