
Rama: Pako e re masash ndaj zyrtarëve që lejojnë ndërtime pa leje, autorët nuk amnistohen
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për t’iu përgjigjur problematikës së ndërtimeve pa leje po përgatitet edhe një paketë masash ligjore ndaj zyrtarëve të shtetit që janë përgjegjës për shkeljet në këtë drejtim.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se për t’iu përgjigjur problematikës së ndërtimeve pa leje po përgatitet edhe një paketë masash ligjore ndaj zyrtarëve të shtetit që janë përgjegjës për shkeljet në këtë drejtim.
Në një komunikim live në rrjetet sociale, kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre komentuesve që duke marrë shkas nga shembja e një godine pa leje të ndërtuar buzë detit në Vlorë, ngrenë pyetjen se përse u lejua një gjë e tillë.
“Lajtmotivi është: pse u lanë të bëhen? Kjo është një pyetje legjitime, por pastaj vjen pjesa tjetër, që fajin për çfarë ka ndodhur për ndërtimin e një ngrehine buzë detit me gjithë atë volum betoni e ka ekskluzivisht shteti dhe kush e ka bërë këtë trajtohet si një subjekt totalisht i pafajshëm”, shtoi Rama.
Madje, Rama theksoi se “kalohet edhe në ekstrem duke folur për familje të ndershme që mezi mbajnë frymën gjallë dhe kriminalizohet tërësisht shteti, ndërkohë që amnistohen tërësisht autorët e këtyre shkeljeve”.
“Në një farë mënyre është si të thuash: ‘çfarë faji ka hajduti pse shteti nuk e kapi dhe pse duhet kapur e dënuar hajduti në rast se shteti e lejoi që ai të vidhte; çfarë faji ka vrasësi nëse shteti nuk e ndaloi të vriste dhe pse e kap më mbrapa; çfarë faji ka çdo shkelës i ligjit nëse shteti nuk është aty në sekondë për ta ndalur ta bëjë atë shkelje. Kush bën shkeljen është i pafajshëm, ndërkohë fajin e ka shteti dhe të gjithë ata që punojnë në emër të shtetit që nuk i shohin këto gjëra’”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se pa diskutim që në rastin e ndërtimeve të tilla ka një përgjegjësi të madhe të strukturave përkatëse, por pyetja tjetër që vjen është a është kjo përgjegjësi përkatëse e mjaftueshme për të mos ndërhyrë dhe për të mos rivënë në vend ligjin aty ku është shkelur.
“Nga ana tjetër me shumë të drejtë kërkohet kjo përgjegjësi përkatëse të mbahet. Pikërisht për këtë arsye ne kemi përcaktuar në pakon e re të masave që së shpejti do të aprovojmë që të gjithë ata inspektorë, punonjës policie dhe me radhë që kanë përgjegjësi të kenë sytë hapur, do të mbajnë përgjegjësi në rast se do të konstatohen shkelje të kësaj natyre që nuk bëhen në një ditë, por duhen muaj dhe vite për t’u materializuar, siç është rasti i kësaj godine skandaloze të ngritur totalisht pa leje në buzë të detit në bashkinë e Vlorës”, theksoi Rama.
Burimi ATSH