Shano: Nevojat për gjak mbeten ende të larta!

Dr. Shano thotë se gjatë vitit 2024 u kryen 3071 dhurime vullnetare, në 5 mujorin e parë të vitit.


Çdo vit, shtetet anembanë botës kremtojnë Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut. Edhe në Shqipëri, kjo ditë vjen jo vetëm si një thirrje për ndërgjegjësimin ndaj nevojave për gjak të sigurt, por edhe si një falënderim për dhuruesit vullnetarë të gjakut.

Dr. Viola Shano, Shefe e Mbledhjes dhe Përpunimit të Gjakut pranë Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), thotë në një intervistë për ATSH-në se në këtë ditë të rëndësishme falë angazhimit të dhuruesve vullnetarë, në 5 mujorin e parë të vitit 2025 janë kryer 4050 dhurime vullnetare, 979 dhurime më tepër ose 32% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Dr. Shano thotë se gjatë vitit 2024 u kryen 3071 dhurime vullnetare, në 5 mujorin e parë të vitit.

“Këto shifra tregojnë një ndërgjegjësim gjithmonë në rritje dhe një kulturë më të fortë solidariteti në shërbim të jetës. Rritja prej 32% në numrin e dhuruesve vullnetarë tregon qartë një ndërgjegjësim në rritje të qytetarëve shqiptarë për rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut. Kjo reflekton besimin që publiku ka krijuar ndaj institucioneve shëndetësore dhe sensibilizimin në rritje për të ndihmuar pacientët në nevojë, sidomos ata me sëmundje kronike si talasemia”, cilësoi ajo.

Dr. Shano pohon faktin se “dhurimet e rregullta të gjakut ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të niveleve të hekurit në trup, veçanërisht tek burrat”.

“Kjo është treguar për të zvogëluar sëmundjen e zemrës. Megjithëse hekuri është një element thelbësor për funksionimin e duhur të trupit, hekuri i tepërt i akumuluar mund të çojë në dëmtime të tepërta oksiduese, e cila është fajtori kryesor i plakjes së parakohshme, sulmeve të zemrës, goditjeve në tru, etj”, tha Shano.

Shefja e Mbledhjes dhe Përpunimit të Gjakut QKTGJ-së thotë për ATSH se njerëzit duhet të dhurojnë vullnetarisht gjak pasi i ndihmon jo vetëm në shpëtimin e jetës së pacientëve në nevojë, por edhe kontrollojnë shëndetin e tyre përmes testimeve të vëna në dispozicion nga QKTGJ.

Ndër të tjera, Dr. Shano thekson se në vendin tonë mbetet ende të larta nevojat për gjak.

“Nevojat për gjak mbeten ende të larta, për shkak të rritjes së vazhdueshme të kërkesave nga spitalet dhe veçanërisht për pacientët me sëmundje kronike si talasemia. Mesatarisht në ditë ne kemi nevojë për 100 njësi të dhuruara që në muaj do përktheheshin me 3000 dhurime. Kjo për faktin pasi na duhet të kemi sa më shumë gjak në dispozicion në mënyrë që çdo pacient të marrë grupin që i nevojitet”, cilësoi Shano.

Gjithashtu, Dr. Shano thotë se transfuzioni i gjakut nuk është një element jetëshpëtues vetëm tek të sëmurët me talasemi, por është jetik edhe në raste aksidentesh dhe ndërhyrje kirurgjikale, sëmundjeve kronike të gjakut sikurse janë anemitë e lindura si (talasemia, drepanocitoza), gjendje shëndetësore kritike që i dedikohen sëmundjeve të gjakut si leuçemitë, apo përdorimit të kimioterapive në rastin e të sëmurëve me kancer.

Sipas Dr. Shanos “të dhënat tregojnë se shumicën e dhurimeve të gjakut referuar gjinisë e përbëjnë burrat”. “Kjo ndodh për disa arsye, përfshirë kufizimet mjekësore që gratë kanë më shpesh, si nivele më të ulëta hemoglobine apo periudha të shpeshta të pamundësisë për të dhuruar për shkak të shtatzënive ose ciklit menstrual. Megjithatë, pjesëmarrja e grave është në rritje falë ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi rëndësinë e dhurimit të gjakut”, tha Shano.

Referuar të dhënave zyrtare nga QKTGJ, numri i personave që dhurojnë gjak për herë të parë ndryshon nga viti në vit, por mesatarisht rreth 35-40 % e totalit të dhuruesve vijnë nga kjo kategori.

“Ky është një tregues pozitiv për sensibilizimin dhe përfshirjen e brezave të rinj në dhurimin e gjakut, si dhe për punën e bërë në edukimin dhe promovimin e kësaj kauze jetike”, shtoi ajo.

Dr. Shano ndalet edhe te fushata sensibilizuese e qendrave lëvizëse të dhurimit të gjakut nëpër të gjithë Shqipërinë, një nismë kjo e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Aktualisht shpërndarja e dhurimeve të gjakut në qytetet e Shqipërisë është e përqëndruar kryesisht në qendrat urbane më të mëdha si Tirana, Durrësi, Lushnja, Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Vlora, Fieri ku janë më aktive njësitë e transfuzionit dhe ku organizohen më shpesh fushata dhurimi. Deri më tani kemi ndërmarrë fushata dhurimi tek Ministria e Mbrojtjes, të gjitha Bashkitë e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Universitetet”, nënvizoi Shano.

Sipas një kalendari dhe plani pune të hartuar nga QKTGJ-ja, projektet e radhës synojnë rritjen e qëndrueshme të dhurimeve vullnetare të gjakut duke nisur me kontaktin e të gjithë dhuruesve që të kthehen edhe njëherë tjetër brenda vitit që të dhurojnë gjak, organizimin e fushatave informuese në shkolla, universitete dhe institucione shtetërore, bashkëpunim me bashkitë dhe qendrat shëndetësore në qytete të ndryshme për dhurime të organizuara në terren duke qenë se kemi dhe sezonin e verës, rritjen e komunikimit përmes rrjeteve sociale dhe mediave për të promovuar rëndësinë e dhurimit të rregullt e periodik të gjakut.

“Në çdo institucion do bëhen traditë për dhurimin e gjakut dy data, një në 6 mujorin e parë dhe një në 6 mujorin e dytë në mënyrë që ta kthejmë në një zakon të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm për komunitetin shqiptar”, cilësoi ajo.

Dr. Shano ndan edhe një mesazh në këtë 14 qershor 2025, përpos falënderimit për dhuruesit vullnetarë të gjakut në të gjithë Shqipërinë.

“Më e rëndësishmja dhe më e vlefshmja është pa dyshim shpëtimi i jetës. Me një dhurim të vetëm, tre persona përfitojnë prej tij. Ky është përfitimi më i madh që mund të marrim nga të qenit dhurues i gjakut”, përfundon ajo.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

Parku Kombëtar “Divjakë – Karavasta”, peizazhe mahnitëse që ftojnë turistët për detin dhe natyrën

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla publikoi sot disa pamje nga Parku Kombëtar “Divjakë – Karavasta”, duke…

Global 360

Negociatorët e SHBA-së dhe BE-së diskutojnë tarifat tregtare

Negociatorët tregtarë të SHBA-së dhe BE-së kane nisur sot në Paris – negociatat për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së tensionuar…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Parku Kombëtar “Divjakë – Karavasta”, peizazhe mahnitëse që ftojnë turistët për detin dhe natyrën

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla publikoi sot disa pamje nga Parku Kombëtar “Divjakë – Karavasta”, duke…