
Maji që ikën!
Realiteti që ky maj na përcjell nuk është fort i ndryshëm me atë cfarë mund të kishim imagjinuar.

Nga Aladin Stafa
Realiteti që ky maj na përcjell nuk është fort i ndryshëm me atë cfarë mund të kishim imagjinuar. Si cdo herë njeriu mbetet po ajo qenie e dobët, duke e pranuar fatin e vet se shumëcka në dorë ai nuk ka. Ndaj dhe përballja me të tashmen nuk të mundon shumë për të ndërtuar plane afatgjatë, por thjesht vendimarrje spontane prej një instikti individual. Secili i ndryshëm në sferën ku vibron, me një aureolë gjithashtu të vecantë.
E mban mend janarin? Kanë kaluar plot pesë muaj sa hap e mbyll sytë, për të thënë literalisht se koha fluturon, se nuk pret apo ndalon por përkundrazi ajo të përcjell bashkë me sfidat, mendimet, fitoret e humbjet e tua. Thonë se të paktën plagët i shëron, ama gjurmët e saj aty mbesin! Të nevojshme që historinë tënde mos ta harrosh, që nga fakti se nga ke ardhur deri te cdo kapitull i mbyllur me apo pa dëshirën tënde, me apo pa fajin tënd, pse jo ndoshta për të të kujtuar atë pak proges që sado i vogël mund të të duket gjithsesi mbetet një progres. Vetëm e për një arsye; njeriu ka nevojë të ecë përpara.
Ashtu sikurse koha, mosha dhe vetë jeta. Ndaj dhe gjurmët mbesin si tatoo në fibrën tënde të nënvetëdijes sepse eksperienca është tatoo-ja e shpirtit që nuk ka nevojë as për bojë, as për figura, as për data e as për shkronja. Është rrugëtimi yt i derisotshëm, i vërteti, thelbësisht origjinali, ai pa filtra e ku cdokush ka rolin e vet në të.
Komike duket teksa vështroj qiellin e nuk mundem të them se në c‘muaj jemi vallë? Janar apo maj, duket se koha trand njësoj në ‘zemrekun’ e saj duke na bërë të mendojmë se Toka shfaqet e lodhur në ngjyrat dhe stinët e saj.
Automatizimi i cdo sektori të jetës i ka mbytur stinët e dielli nuk do që të shfaqet më mbi ne ndërsa pret mbi re derisa njerëzit të kthehen përsëri nën rreze të tij.
Mbrëmjeve hëna ende ulet teposhtë, e me dritën që dielli i jep gjatë ditës përpiqet natës t‘i japë pakëz dritë.
Kush arrin të pushojë plotësisht në këtë sistem të ngritur mbi stresin, konkurencën, egon dhe paranë?! Tejet larg natyrës dhe qetësisë, aty ku kapitalizmi dhe teknologjia fshijnë përditë nga pak te ne ca përqindje të ndjesisë humane!
Apo mos ndoshta shqisat ndodh që vërejnë pak më shumë se zakonisht? Mundet! Të jem i sinqertë as dëshirë e as motiv nuk kam për ta parë ndryshe. Sepse gota që të mund të shihet gjysëm plot duhet të ketë ujë në të. Uji po mungon, është tharë me kohë se dhe shiu që bie nuk dëshiron të rrijë më shumë se disa minuta në këtë ambient të thatë…e të betonizuar. Kudo dhe ngado sa duket që edhe natyra duhet automatizuar tashmë. Pa harruar erën, e cila furishëm fryn me doza të larta mërie, si për të na shkundur paksa teksa ecim rrugëve me bindjen se po shkojmë në drejtimin e duhur.
Ky do të ishte maji, përsëri gri si janari, me një shije freskie drejt një vere që nuk e ka ndarë ende mendjen se ku do të qëndrojë. Ndoshta ngaqë ende askush nuk është i lirë mjaftueshëm për t‘i prirë udhëtimit të tij.
Kohë vetmie duket si koha e vetme e servivur tanimë; se dhe kur jemi me njerëz ndihemi vetëm. Mos prit të ndryshojë shumë, gjej veten përpara se sistemi të të gjejë ty. Përdore qetësinë për të dalë nga një cikël i mbyllur e kaotik. Koha gjithsesi do të ecë, historia do të shkruhet e njerëzit disa do të vijnë e të tjerë do të largohen.
Në fund të gjithë largohemi vetëm, ashtu si dhe kemi ardhur. E duke qenë se realiteti është një koncept që njeriu nuk mund ta kapërdijë lehtë, edhe në kohën më gri- një emër i lënë me kuptim mbetet dritë- jo thjesht për t’u kujtuar por për t’u shenjuar prej tij.
Vjenë, 28 maj 2025