
Sadushi: KLGJ dhe KLP nuk e kanë vendosur mirëqenien e magjistratit në qendër të politikëbërjes
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, deklaroi sot se mirëqenia e magjistratit është themeli i drejtësisë së besueshme.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, deklaroi sot se mirëqenia e magjistratit është themeli i drejtësisë së besueshme.
Në fjalën e tij, në Konferencën Kombëtare të Drejtësisë, Sadushi solli për herë të parë në qendër të politikës publike konceptin e mirëqenies së magjistratit si themel i funksionimit të një drejtësie të pavarur dhe efektive.
Sadushi theksoi se sistemi gjyqësor nuk mund të vazhdojë të mbështetet te magjistratë të lodhur, të pambrojtur dhe të mbingarkuar, pasi kjo gjendje ka prodhuar një krizë të thellë që cenon cilësinë dhe pavarësinë e vendimmarrjes.
Ai vuri në dukje se mungesa e politikave për mirëqenien profesionale ndër vite ka bërë që sistemi të mbijetojë falë sakrificës individuale të magjistratëve, dhe jo falë mekanizmave të qëndrueshëm institucionalë.
Sadushi ndaloi veçanërisht te roli i KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat, megjithëse me detyrime të qarta kushtetuese, nuk e kanë vendosur mirëqenien e magjistratit në qendër të politikëbërjes, duke e thelluar boshllëkun institucional.
Deklarata e Gjyqtarëve të Republikës u vlerësua prej tij si sinjali më i fortë se situata ka arritur kufijtë kritikë dhe se kërkohet reagim i menjëhershëm.
Me tone të qarta përgjegjësie, Sadushi theksoi se Qeveria dhe Kuvendi kanë detyrimin kushtetues të garantojnë siguri reale në gjykata, infrastrukturë funksionale dhe burime njerëzore të mjaftueshme, duke nënvizuar se, “Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane, pa investuar.”
Sadushi paraqiti disa rekomandime kyçe, përfshirë miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mirëqenies së Magjistratëve 2025–2030, vendosjen e një standardi kombëtar të sigurisë në gjykata, rritjen e numrit të magjistratëve dhe stafit, investime urgjente në infrastrukturë dhe ngritjen e mekanizmave të mbështetjes psikosociale.
Në përmbyllje, Kryetari i Gjykatës së Lartë përsëriti mesazhin themelor të vizionit të tij se, “drejtësia ka nevojë për një kulturë të re institucionale, ku siguria është standard, mbështetja është detyrim, mirëqenia është pjesë e pavarësisë dhe karriera e drejtë është parim. Vetëm kështu ndërtohet një sistem i qëndrueshëm dhe një shtet i fortë”.


















