Ahmeti: Tirana, tani edhe qyteti im

Kryetari i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti u nderua sot me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës


Kryetari i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti u nderua sot me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndaj popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Në ceremoninë e nderimit të Ali Ahmetit me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” ishin të pranishëm, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme shqiptare.

Në fjalën e tij pas marrjes së titullit, Ahmeti tha se “këtë nder të sotëm e ndaj me të gjithë patriotët e burgosur politikë në shtetin tim e Kosovë, me 3 mijë mbetje mortore në vendlindjen time, se ata për atë flamur dhe gjuhë janë vrarë. Më keni nderuar me këtë titull”.

Ahmeti theksoi se “dua t’ju falënderoj, por një fjalë e një plaku të urtë na tha mos e falënderoni njëri-tjetrin se të gjithë keni punuar në arën tuaj, vetëm punë e mbarë të thuhet për të gjithë punët kur bëhen. Mirëpo vërtet Shqipëria ka ndarë bukë e kripë e zemër me ne, me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova shtet, por janë shqiptarët në Maqedoni, shtetformues”.

“E kam thënë botërisht, që kur e kemi nisur veprimtarinë për bashkimin e tokave shqiptare, nuk kam asnjë rezervë, se ka edhe nga ata që thonë se e kemi nisur për demokraci, ne e kemi nisur për bashkimin e tokave shqiptare”, nënvizoi Ahmeti.

Rrethanat ndryshuan, vijoi Ahmeti, edhe ne ndryshuam strategji duke parë gjeopolitikat, gjeostrategjitë dhe përkushtuam zhvillimin e Kosovës, por pa garancitë e kryeministrit të asaj kohe që nuk do të ketë kryengritje në Maqedoni.

“Sepse shqiptarët që morën pjesë vullnetarisht në luftën e Kosovës disa u vranë në burgje dhe kjo situatë ishte e pakontrollueshme, e përpunueshme shumë më herët, se shqiptarët në Maqedoni ishin të diskriminuar, të margjelizuar, pa simbole kombëtare, pa gjuhë, pa universitet. Sot ju keni Skënderbeun në qendër në Tiranë, por edhe unë e kam në Shkupin e vjetër, mu në qendër. Edhe ju me krenari mbani flamurin kombëtar, por edhe unë dënohem nëse nuk e kam flamurin kombëtar në kancelari, zyra, komuna, 5 mijë euro është gjoba”, theksoi Ahmeti.

Në fjalën e tij, ai nuk la pa përmendur transformimin që ka pësuar kryeqyteti i shqiptarëve. Ali Ahmeti tha se ky transformim dhe zhvillim i Tiranës gëzon jo vetëm atë, por edhe çdo shqiptar.

“Unë e njoh Tiranën e ‘91, dhe sot nuk e njoh Tiranën e 2024. Humbëm në Tiranë, nuk e di ku jam. Është një Tiranë tjetër. Krejtësisht! Dhe kjo më gëzon mua, gëzon çdo shqiptar që vjen dhe e viziton. Unë do të doja t’ju falënderoj shumë për këtë nder. Do të përpiqem, Erion, të jem qytetar i disiplinuar. Çfarëdo aktiviteti që ju keni, unë do të jem pjesëtar, se tani është dhe qyteti im. Këtë nder unë e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët e mi, patriotët, të burgosurit politikë në shtetin tim dhe Kosovë”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut deklaroi se Tirana ka qenë edhe shtëpia e bashkëluftëtarëve të tij që dhanë jetën për kombin.

“Kjo është Tirana e Adem Jasharit, kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, po kjo është Tirana edhe e Fehmi Lladrovcit e Xhevë Krasniqit. Kjo është Tirana që akoma buzëqeshja kur ka parë kompaninë e parë që po futet në Kosovë, Luan Haradinajt, që si djalin e vet e ka mbajtur nëna Dritë”, tha Ahmeti.

Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me motivacionin: “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rritjen e marrëdhënieve politike, shoqërore dhe ekonomike midis komunitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me qytetarët e Tiranës, dhe forcimin e lidhjes mes komuniteteve për të ndërtuar një klimë të përbashkët të bashkëpunimit dhe respektit ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve”.

Ali Ahmeti është një prej figurave më të rëndësishme në skenën politike dhe shoqërore të Ballkanit Perëndimor. Ali Ahmeti njihet si njeriu i punëve të mëdha për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ai është pagëzuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë.

Propozimi për shpalljen e tij qytetar nderi është bërë mbështetur në rolin e tij si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ku ai luajti një rol kyç në konfliktin e armatosur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001.

Rama takon nesër në Bruksel Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte

Kryeministri Edi Rama do të takohet të mërkurën, më 17 shtator në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark…

Global 360

Protesta në Hagë, Rama: Asgjë tjetër përveç drejtësisë, për Kosovën dhe çlirimtarët e saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shqiptarët kërkojnë vetëm drejtësi për Kosovën dhe çlirimtarët e saj.

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Humanizmi sot në shoqëri sfidë për njerëzimin!

Humanizmi sot nuk është thjesht një koncept filozofik, por një nevojë absolute shoqërore dhe morale.

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Rama takon nesër në Bruksel Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte

Kryeministri Edi Rama do të takohet të mërkurën, më 17 shtator në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark…