Zonjusha Levinski…

Ajo heshti dhe ktheu gotën e pijes përballë dritares mbi Rue des Solitaires, si për t’i dhënë fund një kujtimi të hidhur. Dhe asaj i pëlqente ta thërrisnin Levinska.


Nga Luan Rama

Zonjusha Levinski…

Ajo dëgjonte Hendel në një gjendje habie dhe mrekullimi dhe mua më dukej se po shkëputej nga ajo tavolinë e thjeshtë, ngritur ashtu në ajër dhe po i largohej atij apartamenti në Rue des Solitaires, duke iu larguar mjedisit, kohës, duke shkuar larg, në vitet e shkuara, në qytetin e Durrësit me pulëbardhat në breg, të cilin e kishte braktisur njëzet vjet më parë. Por pyetja ime sikur e riktheu sërrish pranë asaj tavoline të thjeshtë:

– … Kur kështu?

– Oh, ka kohë, – mu përgjegj ajo me zërin e saj të thyer. Sytë e saj te bukur e të zinj i vezulluan një çast, duke i risjellë atë moment të paharrueshëm, si të ishte ngjizur në xhelatinën e syrit për mos tu shqitur më.

– Ati im ishte në ditët e fundit të jetës së tij. Ishte i lodhur… ati im… i imi… Mezi merrte frymë. Mbyllte sytë dhe qëndronte kështu me orë të tëra në errësirën e tij. Motra ime kërkonte ta mbante me kurajo e po kështu dhe njerëzit e afërt, por ai donte errësirën e tij, nuk e donte dritën, thua se ajo e shqetësonte apo e shkëpuste nga ajo që përjetonte edhe pak, duke numuruar ditët, duke pritur të nesërmen, dhe përsëri të nesërmen, në errësirë…

Ajo vazhdonte të fliste dhe unë veç e kundroja, vëzhgoja dhimbjen e saj që i pushtonte portretin, dhe së pari sytë…

– … E zeza për të ishte një botë e paqtë. Por unë doja ta shkëpusja nga ajo që të jetonte dhe pak me ne, të gjallët. E dija se vetëm një emër mund ta zgjonte dhe ta sillte pranë nesh, ballë meje, ashtu siç kishte ndodhur dhe më parë… zonjusha Levinski. Dhe unë i pëshpërita: “Zonjusha Margarita Levinski…”

E ndjeva menjëherë dridhjen e qerpikut të tij, buzët e ngrira që u drodhën, përpjekja e një dore pë të lëvizur, qepallat që nisën të ngrihen si perdet e rënda të një teatri tragjik dhe sytë, sytë e shuar nga morfina që nisnin të rimernin dritë, e zeza që shqyhej e çahej, dhe drita që hynte me vrull, s’dihet si… ndjeja gjoksin e tij që niste të ngrihej dhe të merrte frymë thellë… Levinski, ç’emër magjik, që bënte të ngrinte dhe një njeri në vdekje e sipër. Ishte im atë, ati im, i shtrenjti, i miri, i ëmbli që shuhej por që unë s’doja ta lija dhe Levinski, vetëm ajo më ndihmonte që ta mbaja gjallë, edhe pak, si në një requiem “aeternam”… o zot, ai më qeshi dhe pëshpëriti, “ah, Levinski… pengu i jetës time“…

Mikja ime ndaloi. Heshti, vallë do mundte më të vazhdonte tregimin e saj? Përse ky tregim, tani, pas kaq vitesh që dhe ati i saj kishte mbyllur sytë, dhe ati im… etërit, përtej jetës por gjithnjë pranë, në kohë, në çastin e përjetimit, të kujtesës.

– “… dhe ati im pëshpëriti: ah bija ime, ç’dashuri e bukur!… Dhe unë pashë sytë e tij që mu ngulën dhe nuk mu shqitën, me dëshirën për të më folur për një grua që e kisha parë vetëm në një fotografi, e vetmja, të cilën ai e kishte mbajtur si një gjë të vyer, nostalgji e kohës, që dhe nëna ime e kishte pranuar, por më pas, njerka e grisi… por imazhi i saj mbijetoi, pasi gjithçka ishte në sytë e tij, në nostalgjinë e një kohë që nuk shlyhej…

Ne dëgjonim Hendel dhe unë nuk e di nëse ai kishte dëgjuar Hendel në Shën Petersburg ku kishte qenë student, por me siguri ishte mbrujtur me muzikën e një Rahmaninov, e një Chostakoviç… muzikë, veç muzikë, vargje të Pushkinit, tregime të Gorkit, Cehov, Lermontov… kohë e rinisë kur dashuria nuk matej me vitet që shkonin… ajo mund të ishte dhe vetëm tri ditë, si në filmin e Clint Eastwood “The Bridges of Madison Conty”, me një Meryl Streep drithëruese, kohë e ngjizur që do të mbetej gjithë jetën… sa do të donte ajo ta kishte atë fotografi, të vetme, qoftë dhe të grisur, të zhubrosur, të zvenitur, fytyra e asaj vajze të qeshur që i qeshte të dashurit të saj, ëndrrës, të ardhmes, jetës… ashtu e kishte pushtuar ai në sheshet e Shën Petersburg, e kishte ngritur lart dhe e kishte rrotulluar nën klithjet e ëmbla të saj si të rrotullonte vetë qiellin, madje vetë botën… t’ia tregonte atë fotografi në çastet e fundit, por sidoqoftë, ajo kishte mbetur në kujtesë. Ishte një kohë që tek ai jetonte gjer në çastet e fundit të jetës së tij. Por ajo që e zgjonte dhe nga pragu i një vdekje ishte zonjusha Levinski, “daragaja Margarita”.

– … “Ku do jetë vallë Levinski? – kishte shtuar ai, – Ndoshta jeton ende… ndoshta ka vdekur?… sa do doja ta shikoja, thjesht ta përshëndesja dhe të shkonim, në udhët tona, ndoshta për tu takuar diku…”

– Ati im ishte 86 vjeçar dhe ishte rinia e tij që i gëlonte në gjithë qënien, dashuria, ajo ndjesi e madhe që kurrë nuk e kishte ndjerë më edhe pse nënën time e donte shumë. Përse vallë kështu? Përse?… do doja t’i flisja për nënën time, por ah, e dija se vetëm emri i saj do ta zgjonte, dhe unë doja ta zgjoja atë, ta mbaja në jetë, përtej morfinës dhe vdekjes së paralajmëruar. Levinski, ç’emër magjik… e kisha parë atë bjonde me gërsheta dhe kujtoja bisedën e fundit me tim atë, kur më fliste për shëtitjet e tyre buzë lumit, nëpër dëborë, festat e mëdha të studentëve, ëndrrat, dashuritë, vodkën që pihej nën tingujt e këngës “Sytë e zinj” dhe entusiazmin e një bote të re… Levinski, si të ishte pinjolle e një hyjnie… E ç’nuk kishte bërë ajo vajzë që të vinte dhe të martohej në Shqipëri me tim atë. Trokiste vazhdimisht në dyert e ambasadës shqiptare… ishte koha e prishjes me sovjetikët, studentët ktheheshin, të dashurat e tyre shpresonin se mund të ritakoheshin një ditë. “Më mirë që nuk erdhi”, – më kishte thënë atë ditë im atë… kushedi, do të përfundonte në burg, ashtu si unë… ah, Levisnski. Vallë jeton ende?»… ndërsa unë ngrija supet. Si mund ta dija se ç’bëhej me të, se ç’kishte qenë jeta e saj? Si?… Në fillim kishte dërguar veç letra, të përgjëruara, të nxehta, plot fjalë dashurie, përkushtime, pastaj letrat u rralluan si të ishin ca klithma të largëta, deri sa më në fund, përballë murit të heshtjes së detyruar, edhe ato nuk erdhën më. Krillat nuk do të shtegtonin më drejt qiejve shqiptare… Kështu vdiq ati im… me emrin e zonjushës Levinski! Deti atë ditë shfrynte dhe pulëbardhat u ngritën shumë lart…

Ajo heshti dhe ktheu gotën e pijes përballë dritares mbi Rue des Solitaires, si për t’i dhënë fund një kujtimi të hidhur. Dhe asaj i pëlqente ta thërrisnin Levinska, siç e shkruante ajo, ndoshta pse dashuria e të atit ishte një energji e madhe që e tejkalonte personin e tij dhe e përcillte gjetkë, aq sa dhe ajo do tê dëshironte të ishte për dikë tjetër një Levinska, pasi Levinska nuk ishte thjesht një histori, një fakt, një ngjarje, por ishte një simbolikë e një dashurie që nuk arrin të venitet dhe të shuhet dhe që i kapërcen caqet e jetës, madje dhe te një bote… E habitshme kjo histori e zonjushës Levinski, që dje më bëri të mendoj gjer në mbrëmje vonë, tek dëgjoja kësaj rradhe requiem-in e Mozart që ai shkroi për veten e tij!

Lexo më shumë nga

Sfidat e sigurisë, zhvillohet në Tiranë Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A-5)

Iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut është një nismë diplomatike që përfshin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sfidat e sigurisë, zhvillohet në Tiranë Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve të Iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut (A-5)

Iniciativa SHBA – Karta e Adriatikut është një nismë diplomatike që përfshin vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor