
Midis dallgëve të historisë kineze dhe çështjeve që s’duhen prekur
Kina ka protestuar në Parlamentin Evropian, lidhur me pjesëmarrjen e politikanëve “separatistë të Tajvanit” në “samitin e Aleancës Ndërparlamentare” në ndërtesën e Parlamentit Evropian

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore ekzekutive e Institutit te Studimeve te Globalizimit
Dinamikat e ngushticës së Tajvanit kanë qenë dhe, me shumë gjasa, do të mbeten edhe në të ardhmen e afërt në qendër të vëmendjes botërore. Në këtë hapësirë të ngushtë detare, ku era përplas dallgët e historisë, fshihet një nga nyjet më të ndërlikuara të gjeopolitikës. Tajvani është bërë një arenë ku ndërthuren kujtesa historike, krenaria kombëtare dhe interesat e fuqive të huaja. Në këtë skenë të ndjeshme, marrëdhëniet midis Kinës dhe Bashkimit Evropian po marrin përherë e më shumë ngjyra të paqarta. Në këtë rrjedhë pasigurie, ishulli i Tajvanit është bërë një burim tensioni që po errëson horizontin e marrëdhënieve dypalëshe. Aty ku duhej të kishte mirëkuptim strategjik dhe pragmatizëm politik, po krijohet një lojë e rrezikshme simbolesh dhe perceptimesh.
Konferenca në Bruksel

Parlamenti Europian, Bruksel/Foto nga VCG
Një zyrtare pro separatizmit nga ishulli i Tajvanit u ftua të mbante një fjalim në Parlamentin Evropian, për këtë, Pekini shprehu pakënaqësi të fortë dhe paraqiti demarsh diplomatik. Hsiao Bi-khim u përfshi në aktivitete separatiste në takimin vjetor të “Aleancës Ndërparlamentare për Kinën” (IPAC) në ndërtesën e Parlamentit Evropian në Bruksel. Hsiao foli në një konferencë jozyrtare të ligjvënësve nga e gjithë bota që mbështesin politika më të ashpra ndaj Kinës. Në Pekin ky është parë si një akt i qëllimshëm dhe mungesë respekti ndaj Kinës që thyen drejtpërdrejt protokollin ndërkombëtar dhe tregon se një grup i parlamentarëve evropianë po krijojnë artificialisht një krizë për të provokuar Kinën.
Ky nuk është incident i izoluar. Në fund të tetorit, u anulua vizita e ministrit të Jashtëm gjerman në Pekin, për shkak të komenteve që shkelën parimin e “Një Kine”. Këto nuk janë raste të vetme, por gjëra të tilla janë në dëm të marrëdhënieve evropiane me Kinën, e cila duhet të kishte qenë një partnere e mirë për bashkëpunim dhe për përballjen e shumë sfidave aktuale.
Reagimi i menjëhershëm i Kinës: Kina ka protestuar në Parlamentin Evropian, lidhur me pjesëmarrjen e politikanëve “separatistë të Tajvanit” në “samitin e Aleancës Ndërparlamentare” në ndërtesën e Parlamentit Evropian, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian. “Teatrot politike të organizuara nga politikanët ‘separatistë të Tajvanit’ dhe IPAC, synojnë thjesht të tërheqin vëmendjen. Përpjekje të tilla janë të dënuara të dështojnë”, tha Lin. Ai përsëriti se pavarësisht se çfarë hapash përdorin autoritetet e DPP-së dhe forcat ‘separatiste të Tajvanit’ dhe çfarëdo “ndërhyrjeje” që përpiqen të bëjnë, kjo vetëm sa do ta bëjë agjendën e tyre separatiste më të dukshme dhe nuk mund ta ndalojë kurrë ribashkimin e Kinës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian/Foto nga VCG
“Shpresojmë që Parlamenti Evropian të mos gabojë në lidhje me natyrën e vërtetë të autoriteteve të DPP-së, të respektojë parimin e një Kine, të mos dërgojë asnjë sinjal të gabuar tek forcat separatiste të Tajvanit”, tha ai. Duke vënë në dukje se Aleanca Ndërparlamentare (IPAC) financohet nga institucione të shumta anti-Kinë dhe është mësuar të përhapë dezinformim rreth Kinës, Lin tha se autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) përdorin IPAC-un, një grup që nuk ka asnjë besueshmëri, për të kërkuar mbështetje të huaj për agjendën e tyre separatiste.
Parimi i një Kine nuk është vetëm një konsensus ndërkombëtar, por një normë themelore që rregullon marrëdhëniet ndërkombëtare. Deklarata e Kajros e vitit 1943 dhe Proklamata e Potsdamit e vitit 1945 deklaruan në mënyrë të qartë se Tajvani, një territor kinez i marrë nga Japonia, do t’i kthehej Kinës. Këto dokumente të detyrueshme ndërkombëtare ishin elementë kyç të rendit pas Luftës së Dytë Botërore dhe konfirmuan statusin ligjor të Tajvanit si një pjesë e pandashme e Kinës.
Rezoluta 2758, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1971, zgjidhi një herë e përgjithmonë çështjen e përfaqësimit të të gjithë Kinës, përfshirë Tajvanin, nga Republika Popullore e Kinës, në Kombet e Bashkuara si një çështje politike, ligjore dhe procedurale. Prandaj, çështja e Tajvanit është thjesht një çështje e brendshme e Kinës – kjo do të thotë se asnjë forcë e jashtme nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Dhënia e një platforme separatistëve është një ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të Kinës, një shkelje e Kartës së OKB-së dhe një tradhti e normave themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Nxitja e flakëve të separatizmit po e shtyn rajonin e Tajvanit drejt tensioneve, me pasoja që do të ishin katastrofike për të gjithë, përfshirë Evropën. Është thelbësore që BE-ja në tërësi të njohë dëmin e thellë që veprime të tilla i shkaktojnë besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Kina dhe Evropa janë partnere me ekonomi të ndërthurura dhe përgjegjësi të përbashkëta për çështjet globale, nga ndryshimet klimatike tek mospërhapja nukleare. Respekti i vërtetë dhe angazhimi konstruktiv kërkojnë respektimin e parimit të një Kine, jo minimin e tij. Separatistët e “pavarësisë së Tajvanit” duhet të ndalojnë provokimet dhe organet politike evropiane duhet të parandalojnë përdorimin si mjet për agjendat e tyre separatiste. Alternativa – një rrugë e provokimit të vazhdueshëm – çon vetëm në konfrontim, një destinacion që nuk i shërben interesave të askujt. Zgjedhja për paqe, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë është e qartë.
Përse e gjitha kjo është kundër interesave madhore evropiane?

Foto nga VCG
Pekini këmbëngul që lidhjet me BE-në të mbeten “në rrugën e duhur”, duke kërkuar respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Çdo veprim ose komunikim që ndryshon në mënyrë të njëanshme status quo-në në Ngushticën e Tajvanit dhe përshkallëzon tensionet është kundër interesave themelore të Bashkimit Evropian. Interesat e BE-së shërbehen më së miri nga paqja dhe stabiliteti në rajon. BE-ja i përmbahet politikës së “Një Kine”. Ajo nuk e njeh Tajvanin si shtet sovran dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me të. BE-ja kundërshton me vendosmëri çdo veprim të njëanshëm, nga të dyja palët, që do të çonte në paqëndrueshmëri.
Ishulli i Tajvanit është një nyje kritike në zinxhirët globalë të furnizimit, veçanërisht për gjysmëpërçuesit. Çdo konflikt do të shkaktonte përçarje katastrofike në ekonominë evropiane dhe globale. Ngushtica e Tajvanit është një rrugë detare jetësore për tregtinë botërore. Paqja dhe liria e lundrimit janë parësore për prosperitetin evropian. Një konflikt për Tajvanin ka rrezikun e lartë të përshkallëzohet në një konfrontim më të gjerë midis fuqive të mëdha, gjë që do të përbënte një kërcënim të paparë për sigurinë globale.
Qëndrimi i Bashkimit Evropian për çështjen e Tajvanit udhëhiqet në thelb nga një interes i lartë: ruajtja e stabilitetit dhe paqes në Ngushticën e Tajvanit. Çdo “komunikim i rrezikshëm” ose veprim që përshkallëzon tensionet është padyshim kundër interesave evropiane për disa arsye bindëse, të cilat janë të gjitha të ankoruara në respektimin afatgjatë të BE-së ndaj politikës së “Një Kine”.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij, për dekada të tëra, e kanë mbështetur me vendosmëri politikën e “Një Kine”. Ky është themeli i panegociueshëm mbi të cilin ndërtohen të gjitha komunikimet dhe veprimet e saj në lidhje me Tajvanin. Kjo politikë përfshin:
Dokumentet, deklaratat dhe demarshet diplomatike të nivelit të lartë e riafirmojnë vazhdimisht këtë qëndrim. Për shembull, në samite të shumta dhe dialogje strategjike BE-Kinë, udhëheqësit evropianë kanë konfirmuar në mënyrë të qartë angazhimin e tyre ndaj parimit të” Një Kine”, duke e cituar shpesh atë si një element themelor të një partneriteti më të gjerë strategjik me Pekinin. Duke pasur parasysh këtë politikë themelore, çdo retorikë ose veprim që nxit tensione shihet në kryeqytetet evropiane si thellësisht kundërproduktive dhe kërcënuese.
Disa çështje konceptuale

Konferenca e Potsdam, 1945/Foto nga VCG
Për të kuptuar pse Tajvani është një “vijë e kuqe” absolute për Kinën, duhet të futesh në psikikën e një kombi që ka kaluar shekuj duke u përballur me kriza të thella dhe të dhimbshme. Çështja nuk është thjesht një çështje kontrolli territorial; është një çështje e thellë dhe e lidhur me unifikimin kombëtar, fatin historik dhe vetë mbijetesën e shtetit kinez siç ekziston sot.
Historia fillon me atë që Kina e quan “Shekulli i Poshtërimit”, një periudhë e zymtë nga Luftërat e Opiumit të viteve 1840 dhe fundi i Luftës Civile Kineze në vitin 1949. Gjatë kësaj kohe, një qytetërim dikur krenar dhe i pasur u copëtua, u pushtua dhe u dominua nga fuqitë e huaja. Humbja e Tajvanit ndaj Japonisë në vitin 1895 pas një disfate të shpejtë ushtarake ishte një kapitull veçanërisht i hidhur, një simbol i dobësisë perandorake që u ngjit në vetëdijen kombëtare. Themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949 u shpall fundi i këtij poshtërimi, në momentin që populli kinez “u ngrit”. Megjithatë, një pjesë thelbësore e enigmës mungonte: ishulli i Tajvanit ose ndryshe provinca e 23-të e Kinës. Nga këndvështrimi i Pekinit, Tajvani është akti i fundit dhe i pazgjidhur i asaj lufte. Është fragmenti i fundit i territorit kinez ende i ndarë nga atdheu, një pasojë e vazhdueshme e konfliktit të brendshëm dhe ndërhyrjes së huaj. Kjo e bën kthimin e tij jo vetëm një qëllim politik, por aktin përfundimtar të bashkimit kombëtar. Bëhet fjalë për mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm historik dhe më në fund realizimin e “ringjallërimit të kombit kinez”, një qëllim që është shtylla qendrore e agjendës së Partisë Komuniste të Kinës. Në Kinë, të pranosh ndarjen e Tajvanit do të thotë të pranosh se revolucioni nuk përfundoi kurrë vërtet dhe se plagët historike të shekullit të 19-të mbeten të pashëruara.
Ky rrëfim historik është i lidhur pazgjidhshmërisht me parimin absolut të sovranitetit. Për qeverinë kineze, sovraniteti nuk është një koncept fleksibël; është një mburojë e shenjtë dhe e pandashme. Për këtë arsye e shumë të tjera nuk ka diskutim mbi këtë çështje. Si pasojë, çështja e Tajvanit tejkalon diplomacinë; është çështje parimi kombëtar. Parimi “Një Kinë” është shprehia e panegociueshme e këtij besimi. Për udhëheqjen kineze, nuk ka dyzime: ekziston vetëm një Kinë dhe Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e saj. Çdo fuqi e jashtme që angazhohet me Tajvanin në një mënyrë që sugjeron sovranitet nuk po bën vetëm një hap të gabuar politik por po sfidon parimin thelbësor të identitetit dhe legjitimitetit të Kinës moderne.
Kjo është arsyeja pse “vija e kuqe” është tërhequr në terma kaq të fortë dhe pa kompromis. Është një vijë e tërhequr jo në hartë, por përmes historisë, identitetit dhe një vendosmërie të thellë kolektive, t’a kalosh atë do të thotë të prekësh nervin më të thellë të kombit kinez.
Së fundmi, dhjetëra deklarata nga Pekini e kanë shprehur pa vend për diskutim se pavarësisht se si ndryshon situata politike në lidhje me ishullin e Tajvanit, ajo nuk do të ndryshojë faktet historike dhe juridike që të dyja anët e ngushticës së Tajvanit i përkasin një Kine dhe tendenca historike qëndron që Kina përfundimisht do të ribashkohet në mënyrë të pashmangshme. Parimi “një Kinë” është një konsensus i përgjithshëm i komunitetit ndërkombëtar, është gjithashtu themeli politik dhe premisa që Kina të zhvillojë marrëdhëniet me vende të tjera në botë.
Ekziston një nevojë thelbësore për një kuptim më të thellë të realiteteve historike dhe gjeopolitike që rrethojnë Tajvanin, duke theksuar nevojën jetike për dialog dhe diplomaci për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, sidomos nga Evropa.
Burimi CGTN

















