
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i dorëzon Shkollës së Magjistraturës manualin për hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimeve publike
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i dorëzoi Shkollës së Magjistraturës manualin për hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimeve publike për gjyqtarët dhe prokurorët, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit gjyqësor për trajtimin efektiv të veprave penale komplekse që lidhen me prokurimin publik.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i dorëzoi Shkollës së Magjistraturës manualin për hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimeve publike për gjyqtarët dhe prokurorët, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të sistemit gjyqësor për trajtimin efektiv të veprave penale komplekse që lidhen me prokurimin publik.
Manuali ofron udhëzime praktike për gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë të fushës së drejtësisë lidhur me identifikimin, hetimin dhe gjykimin e veprave penale që lidhen me prokurimin publik, duke u mbështetur në kuadrin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe në praktikën gjyqësore përkatëse.
Një ekstrakt i Manualit në gjuhën angleze, i fokusuar në praktikat më të mira ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik, ofron njohuri krahasuese drejtuar një audience sa më të gjerë në shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së.
Së bashku, këto botime synojnë të forcojnë integritetin, të promovojnë qëndrueshmërinë në vendimmarrjen gjyqësore dhe të rrisin llogaridhënien, duke kontribuar në reformat e vazhdueshme kundër korrupsionit në Shqipëri dhe duke pasqyruar angazhimin e OSBE-së për mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit.
Duke folur në ceremoninë e dorëzimit, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, theksoi se sistemet e qëndrueshme të prokurimit publik janë thelbësore për qeverisjen e mirë dhe besimin e publikut.
“Shpresojmë që ky botim të bëhet pjesë e moduleve të trajnimit, të nxisë debatin profesional dhe të kontribuojë për një praktikë gjyqësore të qëndrueshme dhe sa më cilësore gjatë hetimit dhe gjykimit të veprave penale në fushën e prokurimit publik. Forcimi i reagimit gjyqësor ndaj shkeljeve ekonomike dhe atyre të lidhura me korrupsionin mbetet thelbësor për përparimin e reformave në Shqipëri”, u shpreh ambasadori Tarran.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi e mirëpriti nismën, duke theksuar se materiali i specializuar është thelbësor, duke pasur parasysh kompleksitetin në rritje të legjislacionit të prokurimit dhe procedurave përkatëse penale dhe administrative.
“Ky manual përbën një kontribut të rëndësishëm në teorinë dhe praktikën e hetimit dhe gjykimit të veprave penale në fushën e prokurimit publik. Ajo që e dallon këtë manual nga publikimet e tjera të kësaj natyre është qasja e saj gjithëpërfshirëse dhe ndërdisiplinore që kombinon me mjeshtëri tre dimensione thelbësore: dimensioni parandalues, dimensioni hetimor dhe dimensionin gjyqësor. Përtej vlerës së tij si referencë për praktikuesit aktualë, ky manual ka një rëndësi të madhe formuese. Ai duhet të bëhet pjesë në programet e trajnimit të Shkollës së Magjistraturës. Ky manual është pikërisht një nga ato përpjekje që na japin shpresë se, me angazhim profesional, me shkencë dhe me vendosmëri, ne mund ta bëjmë sistemin tonë të drejtësisë më të fortë dhe më efikas në shërbim të drejtësisë dhe të interesit publik”, u shpreh Rakipi.
Në procesin e hartimit të Manualit u përfshinë ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si edhe për këtë qëllim u zhvilluan konsultime me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe organeve të tjera përkatëse.
Ai pasqyron angazhimin afatgjatë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të mbështetur reformën në drejtësi, për të forcuar kapacitetet profesionale dhe për të promovuar integritetin dhe transparencën në institucionet publike, punë të cilën do të vijojë ta kryejë në partneritet me sektorin e drejtësisë në Shqipëri.
Burimi ATSH


















