
Tafa: 60% e problematikave online prekin fëmijët dhe të rinjtë
Drejtuesi i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa: Mbrojtja online e fëmijëve kërkon bashkëpunimin e të gjithëve.

Drejtuesi i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa tha se mbrojtja online e fëmijëve kërkon bashkëpunimin e të gjithëve.
Ky ishte apeli i Tafës gjatë webinarit për sigurinë digjitale, ku u evidentua se bullizimi kibernetik dhe denigrimi i figurës përbëjnë rreth 60% të problematikave online që prekin fëmijët dhe të rinjtë.
Tafa theksoi se, krahas mbrojtjes së infrastrukturave nga sulmet kibernetike, mbrojtja online e fëmijëve është një mision më vete, për të cilin AKSK, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, do të hartojë një plan të qartë mbrojtjeje, të koordinuar me shkollat e mesme dhe shkollat fillore.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rolit të familjes dhe të mësuesve, si dhe nevojën për masa të shtuara në bashkëpunim me ofruesit e shërbimit të internetit, AKEP-in dhe Policinë e Shtetit.



















