Sejko: Borxhi publik në 2024-ën në nivelin më të ulët prej më shumë se një dekade

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko prezantoi opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektbuxhetin e vitit 2024, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko prezantoi të premten opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi projektbuxhetin e vitit 2024, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

“Drafti i paraqitur për shqyrtim bazohet në një kuadër realist parashikimesh makroekonomike. Po ashtu, ky projektbuxhet parashikon një politikë fiskale konsoliduese, e cila është në linjë me kahun e politikës sonë monetare, si dhe adreson disa nga prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit”, tha Sejko.

Megjithatë, theksoi ai, sfidat me të cilat përballemi mbeten serioze dhe komplekse.

Ekonomia shqiptare, vijoi Sejko, është përballur me një seri të vazhdueshme sfidash gjatë katër viteve të fundit, megjithatë, ka dëshmuar një shkallë të admirueshme rezistence, duke pasqyruar fleksibilitetin e sektorit privat, frytet e punës së vazhdueshme për forcimin e stabilitetit ekonomik e financiar, si dhe suksesin e politikave kundërciklike që kemi ndjekur.

“Sipas vlerësimeve tona, ekonomia shqiptare pritet të rritet rreth nivelit 3.5% gjatë vitit aktual dhe të shënojë rritje të mëtejshme gjatë vitit të ardhshëm”, deklaroi Sejko.

Sipas tij, Banka e Shqipërisë gjykon se prioriteti i politikës fiskale duhet të jetë i dyfishtë: nga njëra anë, kjo politikë duhet të synojë konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të vendit dhe, nga ana tjetër, duhet të rrisë vëmendjen ndaj sfidave afatgjata të zhvillimit.

“Po në gjykimin tonë, projektbuxheti i vitit 2024 ruan një balancë të mirë midis këtyre dy objektivave”, u shpreh Guvernatori.

Sejko shtoi se politika fiskale projektohet të ruajë kahun e vet konsolidues gjatë vitit 2024, e ankoruar në një deficit të përgjithshëm buxhetor, rreth nivelit 2.5% të PBB-së, dhe në një balancë primare pozitive, rreth nivelit 0.2% të PBB-së.

Sejko nënvizoi se ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale mundëson një kthim më të shpejtë dhe me kosto më të ulëta të inflacionit në objektiv, i shërben qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike, si dhe nxit qëndrueshmërinë e tregjeve të brendshme financiare.

“Projeksionet e projektbuxhetit sugjerojnë se borxhi bruto i sektorit publik pritet të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së gjatë vitit 2024, duke shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë. Niveli i lartë i borxhit publik ka qenë dhe mbetet një ndër dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, duke reduktuar aftësinë tonë në përballimin e goditjeve dhe duke diktuar kosto më të larta financimi për sektorin privat. Për këtë arsye, ne kemi kërkuar dhe mbështetur çdo nismë e politikë fiskale që mundëson reduktimin e qëndrueshëm të borxhit publik”, theksoi Sejko.

Në gjykimin e BSH-së, projeksioni i të ardhurave për vitin 2024 është i arritshëm.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë mirëpret reduktimin e ndryshimeve të tarifave tatimore e doganore, si dhe shtimin e fokusit në drejtim të rritjes së formalizimit të ekonomisë.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në vend, aktualisht rreth nivelit 28% të PBB-së, mbetet relativisht e ulët në krahasim me atë të vendeve të rajonit, mesatarja e të cilave qëndron rreth nivelit 36% të PBB-së.

Në kahun e shpenzimeve, Banka e Shqipërisë konstaton se projektbuxheti i vitit 2024 parashikon një rritje të totalit të tyre në masën 4.3%, të diktuar nga rritja e shpenzimeve korrente në masën 9.6% dhe reduktimi i shpenzimeve kapitale, në masën 6%.

”Banka e Shqipërisë gjykon se struktura e shpenzimeve publike adreson dy prioritete afatgjata të zhvillimit. Ajo ruan hapësira relativisht të konsiderueshme për investime publike, rreth nivelit 5.3% të PBB-së, si dhe siguron fondet e nevojshme për rritjen e pagave në sektorin publik, duke synuar në veçanti, rritjen e eficiencës dhe krijimin e stimujve të duhur për punësim, në sektorë prioritarë si shëndetësia, arsimi dhe rendi publik”, tha Sejko.

Në drejtim të rritjes së mëtejshme të efektivitetit dhe fleksibilitetit të financave publike në të ardhmen, Banka e Shqipërisë sugjeron adoptimin e një plani pune, i cili duhet të synojë rritjen e qëndrueshme të nivelit të të ardhurave publike, si dhe mundësinë e adoptimit të një objektivi operacional afatgjatë, i cili të garantojë ruajtjen e një balance korente pozitive, në një nivel të caktuar.

Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se realizimi i treguesve të buxhetit, dhe në veçanti i planit të investimeve, duhet të ketë një shpërndarje më të njëtrajtshme gjatë vitit.

“Mbetet i nevojshëm adresimi në afatin e mesëm dhe të gjatë i deficiteve të krijuara nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe administrimi i programeve të Partneritetit Publik Privat. Në interes të rritjes së efektivitetit dhe të reduktimit të rreziqeve potenciale që vijnë nga PPP, Banka e Shqipërisë sugjeron përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike”, u shpreh guvernatori.

(Marrë nga ATSH)

Makiaveli, “princi” i së keqes!

"Princi”, famëkeq i Nikola Makiavelit, një traktat për “amoralitetin” politik

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Liria e fjalës e rrezikuar nga media…

Rënia e besueshmërisë së medias ka ardhur edhe si pasojë e minimit të profesionit nga brenda.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Makiaveli, “princi” i së keqes!

"Princi”, famëkeq i Nikola Makiavelit, një traktat për “amoralitetin” politik