
Kina thërret ambasadorin japonez lidhur me komentet e kryeministres Sanae Takaichi
Zëvendësministri i Jashtëm kinez Sun Weidong thirri të enjten ambasadorin japonez në Kinë, duke shprehur shqetësime serioze mbi komentet e gabuara të kryeministres japoneze Sanae Takaichi në lidhje me Kinën.

Zëvendësministri i Jashtëm kinez Sun Weidong thirri të enjten ambasadorin japonez në Kinë, duke shprehur shqetësime serioze mbi komentet e gabuara të kryeministres japoneze Sanae Takaichi në lidhje me Kinën.
Javën e kaluar, Takaichi deklaroi se përdorimi i forcës nga pjesa kontinentale e Kinës ndaj Tajvanit mund të përbëjë një “situatë kërcënuese për mbijetesën” e Japonisë. Gjatë diskutimeve në Diet (parlamentin japonez), u raportua se Takaichi u shpreh që deklarata e saj përputhet me qëndrimin e qeverisë dhe se ajo nuk do ta tërheqë atë.
Lidhur me këtë, Sun Weidong vuri në dukje që komentet e kryeministres së Japonisë nënkuptonin mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Ngushticën e Tajvanit. Pavarësisht protestave serioze të Kinës, ajo përsëri nuk pranoi të ndryshonte qëndrim ose të tërhiqte atë që kishte thënë.
“Kina shpreh pakënaqësi të fortë e kundërshtim të vendosur për këtë dhe i ka paraqitur një protestë të fortë dhe demarsh serioz Japonisë”, vuri në dukje zëvendësministri i Jashtëm kinez.

Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi /Foto nga VCG
Këto komente të gabuara përbëjnë një ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të Kinës, shkelin normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, përfaqësojnë një provokim të drejtpërdrejtë ndaj rendit të pas-Luftës së Dytë Botërore dhe sabotojnë rëndë parimin e “një Kine” e parimet drejtuese të përcaktuara në katër dokumentet politike Kinë-Japoni, shtoi Sun.
Ai theksoi se çështja e Tajvanit është në thelb të interesave thelbësore të Kinës dhe është vija fundore e kuqe që nuk duhet të kalohet në marrëdhëniet kino-japoneze.
“Tajvani është një territor i shenjët i Kinës dhe çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës. Mënyra e zgjidhjes së këtij problemi është çështje e popullit kinez dhe në të nuk lejohet asnjë ndërhyrje e jashtme. Sivjet është 80-vjetori i fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore, si edhe 80-vjetori i çlirimit të Tajvanit (nga Japonia). Para tetë dekadash, populli heroik kinez, pas luftimeve të përgjakshme 14-vjeçare, mposhti agresorët japonezë. Tetëdhjetë vjet më vonë, ai që guxon të ndërhyjë në kauzën e ribashkimit të Kinës në çfarëdo forme, do të pësojë vetëm goditjen pa mëshirë të palës kineze. Ne e nxitim përsëri palën japoneze të reflektojë ndaj krimeve të kryera në histori, të ndreqë gabimet, të tërheqë fjalët e këqija dhe të mos ecë më tej në rrugën e gabuar, përndryshe, do të përballojë vetë të gjitha pasojat,” u shpreh zv.ministri i Jashtëm kinez Sun Weidong.
Burimi CGTN



















