Fan Noli, figura e parë poliedrike e mendimit shqiptar!

Studiues. Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar


Nga Dr. Dorian Koçi

Hyrje

Çdo përvjetor i lindjes dhe vdekjes së Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës shqiptare, përbën një ngjarje të shënuar kulturore në hapësirat kulturore mbarë shqiptare. Për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj figure të papërsëritshme të panteonit akoma të pandërtuar shqiptar duhet të hedhësh vështrimin mbrapa për të parë se ç’trashëgimi dhe kulturë politike shqiptare kishin, shqiptarët para tij.

Nëse gjatë një bisede me Konicën, Noli i ankohej këtij të fundit se nuk kishin se me çfarë të krenoheshin nga e shkuara përsa i përket kulturës politike, përveçse një konservatorizmi mjeran, sot ne kemi mundësi që sa herë flasim për nocione të tilla të sjellim ndërmend figurën e këtyre dy kolosëve, por veçanërisht të Fan Nolit për veprën e gjithanshme të tij.

Emri i tij Theofan (gr. shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe politikës shqiptare. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet.

I nderuar thellësisht pas vdekjes nëpër përvjetorë por i nderuar shumë pak në kulturën urbane të qyteteve tona, ai mund t’u japë brezave të rinj vizionin e gjerë të tij që shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri tek jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj.

Ndikimi i Botës së Re në botëkuptimin e Fan Nolit

Fan Noli i përket brezit të ri të patriotëve shqiptarë që hynë vrullshëm në vorbullat e ngjarjeve politike e që në pak vjet realizuan pavarësinë e Shqipërisë, konsolidimin e shtetit kombëtar shqiptar dhe ndërtimin e institucioneve bazë si parlamenti, qeveria dhe kisha kombëtare. Fermentimi ideologjik i angazhimit në politikë i brezit të ri të politikanëve shqiptarë ishte vokacioni për të modernizuar botën konservatore shqiptare. Ajo nuk ishte ideologji e kristalizuar, por të gjithë binin dakord me fjalët e Stavro Vinjahut që duhet “të shkulemi nga Orienti”, duke përcaktuar qartë pozicionin properëndimor të Shqipërisë.

Përplasja në rrafshin politik ishte në fakt, një përplasje midis primitivizmit qeverisës të klientelës politike përmes funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin oborret e fisnikëve në mesjetë, të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve në Shqipëri dhe personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar nga politikanët e brezit të ri. Fan Noli ishte i drejtpërdrejtë dhe i pakompromis për të vënë para idetë e tij, ëndërronte që të sillte pak “Amerikë” në Ballkanin e trazuar nga qiejt e urrejtjes dhe dredhisë, nga masakrat dhe shpagimet e mërive të vjetra.

Një nga djemtë e Shqipërisë që banonte në Amerikë, si e kishte quajtur veten Noli në poezinë e tij “Jepni për Nënën” kur ushtroi detyrën si Kryeministër në Shqipëri përveçse ndërmarrjes së reformave u kujdes dhe për nderimin e memories historike amerikano-shqiptare. Të hënën e datës 5 gusht, 1924 revista e njohur “TIMES” në SH.B.A botonte një lajm të shkurtër telegrafik, por shumë të rëndësishëm për Shqipërinë. “Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq. Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri në Wilson.

Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”. Në vazhdën e politikës izocionaliste që kishte përfshirë SH.B.A pas presidencës së Wilsonit (1914-1921) ka të ngjarë që ky lajm të ketë kaluar pa u vënë re nga politika amerikane.

Por edhe për politikën shqiptare të kohës që e prodhoi këtë lajm ai ishte më tepër një veprim simbolik për të shprehur mirënjohjen ndaj SH.B.A sesa veprim për të përfituar politikisht siç ka ndodhur rëndom më vonë në politikat e lobigjenve të politikanëve shqiptarëve. Në Shqipëri në fuqi si Kryeministër i vendit ishte Fan Noli, një nga djemtë e Amerikës. Ai sëbashku me Faik Konicën dhe të tjerë korifej të Vatrës kishin sjellë një erë modernizmi në politikën e kulturën politike shqiptare.

Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në vitet ‘20, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike. Nga zgjedhjet që u zhvilluan në mars të vitit 1921, vendi u përfaqësua me 78 deputetë. Që prej kësaj periudhe, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës. Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare.

Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur Këshill Kombëtar mori emrin Parlament. Si organ i vetëm legjislativ ai përbëhej nga një dhomë deputetësh të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme (votim i tërthortë). Këshilli i ri Kombëtar i filloi punimet më 21 prill 1921. Si në çdo parlament kishte një të djathtë e një të majtë (megjithëse atëhere në Shqipëri nuk përdorej një terminologji e tillë).

Ky diferencim nuk u bë që në fillim: përkundrazi, në fillim në të dyja partitë e përfaqësuara në parlament, në Partinë Popullore, të kryesuar nga Fan Noli dhe në Partinë Përparimtare, të kryesuar nga Hoxhë Kadriu kishte deputetë progresistë. Noli, i ngarkuar nga “Vatra” si deputet për në Parlamentin Shqiptar erdhi me idenë për të krijuar Partinë Kombëtare por nuk arriti dot ta realizonte. Atëherë në këto kushte vendosi të hyjë në Partinë Popullore, ku u bashkua me 28 deputetë të cilët e zgjodhën njëzëri kryetar. Vija politike e ndjekur nga Partia Popullore, ishte për kryerjen e reformave demokratike duke përfshirë jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Zgjedhja e Nolit në krye të partisë ishte tregues i besimit që kishin anëtarët e tjerë ndaj tij.

Megjithatë anëtarësimi i tij në këtë parti nuk ishte i rastësishëm. Partia Përparimtare ishte më shumë një grupim i klasës së bejlerëve që më shumë se interesat kombëtarë mbronin interesat e tyre të pronësisë. Kjo binte ndesh me idealet e Nolit, pasi ai aspironte për një parti me frymë liberale që kishte si qëllim bashkimin kombëtar dhe ndërmarrjen e reformave kundër bejlerëve veçanërisht për rindarjen e tokës. Vizioni i tij për Shqipërinë ishte i qartë. Duke menduar se vendit i mungonte bashkimi në të gjitha frontet, shikonte organizimin e shtresës së fshatarësisë si të vetmin shpëtim për të kapërcyer prirjet shpërbërëse që karakterizonin vendin.

Nga fundi i vitit 1921 dhe fillimi i 1922-së u bë një rigrupim i forcave në parlament: Partia Popullore, në të cilën e morën epërsinë Ahmet Zogu dhe elementët e lidhur me të, përfaqësonte tashmë krahun konservator, ndërsa deputetët progresistë që bënin pjesë në fillim në Partinë Popullore si dhe në Partinë Përparimtare (kjo e fundit ndërkaq u shpërnda) formuan grupin e Opozitës, emërtim ky që u përdor për herë të parë në seancat e tetorit 1922, megjithëse grupi në të vërtetë ishte kristalizuar kohë më parë. Për herë të parë gjatë kësaj legjislature u kristalizuan konceptet pozitë-opozitë si dhe debatet dhe ballafaqimet politike.

Ballafaqimi i dy forcave politike në parlament u shfaq kryesisht në dy aspekte: në përpjekjet e opozitës për të forcuar kontrollin e Këshillit Kombëtar mbi Këshillin e Lartë dhe Qeverinë, dhe në veprimtarinë legjislative. Përgjatë këtyre viteve të funksionimit të parlamentit demokratik Fan Noli sëbashku me disa deputetë si Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjahu, Gjergj Fishta, Ali Këlcyra, Hoxhë Kadriu etj. udhëhoqën procesin modernizues të shoqërisë, ekonomisë dhe jetës politike në Shqipëri. Parlamenti demokratik shqiptar 1921-1924 themeloi bazat e legjislacionit modern shqiptar në sferat administrative, ekonomike, agrare, transport dhe kulturore. Në sferën ekonomike ai miratoi ligje që avanconin përpara në mënyrë të moderuar ekonominë shqiptare drejt përafrimit me një ekonomi kapitaliste.

Arritje e shënuar në këtë drejtim ishte miratimi i “kontratës tip”, e cila detyronte pronarët e tokave të mos dëbonin ose cënonin bujqit qiramarrës, nëse këta të fundit shlyenin detyrimet kontraktore ndaj tyre. Ky ishte një hap i moderuar, por me shumë rëndësi për kohën, pasi ky ligj u kundërvihej arbitrariteteve të pronarëve, aq të përhapura në atë kohë, dhe inkurajonte marrëdhëniet kapitaliste në fshat. Një rëndësi të madhe kishte edhe ligji për vendosjen në tokat shtetërore të shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga Kosova dhe Çamëria, si dhe të bujqve pa ose me pak tokë. Nga pikëpamja kombëtare, kjo ishte një vepër e shquar me ndikim pozitiv në unitetin kombëtar dhe rritjen e atdhetarizmit, ndërsa nga pikëpamja sociale, ky ishte një hap përgatitor drejt reformimit të marrëdhënieve agrare në Shqipëri.

Po kështu në sferën ekonomike parlamenti shqiptar bëri një punë të madhe duke krijuar një legjislacion të ri shqiptar për dhënien e koncesioneve, i cili krijonte baza për zhvillimin e shpejtë ekonomik të vendit dhe për forcimin e buxhetit të shtetit e funksionimin financiar të tij. Ai përmirësoi ndjeshëm legjislacionin fiskal në vend, duke ia përshtatur atë gjendjes ekonomike të vendit si dhe nevojave financiare të shtetit të ri. Kjo ka qenë një punë shumë voluminoze dhe e rëndësishme për të jetësuar funksionimin e shtetit të ri e të varfër shqiptar në kushte tepër të vështira të fillimeve të jetës së tij. Madje, ai bëri edhe disa sprova të para për reformimin e sistemit tatimor drejt një modeli më të avancuar, ku spikasnin përpjekjet për reformimin e tagrave doganore, vergjisë dhe të dhjetës. Nuk mbeti jashtë vëmendjes reformimi i sferës juridike shqiptare që deri në atë kohë përdorte ligjet osmane.

Në sferën juridike, ai bëri ndryshime me rëndësi në kodet e mëparshme civile, penale të trashëguara nga periudha osmane dhe, mbi të gjitha, krijoi një sistem efektiv gjyqësor, i cili dha një kontribut të madh në paqtimin e vendit, në jetësimin e lirive dhe të drejtave juridike të qytetarëve dhe në krijimin e besimit tek popullsia për funksionimin e shtetit në bazë të ligjeve. Transporti dhe komunikacioni mes qyteteve shqiptare dhe botës u reformua përmes miratimeve të akteve me rëndësi që e anëtarësuan Shqipërinë në rrjetin botëror të komunikacioneve. Në sferën kulturore dhe arsimore, ai krijoi bazat ligjore të zhvillimit të një arsimi dhe kulture me përmbajtje e shpirt kombëtar dhe me orientim progresiv.

Në të njëjtën kohë parlamenti shqiptar përmes debateve parlamentare kontribuoi në themelimin e etikës administrative dhe qytetare që janë frymëzuese dhe sot. Ngjarjet që pasuan në Lëvizjen e Qershorit 1924 u perceptuan nga bashkëkohësit si një betejë mes të vjetrës dhe së resë, koservatorizmit dhe liberalizmit demokratik për të ndërmarrë një sërë reformash ekonomike dhe shoqërore nën modelin e urbanizimit të shteteve të Ballkanit pas rënies së Perandorisë Osmane dhe kapërcimin e hendekut ndarës ndaj zhvillimeve politike, ekonomike dhe kulturore në kontinentin e vjetër sesa një shndrrim pushteti përmes revoltës. Faik Konica në kabllogramin e dërguar në emër të Vatrës në 30 dhjetor 1924 në Hotelin Windsor në Bari ku Noli qëndronte pas largimit të detyruar të tij nga Shqipëria shkruante se “luftuat një betejë fisnike për përparimin, qytetërimin e indipendencën e Shqipërisë. Me kohë dhe me largim, populli shqiptar ka për ta çmuar më mirë çkini bërë për të… Që u mundët është faji i bashkëpunëtorëve tuaj, të cilët duken aq qesharakë, sa dukeni i madh”.

Misioni misionar i ndriçimit të kombit

Shqipëria si vend, me shtresëzimet e veta sociale ka habitur, jo vetëm të huajt që kanë shkruar për karekterin e veçantë të shqiptarëve në raport me popullsitë e tjera në Ballkan por edhe vet politikanët që kanë udhëhequr dhe përfaqësuar për momente të caktuara vullnetin e shqiptarëve. Duket se mungesa e jetesës së gjithë popullsisë nën një influencë të vetëm shtetërore e fetare, kapërcimi i rendeve të ndryshëm shoqërorë pa u thelluar aspak në asnjërin prej tyre, traditat e ndryshme të pushteteve politikë, administrativë e gjyqësorë duke filluar nga ai i despotëve të pavarur bizantinë, traditës venedikase me Këshillin e të dhjetëve, pushtetit lokal të venomeve dhe Kanuneve, dhe pushtetit perandorak otoman nën presionin e një modernizimi të ethshëm të ardhur nga Europa, kanë krijuar klimën e veçantë sui generis të shqiptarëve dhe sjelljeve të tyre sociale. Fan Noli si njohës i mirë i habitatit politik dhe social të Shqipërisë, ish-ministër e ish-kryeministër, shkrimtar e historian, në një bisedë me Eqerem bej Vlorën ia përshkruante kështu përvojat e tij nga qeverisja e bashkëpatriotëve të vet.

“Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.”

Politikat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë në vitet 1921-1924 i përcaktoi në masë të konsiderueshme vizioni historik i Fan Nolit dhe shtrembërimi i vullnetshëm i këtij vizioni nga ana e konservatorëve feudalë shqiptarë. Autoriteti moral i Fan Nolit në politikën shqiptare në vitet ‘20 buronte nga udhëheqja e suksesshme që ai i kishte bërë betejës kulturore dhe politike në SH.B.A, për të arritur ringjalljen e Shqipërisë së pavarur. Më vonë, si ministër i punëve të jashtme dhe si kreu i shtetit për një periudhë gjashtëmujore me anë të tentativave diplomatike dhe kulturore ai u përpoq të përvijonte për shtetin e rithemeluar kufijtë e Shqipërisë, pra, si rrjedhim popullsinë shqiptare kudo ku banonte pavarësisht kufijve administrativë.

Pavarësisht largimit të tij të detyruar, Fan Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë përsa i përket atdhedashurisë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin miserabël që kishin ndërtuar “dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru” si do t’i cilësonte kundërshtarët e tij politikë në poezinë himn “Marshi i Barabajt”. Fan Noli në emigracion vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Mirëpo pavarësisht këtyre kontributeve të mëdha, ndjekjet e atyre që se deshën e përndoqën deri kur do të vendosej në Amerikë në 1932, ku hapnin fjalë se peshkopi që kish synuar reforma në vendin e vet ishte një Peshkop i “kuq”. Fan Noli u rikthye në SH.B.A në vendin ku jo vetëm ishte shuguruar Peshkop i Kishës Shqiptare por edhe ishte formuar si personalitet nga pikëpamja politike dhe kulturore.

Maratonomaku i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane për Nolin do të ishin të një rëndësie të veçantë përgjatë gjithë jetës së tij. Në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Noli do të riaktivizohet politikisht për të kontribuar në njohjen e qeverisë së re shqiptare dhe vendosjen e marrëdhënieve dipomatike me SH.B.A-në. Qeveria Demokratike e Përkohshme, e krijuar në Berat më 20 tetor 1944, ishte një qeveri që përfaqësonte F.N.Ç dhe Partinë Komuniste Shqiptare, që e udhëhiqte këtë front.

Formimi i kësaj qeverie të njëanshme nuk u prit mirë nga grupimet nacionaliste, që ende operonin në terren të përfaqësuara nga Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit, por ajo gjeti një farë mbështetje në rrymat politike të emigracionit shqiptar. Kështu, kërkesën e Qeverisë të Përkohshme Demokratike drejtuar nga Berati, qeverive të Aleatëve të Mëdhenj, e mbështetën menjëherë organizata “Vatra” në SH.B.A e kryesuar nga Fan Noli dhe “Komiteti i Shqipërisë së Lirë”.

Në emër të këtij të fundit, në Londër, më 30 tetor 1944, Tajar Zavalani i dërgoi një letër Idenit, Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme, në të cilën i kërkonte njohjen e Qeverisë së Përkohshme të Enver Hoxhës dhe udhëheqjen e procesit për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit të Kombeve të Bashkuara. Kjo mbështetje e emigracionit shqiptar lidhej me sa duket me dijenë e ekzistencës, së opinioneve të aleatëve për të ardhmen e Shqipërisë. Në të vërtetë planet e Aleatëve për rregullimin e Ballkanit dhe në veçanti për Shqipërinë nuk ishin inkurajuese. Planet e rregullimit të Ballkanit dhe së ardhmes politike të Shqipërisë bënin fjalë për opsione të ndryshme që përfshinin shkëputje territoresh të ndryshme për të kënaqur fqinjët e Shqipërisë, bashkime në konfederata me Jugosllavinë e Bullgarinë e deri dhe te pavarësi të kushtëzuar.

Për emigracionin shqiptar dhe Fan Nolin ishte shqetësues fakti që Shqipëria nuk ishte thirrur si vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, edhe pse kishte qenë një nga viktimat e para të agresionit fashist. Në këtë rast dhe raste të tjera, Noli nuk do të mënonte të mbështeste çfarëdolloj iniciative që garantonte kufijtë e Shqipërisë dhe një stabilitet politik të saj po aq sa nuk do të ngurronte ta qortonte qeverinë komuniste të Tiranës në vitet 1946-1950, kur kjo qeveri nuk rivendosi marrëdheniet diplomatike me SH.B.A, për shkakun absurd të mosnjohjes së traktateve të nënshkruara para luftës. Për këtë arsye, disa herë ai komunikoi me udhëheqjen komuniste shqiptare nëpërmjet disa telegrameve. Noli këmbëngulte se për t’u pranuar në OKB dhe për të shmangur rrezikun grek, Shqipërisë i duhej patjetër të kishte marrëdhënie të mira me aleatët britanikët dhe amerikanët. Pranimi i Shqipërisë në OKB do siguronte një njohje kolektive të qeverisë shqiptare dhe rrjedhimisht, edhe sigurimin e tërësisë së saj territoriale. Në këtë kontekst, në mesazhin dërguar Enver Hoxhës, ai sugjeronte “pranimin e menjëhershëm të traktateve, i cili do të sillte automatikisht njohjen amerikane, pranimin në OKB dhe mundësinë për të mbrojtur me sukses integritetin e Shqipërisë.” Mirëpo qeveria shqiptare vazhdonte të shprehte rezervat e veta për sa i përket pranimit të traktateve të nënshkruara para 7 prillit 1939 me SHBA Këto rezerva, që në thelb, ishin qëndrime izolacionaliste.

Ato shprehnin frikën dhe dyshimin ndaj perëndimorëve, por edhe tutelën diplomatike të vendosur nga Jugosllavia. Emigracioni shqiptar në Amerikë, Fan Noli dhe “Vatra”, qenë të pakënaqur nga delegacioni shqiptar i kryesuar nga Tuk Jakova dhe mënyra se si e ushtronte politikën e jashtme të Shqipërisë në kërkesën e saj për t’u anëtarësuar në OKB. Noli, duke parë mos reflektimin e qeverisë shqiptare për çështjen e traktateve, i shkroi një letër Enver Hoxhës më 30 shtator 1946. Në letër theksonte: U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim dhe pa kondita sepse kjo është vetëm një çështje formule, pa rëndësi praktike.

Në fakt, Shqipëria nuk cënohej asgjëkund, nëse pranoheshin traktatet. Duket se ishte një frikë e ekzagjeruar dhe e imponuar prej jugosllavëve dhe sovjetikëve, sesa një realitet që më shumë do të ndikonte keq në ekonominë shqiptare. Vladimir Didejer, historian dhe njeri i afërt i Titos, pas prishjes shqiptaro-jugosllave do të shprehej në librin e vet, “Marrëdhëniet Shqiptaro-jugosllave 1939-1948”, të botuar në Beograd më 1949 se në qoftë se qeveria shqiptare do t’i kishte pranuar kushtet e traktateve, “qarqet financiare amerikane do ta kishin skllavëruar ekonomikisht Shqipërinë, përfundimisht.”

Ky përfundim tingëllonte ironik, jo vetëm për faktin se Jugosllavia i kishte pranuar të gjitha traktatet për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me SHBA, por edhe sepse vetë Enver Hoxha deklaronte në pleniumin VI të PKSH, në prill 1946, se votimi i delegatit amerikan kundër pranimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara lidhej me mospranimin e disa traktateve dypalëshe dhe sidomos, me atë të vitit 1922, për kombin e favorizuar, i cili praktikisht nuk ka gjetur zbatim”, ndërkohë u bënte të ditur të pranishmëve që të njëjtat traktate ishin pranuar nga Çekosllovakia dhe Jugosllavia.

Pra dukej qartë edhe sipas fjalëve të Hoxhës, që mosmiratimi i traktateve dhe varësia ekonomike e Shqipërisë nga SH.B.A ishte më shumë një pretekst për të mos normalizuar marrëdhëniet ose në rastin më të mirë, për të imponuar kufizime ndaj Misionit Civil Amerikan. Për 45 vjet më radhë Shqipëria dhe SHBA nuk do të kishin marrëdhënie diplomatike dhe kësisoj Shqipëria ishte i vetmi vend në Lindjen komuniste që kish refuzuar vendosjen e marrëdhenieve diplomatike me SHBA pas Luftës së Dytë Botërore.

Reformatori i jetës shpirtërore të shqiptarëve

Kur e pyesnin Fan Nolin sa ishte gjallë se kush ishte vepra e tij më e madhe, ai gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare edhe pse vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve. Një propozim i ardhur nga radha e intelektualëve patriotë ortodoksë në 1908, të cilët vuanin faktin se përveç që shqipja ndalohej nga autoritetet osmane, ata nuk mund ta praktikonin gjatë liturgjisë fetare, sepse ndalohej nga autoritetet kishtare greke, krijoi premisat e fillimit të punës titanike të Nolit për themelimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare.

Shqiptarët në fillim të shekullit XX u ndodhën përpara një dileme, nëse duhej të ruanin statusquo-n në gjendjen fetare në Shqipëri apo duhej të përqafonin një degë tjetër të kristianizmit që kështu të hiqnin qafe ndikimin grek dhe të fitonin proteksionin e fuqive dhe popujve të perëndimit?” . Për këtë dilemë pati dy versione, gazeta “Kombi” e Bostonit propozoi “kthimin e shqiptarëve në ortodoksë unikë, domethënë të ruhej liturgjia ortodokse por të njihej Papa si udhëheqës suprem shpirtëror” , një rast i tillë ishte popullsia e Shpatit në Elbasan, kurse shoqëria shqiptare e Egjiptit mbështeste “konvertimin në protestantizëm, e cila jo vetëm kishte pasues të fortë në perëndim por gjithashtu, duke qenë gjë e re në Shqipëri, mund të tërhiqte pasues nga të tre fetë.”

Siç kuptohet dhe nga pyetjet dhe dilemat e ngritura identitetet e veçanta fetare kanë qenë një pengesë serioze për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe klasa intelektuale shqiptare ishte gati të bënte dhe kompromise të këtij lloji, të cilat natyrisht nuk dihet nëse do të priteshin mirë apo përqafoheshin nga populli i thjeshtë. Në fakt shqiptarët, nuk ishin të përgatitur për veprime të tilla, pasi ata nuk ishin aq të pjekur politikisht sa të ndërmerrnin një hap të tillë, ndaj në lëvizjen kombëtare shqiptare zuri vend më shumë propozimi i Fan Nolit, i cili nuk e shikonte problemin në ekzistencën e tre feve, por në faktin që “asnjëra nga besimet e njohura në Shqipëri nuk praktikohej në gjuhën shqipe dhe klerikët qenë armiq me njëri-tjetrin” .

Më andej Noli shtonte se “fatkeqësia nuk qëndron aq shumë në ndryshimin e feve sesa në krerët fetarë. Ata nuk duhen të jenë të huaj, por shqiptarë dhe patriotë” . Këtu zë fill projekti i Nolit, i cili themeloi Kishën Autoqefale Ortodokse shqiptare, duke e shkëputur nga ndikimi grek dhe u duke u dhënë një shembull të mirë edhe shqiptarëve të besimeve të tjera sesi mund të fitonin pavarësinë shpirtërore dhe forcimin e vetëdijes së tyre kombëtare.

Përfundime

Përvjetorët e Fan Nolit janë gjithmonë data të shënuara përkujtimore që risjellin në memorien e kombit rrugët e vështira të simbiozës së idesë kombëtare, lëvrimit të gjuhës e letërsisë shqipe e modernizimit të shtetndërtimit shqiptar. Noli për Faik Konicën do të ishte “Padyshim, shkrimtari i sotëm shqiptar më i rëndësishëm, reformator i kishës, gojëtar, udhëheqës politik, kompozitor muzike dhe njeri me shumë dhunti të tjera, i cili ka botuar përkthimin shqip të disa pjesëve të Shekspirit”. Përmendja e disa prej disiplinave të ndryshme të dijes saktëson mendimin e pranuar prej kohësh se Fan Noli është figura e parë poliedrike e mendimit shqiptar.
Bibliografi:

Burime Arkivore

1- PRO 1944. FO 371/43558
2- AMPJ, viti 1946, dos,144, fl.122, Telegram i Nolit dërguar H. Kapos në Beograd, 22 mars, 1946.
3- AMPJ, viti 1946, dos.61. Letër e Fan Nolit për general E. Hoxhën, kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë, 260 Blagden Strret, Boston 16, Mass, 30 shtator 1946.
Libra
1- EqeremVlora. Kujtime 1885-1925, IDK, Tiranë, 2010.
2- Faik Konica. Vepra të zgjedhura, Dituria, Tiranë, 1994.
3- Genc Durrësi, Kasem Durrësi atdhetar dhe demokrat,Tiranë: Globus-R, 2009.
4- Hamit Kaba. Nga lufta në paqe, Shqipëria dhe SH.B.A (1939-1946). Akademia e Studimeve Albanologjike, Institituti i Historisë, Tiranë, 2021.
5- Hamit Kaba, Kufijtë e Shqipërisë në projektet e Aleatëve të Mëdhenj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria dhe të Mëdhenjtë, Tiranë: Klean, 2016.
6- Kristo Frashëri, Shqipëria në Konferencën e Paqes në Paris 1946 (vështrim historik), Tiranë: Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2015.
7- Nasho Jorgaqi. “Jeta e Fan S. Nolit, Vellimi II, Ombra GVPaskal Milo, Të vërtetat e fshehura. Incidenti i Kanalit të Korfuzit, Tiranë: Botimet “Toena”, 2010.
8- Rudina Mita, Hysen Kordha, Pluralizmi politik shqiptar gjatë periudhës 1914-1924, Rama Graf, Tiranë, 2011
9- Stavro Skëndi. Zgjimi kombëtar i shqiptarëve. Tiranë : Phoenix : Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, 2000.
Revista
1- Shqipëria e Re, 1 prill 1921
2- Revista TIMES, 5 gusht 1924.

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.