Shqipëria, një hap më tej drejt anëtarësimit në SEPA, Sejko: Në vitin e parë përfitimet deri në 20 milionë euro
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, takim me drejtorin e përgjithshëm të Këshillit Evropian të Pagesave, Giorgio Andreoli.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi sot takime në Bruksel me drejtorin e përgjithshëm të Këshillit Evropian të Pagesave, Giorgio Andreoli, si dhe atë të Drejtorisë së Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit (DG NEAR), pranë Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur si SEPA.
Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.
Përfshirja e Shqipërisë në të do të ndikojë zhvillimin financiar dhe ekonomik të vendit, duke kontribuuar në integrimin e mëtejshëm të saj me tregun e BE-së. Kështu, vendi ynë do të fitojë akses në një treg më të gjerë evropian, duke lehtësuar transaksionet ndërkufitare dhe duke rritur tregtinë dhe investimet.
Më datë 12 qershor 2024, Guvernatori Sejko firmosi aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA, duke u bërë kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian. Ky i fundit duhet të japë dakordësinë e tij, në kontekstin e integrimit të vendeve joanëtare me tregun evropian, bazuar në rregulla dhe standarde të njëjta.
Gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel, u theksua se të gjitha vendet e rajonit kanë bërë përpjekje maksimale për anëtarësimin në SEPA dhe 3 prej tyre, përfshirë Shqipërinë, kanë përmbyllur me sukses fazën e aplikimit.
Shqipëria është një ndër tre vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë avancuar bindshëm drejt anëtarësimit në SEPA, dhe pritet që në muajt e ardhshëm të aderohen në të.
Guvernatori Sejko u shpreh se pjesëmarrja në SEPA është një nga shtyllat e Planit të Rritjes të hartuar nga Komisioni i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe një objektiv afatgjatë për Bankën e Shqipërisë dhe vendin tonë.
“Prandaj, Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë standardet e larta të vendosura nga SEPA për sa i përket efikasitetit dhe sigurisë së pagesave. Ekonomia shqiptare është shumë e ndërlidhur me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ky anëtarësim ndihmon në uljen e ndjeshme të kostove të pagesave me BE-në dhe zonat e lidhura me të, nëpërmjet SEPA-s”, tha ai.
Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka përafruar legjislacionin e saj dhe ka hartuar rregulloren përkatëse, si gur themeli i kërkesave të SEPA-s.
Përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë, janë të mëdha dhe, sipas vlerësimeve paraprake, mund të arrijnë deri në 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim.
Më konkretisht, bazuar në eksperiencën e sistemit AIPS Euro, nëpërmjet të cilit Banka e Shqipërisë nga fillimi i operimit në janar 2022, i ka kursyer tregut shqiptar rreth 95 milionë euro, vlerësohet se ndikimi i anëtarësimit në SEPA do të jetë dhe më i gjerë.
Po ashtu, theksoi Guvernatori, lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, BE-në, nxit zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare me të.
“Pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar – edhe kjo e fundit anëtare e SEPA-s. Lehtësitë që sjell SEPA do të nxisin përdorimin e kanaleve zyrtare për transfertat e remitancave, përpos rritjes së vlerës së kursimeve. Pjesëmarrja në SEPA nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficient dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria”, deklaroi Guvernatori.
Sipas tij, përdorimi i pagesave përmes SEPA-s pritet të sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e kompanive shqiptare dhe të individëve, sa i përket mënyrave të kryerjes së pagesave elektronike (cashless). Ai shërben si instrument edukues dhe mbështet zgjerimin e përfshirjes financiare të popullatës.
(ATSH)