
Arsimi profesional, Hysa: Mbi 60% e nxënësve punësohen që në bankat e shkollës
Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi

Në një kohë kur tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë aftësi praktike dhe njohuri të specializuara, arsimi profesional po luan një rol kyç në përgatitjen e të rinjve për sfidat e tregut modern. Ky sistem arsimor, që bashkon teorinë me praktikën, paraqet një alternativë të vlefshme ndaj arsimit tradicional, duke u mundësuar të rinjve të zhvillojnë aftësi konkrete dhe të integrohen më shpejt në botën e punës.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Klevis Hysa bëri të ditur, në një intervistë për mediet, se mbi 60% e nxënësve të arsimit profesional punësohen në bankat e shkollave, qoftë gjatë vitit të tretë të studimeve apo brenda 6 muajve pas përfundimit të tyre, sipas të dhënave nga studimet dhe anketimet e realizuara nga agjencia.
“Në degë të veçanta si hoteleri-turizmi, ky tregues arrin deri në 80%”, shtoi ai.
Në shkollat profesionale, mësimi teorik shoqërohet me praktikën, ku praktika vlerësohet po aq sa edhe diploma universitare.
Për të mbështetur nxënësit, veçanërisht ata nga familjet me të ardhura të ulëta, ofrohen bursa sociale deri në 7320 lekë në muaj.
“Mbi 2500 bursa studimi janë akorduar në shkollat profesionale në të gjithë vendin, me qëllim mbështetjen financiare dhe nxitjen e regjistrimeve në profile me kërkesë të lartë në tregun e punës”, deklaroi Hysa.
Falë këtyre bursave, është regjistruar një rritje e ndjeshme e pjesëmarrjes së vajzave në arsimin profesional, duke thyer stereotipet gjinore dhe duke hapur më shumë mundësi për gratë në tregun e punës.
“Vitet e fundit kemi vënë re një ndryshim pozitiv në numrin e vajzave që ndjekin arsimin profesional, çka dëshmon se mbështetja financiare po i jep mundësi më shumë vajzave të zgjedhin këtë rrugë”, u shpreh Hysa.
Përveç mbështetjes financiare, shumë shkolla profesionale kanë filluar bashkëpunime të ngushta me bizneset dhe industritë vendase, duke krijuar programe praktikash dhe mundësi punësimi të drejtpërdrejta për nxënësit.
“Ne synojmë që deri në vitin 2030, të paktën një në tre nxënës të arsimit të mesëm të jetë i regjistruar në arsimin profesional. Ky objektiv është pjesë e përpjekjeve tona për të fuqizuar aftësitë e të rinjve dhe për t’i përgatitur ata drejt tregut të punës me njohuritë dhe mjeshtërinë e nevojshme”, theksoi Hysa.
Regjistrimet për arsimin profesional për klasën e 10-të kanë nisur që nga fillimi i muajit korrik dhe janë të hapura deri në fund të muajit shtator.
Procesi kryhet përmes “e-Albania”-s ku çdo prind mund të aplikojë online dhe më pas merr përgjigjen nga shkolla.
Arsimi i mesëm profesional u ofron nxënësve mundësi kualifikimi dy, tre dhe katërvjeçar, dhe i përgatit ata për profesione specifike, nëpërmjet zhvillimit të aftësive praktike dhe njohurive të aplikueshme.
Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi. Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grup-moshat.
Burimi ATSH