
Linda Rama në Londër: Shqipëria po rizbulon vendin e saj në historinë globale
Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, mbajti sot një fjalë në darkën e organizuar për të ftuarit e forumit ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale në Londër.

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, mbajti sot një fjalë në darkën e organizuar për të ftuarit e forumit ndërkombëtar të sigurisë dhe politikave globale në Londër, një ngjarje që bashkon përfaqësues të lartë politikë, ekspertë të sigurisë dhe drejtues institucionesh ndërkombëtare.
Diskutimet u fokusuan në sfidat e sigurisë globale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rolet strategjike të vendeve të rajonit në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.
Në fjalën e saj Linda Rama theksoi se, “integrimi ynë europian i konfirmuar në çdo forum ndërkombëtar, e mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve në vend e jashtë, do të kishte mbetur i kufizuar në një ëndërr që zbehej nëse nuk do të kishim ndarë ecurinë e pareshtur përpara që solli globalizimi”.
“Pa përfitimin e globalizimit, bukuria natyrore shqiptare do të mbetej e izoluar. 12 milionë vizitorë erdhën vitin e kaluar në një vend me më pak se 3 milionë banorë. Çdo takim, çdo vakt i bashkëndarë, çdo foto e bërë në brigjet, malet tona apo në zonat tona kulturore është Shqipëria që po rizbulon vendin e saj në historinë globale”, theksoi Linda Rama.
Duke u ndalur tek globalizimi politik, Linda Rama tha se “ai duket rrezikshëm i fragmentuar, legjitimiteti i institucioneve globale është rrezikshëm në pikëpyetje, varfëria e pabarazia vazhdon të jenë kokëfortë; të pranishme rivalitetet gjeopolitike, po rriten në mënyrë të ndjeshme, prirjet izolacioniste po rishfaqen, ëndrrat nacionaliste po dalin sërish në sipërfaqe. Luftërat po përhapen e ndikimet e tyre përtej kufijve, lëvizjet antiemigrante po rriten, të drejtat e arritura po gërryhen”.
Fjala e plotë e Linda Ramës në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë dhe Politikave Globale
Ndihem thellësisht e nderuar që gjendem mes jush sonte dhe sinqerisht, jo krejt e sigurt që meritoj një hapësirë kaq të veçantë në një mbledhje kaq të veçantë.
Falendeminderit Fjona! Vërtet do të thotë shumë që të konsiderohesh nga ti, e denjë për këtë detyrë dhe nuk mund të mos përmend një person tjetër mjaft të dashur këtë mbrëmje, një grua që e vlerësoj, jo vetëm për thellësinë e saj të gjykimit, por mbi të gjitha për forcën e karakterit të saj. Ajo është Cherie Blair dhe kurrë nuk do të mund ta falenderoj mjaftueshëm që më ka ndihmuar si një mike e vërtetë të tejkaloj një paragjykim të rrezikshëm, idenë që puna ime profesionale nuk mund të vazhdonte normalisht, në momentin që bashkëshorti im do të bëhej kryeministër.
Të dashur miq,
Në një takim kaq kuptimplotë si ky, do të kishte pak kuptim të bëja leksione për askënd këtu për globalizimin, për atë që funksionon dhe për atë që nuk funksionon, po ndoshta është kuptimplotë të ndaj mendimet për pyetjen “A po jetojmë ende në epokën e globalizimit?”, kur kjo pyetje zgjohet tek dikush si unë që ka kaluar përmes tunelit të komunizmit.
Kam qenë 28 vjeç kur kalova për herë të parë kufirin dhe u largova nga vendi im i vogël, e njëjta moshë kur përdora së pari librin “Essential” të gjuhës angleze për të folur me një të huaj, kur mbajta kartëmonedhën e parë të dollarit amerikan dhe bëra këmbimin e parë me këtë monedhë, kur hyra në një bibliotekë me libra të huaj.
Ishte 1992. Sapo kisha parë dritën e një tuneli shumë të gjatë.
Ëndrra jonë më e madhe ishte liria. Liria për të lëvizur, për të votuar, për të folur, për të besuar apo mosbesuar në Zot, për të punuar.
Ëndrra e lirisë na kishte rrëmbyer tërësisht edhe pse nuk e dinim ç’të bënim me të, apo se çfarë do të sillte në jetët tona. Pikërisht në atë moment bota e lirë e zhvilluar po ndiqte ëndrrën e saj të madhe që ishte globalizimi, një botë përtej fundit të historisë me asnjë ideologji, pa mure, pa kufi, me një liri më të madhe me një jetesë më të mirë.
Kujtesa e luftës dhe plagët e përçarjes së madhe e bënin dëshirën për unitet e paqe edhe më të fortë mes kombeve. Ndërkohë që, ne arratiseshim nga komunizmi dhe ëndërronim të bëheshim pjesë e botës suaj, ju ëndërronit fshatin global dhe me shpejtësi po e realizonit.
Është e drejtë të thuash se askush prej nesh nuk ishte i ndërgjegjshëm se çfarë na priste.
Për dikë që ka lindur në një vend që gjithmonë ka prodhuar më shumë histori sa mund të tretë, fundi i historisë dukej si një bekim dhe çelja e rrugëve, deteve e qiejve për t’u bërë sërish pjesë e civilizimit tuaj, dukej një mrekulli.
Sot di më shumë. Të gjithë ne dimë më shumë dhe edhe pse nuk do të kthehesha kurrë pas, kthimi pas i historisë me detërat e turbulluar dhe qiejt e stuhishëm e bëjnë rrugën përpara më pak të sigurt sesa dukej më parë.
Ne e dimë avantazhet e globalizimit që i ka sjellë njerëzimit dhe vendeve. I ka lidhur njerëzit në mënyra më parë të paimagjinushme. Ka bërë ekonomitë të prodhojnë më shumë, më mirë, duke u shtrirë edhe tek shumë prej tyre, pa të cilët globalizimi do të përpëlitej për të mbijetuar.
Novacioni lulëzon përmes bashkëpunimit global në shkencë, në teknologji, duke sjellë suksese të mëdha në mjekësi, energji të ripërtëritshme, komunikim. Muzika, filmi e arti rrugëtojnë të lirë, duke mbartur talente, tingujt e histori përtej kulturave, duke na ndihmuar të kuptojmë e të njohim njëri-tjetrin më mirë.
Komunikimi është më i shpejtë e më i përhapur se sa kurrë më parë; kompjuterizimi përmes resë, gjithashtu edhe inteligjencë artificiale (IA) ndërveprim online janë thelluar, kanë thelluar integrimin digjital, përtej çdo gjëje që kemi imagjinuar.
Këto janë avantazhet që i lejojnë vendeve të vogla si Shqipëria, të ndihen e të veprojnë pa kufinj, ashtu si bija jonë, Nënë Terezë, tha dikur: “Me gjak jam shqiptare, nënshtetësi indiane, por thirrja ime e brendshme, me thirrjen e brendshme, i përkas botës’’.
Ajo na kujton se identiteti nuk është një mur, por një urë që përkatësia kur ndahet, nuk mpak, shumëfishon. Kaq pa kufinj ishin dhe veprat e Ismail Kadaresë, të shkrimtarit tonë të shkëlqyer, përkthyer në më shumë se 45 gjuhë dhe të shqiptareve si Dua Lipa, Ermonela Jaho, Mira Murati që kanë arritur majat e artit, shkencës e teknologjisë globale.
Pa përfitimin e globalizimit, bukuria natyrore shqiptare do të mbetej e izoluar. 12 milionë vizitorë erdhën vitin e kaluar në një vend me më pak se 3 milionë banorë. Çdo takim, çdo vakt i bashkëndarë, çdo foto e bërë në brigjet, malet tona apo në zonat tona kulturore është Shqipëria që po rizbulon vendin e saj në historinë globale. Po kështu, integrimi ynë europian i konfirmuar në çdo forum ndërkombëtar, e mbështetur nga shumica dërrmuese e shqiptarëve në vend e jashtë, do të kish mbetur i kufizuar në një ëndërr që zbehej nëse nuk do të kishim ndarë ecurinë e pareshtur përpara që solli globalizimi.
Por po kështu e dimë që ky iluzion i mrekullueshëm që vrapon më shpejt se rrahja e zemrës së vet, siç e përshkruan dikush, nuk është thjesht, duke u shpërbërë e duke minuar kontradiktën e vet, siç në fakt dikush vëren me të drejtë.
Sot, globalizimi politik duket rrezikshëm i fragmentuar, legjitimiteti i institucioneve globale është rrezikshëm në pikëpyetje, varfëria e pabarazia vazhdon të jenë kokëfortë; të pranishme rivalitetet gjeopolitike, po rriten në mënyrë të ndjeshme, prirjet izolacioniste po rishfaqen, ëndrrat nacionaliste po dalin sërish në sipërfaqe.
Luftërat po përhapen e ndikimet e tyre përtej kufijve, lëvizjet antiemigrante po rriten, të drejtat e arritura po gërryhen.
Media sociale e jeta digjitale po na çorienton, e pasiguria mbizotëron botën virtuale që banojmë në të përditshmen tonë, ku të dhënat tona zhduken në një terr që nuk e shohim.
Në 2025, ajo çfarë dikur e shihnim si historia më e madhe e njerëzimit, e progresit, tashmë vihet në dyshim e bombardohet çdo ditë me pikëpyetje, ndërkohë që pasiguritë e çdo lloji rrisin stresin, ankthin dhe tensionet ndërbreznore.
Arsyet, sigurisht, janë më të mëdha sesa kapaciteti im për t’i kuptuar, por duke u mbështetur në të shkuarën time komuniste-parakomuniste dhe të tri dekadave të tranzicionit, unë do të ndalesha te një faktor thelbësor: Ende nuk kemi mësuar si të jetojmë e të sillemi globalisht në këto rrethana të reja. Nuk mund ta dinim, si dhe ende nuk dimë mjaftueshëm, ndërsa globalizimi shtrihej në territore të tjera, duhet të ishte zgjeruar edhe reflektimi i të mësuarit tonë, por si reflektimi ashtu edhe të nxënit, kanë qenë të pamjaftueshme matur me shkallën e gjerë të rritjes të globalizimit.
Edhe pse mendimtarët e studiuesit mbërrijnë te ne sot më me lehtësi përmes medias sociale, podcasteve dhe programeve të panumërta, ne dëgjojmë shumë pak filozofët, ekonomistët, sociologët, psikologët, teknikët, ekspertët e teknologjisë, linguistët apo doktorët. Dëgjojmë edhe më pak njerëzit e zakonshëm dhe betejat e tyre të përditshme. Kësisoj, përpiqemi të menaxhojmë një botë tejet komplekse e dinamike, me praktika, bindje e kufizimet e së shkuarës, në vend që të kuptojmë, të mësojmë e të përshtatemi së bashku me të.
A po jetojmë ende në epokën e globalizimit? Po, po jetojmë, sepse ashtu siç thotë Toni Bler, “globalizimi nuk është një zgjedhje, është realitet’’.
Për ta përmbyllur, ndërkohë që përgatisja këto fjalë, nuk mundesha përpos të hiqja një paralele midis skenës së sotme të globalizimit, e mbushur plot me sfida e pikëpyetje dhe çantës së shkollës së Zahos, djalit tim 11-vjeçar.
A ju kujtohet si në brezin tonë çantat e shkollës i mbanim në dorë? Ja pse quheshin çanta dore-shkolle, ndërkohë që sot asnjë fëmijë nuk e mban në dorë çantën e shkollës. E mbajnë në shpinë të gjithë.
E në fakt, për shkak se edhe gjatë viteve çantat e shkollës u bënë gjithmonë e më të mëdha e më të rënda, e kaq të mëdha saqë asnjë fëmijë i vogël nuk mund t’i mbante tjetërsoj.
E kështu fëmijët tanë shkojnë e vijnë nga shkolla përditë të përkulur nën këtë peshë. A e dini pse? Sepse në atë çantë shpine, në shpinën e atij fëmije qëndron e shkuara dhe e tashmja. Brenda kësaj çante shpine është iPad apo kompjuteri personal, e po kështu edhe libra tradicionalë, lapsi digjital, e kutia plot me lapsat e tjerë, makina llogaritëse, e po kështu, edhe fletorja e shënimeve me kuti, ku matematika, logjika matematike mësohet si në ditët e vjetra.
Këto fletore për shënime për çdo temë e fletoret e detyrave të shtëpisë, si më pare, në shkolla ka mësues, të cilët ende nuk e dinë se ku mbaron e shkuara e ku niset tashmja në metodat e tyre edukuese e sjelljet, sepse edhe ato veç duhet të bëhen studentë edhe njëherë për të mbajtur hapin me ndryshimin digjital.
Pastaj vijmë ne prindërit në panik për misterin e së ardhmes, duke zbatuar pafund rregullat e së shkuarës. Kjo është “çanta e shpinës” e globalizimit mbi shpatullat e Zahos, por plot mundësi për të mësuar, e megjithatë, e rëndë hutuese, e herë-herë kaotike.
Të gjithë mbarë mbajmë këtë çantë shpine sot, është çanta e shpinës së globalizimit.
Të dashur miq!
Është e drejtë që të jemi thellësisht të shqetësuar, kur shohim vendimet e përditshme që sfidojnë parimet e objektivat e ëndrrës fillestare të globalizimit. Por, nuk duhet të alarmohemi nga ngadalësimi i tij. Ky ngadalësim mund të jetë në fakt një dhuratë që na jep kohën të reflektojmë, për ta bëjmë rrugëtimin më të lehtë, më të qartë, më pak stres e më të lehtë për t’u mbajtur nga fëmijët tanë.
Burimi ATSH