Kadastra, praktika franceze në procedurat e regjistrimit dhe digjitalizimit të dokumenteve
Ekspertë të Kadastrës Shqiptare po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Paris, në kuadër të një programi intensiv shkëmbimi teknik me institucionet më prestigjioze franceze në fushën e noterisë dhe regjistrimit të pronës.

Takimi u zhvillua në Këshillin e Lartë të Noterisë Franceze, me pjesëmarrjen e Ambasadës së Shqipërisë në Francë, përfaqësuesve të Ministrisë franceze të Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Financave Publike (DGFIP).
Në një njoftim për shtyp, Kadastra bën të ditur se gjatë takimit u diskutuan praktikat më të mira për sigurinë juridike dhe digjitalizimin e proceseve noteriale.
Ekspertët shqyrtuan në detaje sistemin Télé@cte, ku u demonstrua transmetimi elektronik i akteve dhe i të dhënave drejt shërbimeve të Kadastrës franceze, një proces modern, i standardizuar dhe plotësisht i digjitalizuar.
Ky shkëmbim teknik synon përshpejtimin e procedurave të regjistrimit, përpunimin më efikas të dokumenteve dhe përmirësimin e bashkëpunimit me noterët për shërbimet kadastrale, duke rritur transparencën dhe efektivitetin.
Burimi ATSH