Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj – Një simbiozë e rrallë e jetës artistike shqiptare!

Bashkëpunim i suksesshëm në dokumentarin “Nikolla i Zemrës së Tiranës”


Nga Skënder Jaçe
Producenti i Filmit

Në jetën e përditshme duken të thjeshtë, pothuaj si dy zogj në heshtjen e tyre, por në art përbëjnë një nga simbiozat më jetëgjata dhe më domethënëse të kulturës shqiptare.

Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj janë një bashkëudhëtim njerëzor dhe artistik që zgjat prej më shumë se gjysmë shekulli, një dialog i pandërprerë mes fjalës dhe imazhit, mes poezisë dhe kinemasë.

Një jetë e tërë në krijimtari, duke fiksuar në vepra momentet e vështira, por edhe ato të bukura të jetës shqiptare.

Bashkëpunimi në realizimin e filmit dokumentar “Nikolla i Zemrës së Tiranës” ishte një kënaqësi profesionale: Natasha Lako ndërtoi skenarin me ndjeshmërinë dhe thellësinë që e karakterizon, ndërsa Mevlan Shanaj e ktheu atë në imazh, me përvojën e një regjisori me rrugëtim të gjatë në këtë industri.

Shanaj është një regjisor i përkushtuar dhe skrupuloz deri në detaje të vogla, ndoshta të padukshme për syrin e zakonshëm të spektatorit. Ai dallohet veçanërisht për ndërtimin e karakterit të personazhit dhe për një nuhatje artistike të admirueshme, duke i dhënë filmit liri, frymëmarrje dhe nota poetike.

Nuk nxitohet kurrë. Si furra e bukës që e pjek brumin ngadalë, për t’i dhënë shijen dhe ngjyrën e duhur, ashtu edhe Mevlani i shmang planet parazitare, si gjatë xhirimeve ashtu edhe në procesin e montazhit.

Këtu vjen ndër mend këshilla e Charlie Chaplinit, një prej etërve të kinemasë botërore: se regjisori nuk duhet kurrë të bjerë dakord me veten për plane të kota apo të stërzgjatura, sepse përndryshe bëhet pjesë e shkatërrimit të filmit të tij. Pikërisht për këtë arsye, filmat e Mevlan Shanajt dallojnë qartë nga njëri-tjetri. Ai nuk është i njëjtë te “Rikard” apo “Ndrek Luca”, te “Koha e Pelikulës – Xhanfize Keko”, “Vangjush Furxhi”, “Rrugët” e shumë të tjerë.

Shanaj futet thellë në universin e personazhit që portretizon: lexon, studion, pyet, jeton me të. Ai hyn në “lëkurën” e subjektit dhe pikërisht për këtë arsye, karakteret që ndërton kanë peshë, vërtetësi dhe kujdes artistik.

Edhe në filmin e fundit, “Nikolla i Zemrës së Tiranës”, ai e humbi gjumin deri në përfundimin e tij. Shqetësimi dhe diskutimi i përditshëm ishte figura e Nikolla Zoraqit. Dhe ia doli, duke sjellë në ekranin e madh një histori të bukur shqiptare, që hedh dritë mbi një nga figurat e shquara të pentagramit tonë.

Dita e premierës është gjithmonë emocioni më i madh për një artist. Duartrokitjet e gjata në fund të filmit, përqafimet, urimet dhe dëshira e publikut për të bërë një fotografi me autorët, ishin dëshmia më e sinqertë e suksesit të kësaj vepre.

Filmi, falë skenarit të shkruar mjeshtërisht nga shkrimtarja, poetja dhe publicistja e njohur Natasha Lako, fitoi një dimension të ri artistik.

Siç dihet, skenari është gjuha e filmit. Me një tekst të ndjerë, të lexuar me mjeshtëri nga vetë Mevlan Shanaj, publiku u përfshi në një qetësi absolute, duke ndjekur me vëmendje këtë vepër filmike në një sallë të mbushur plot, si rrallëherë.

Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj kanë dhënë prova në dhjetëra filma artistikë dhe dokumentarë, duke dëshmuar se dinë të bëjnë kinema të vërtetë. Ata janë shkollë më vete, një portë e hapur për brezat e rinj që duan të mësojnë dhe të kuptojnë artin e kinemasë përmes veprave të tyre.
Ju jeni aset, jeni vlerë.
Faleminderit që ekzistoni.

Rama: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin e tyre

Kryeministri Edi Rama, reagoi sot ndaj një mesazhi kritik të publikuar nga një qytetar nga Tetova, duke ritheksuar qëndrimin e…

Global 360

SHBA-ja dhe Irani shpallin marrëveshje kornizë për paqen, pritet rihapja e Ngushticës së Hormuzit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë njoftuar arritjen e një marrëveshjeje kornizë për paqen, e cila pritet të…

Diplovista

Rama për “Associated Press”: Ende s’ka projekt për Zvërnecin, ka shumë ‘gjysmë të vërteta’ që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Associated Press (AP), theksoi se do të ecë përpara me projektin luksoz, i…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin e tyre

Kryeministri Edi Rama, reagoi sot ndaj një mesazhi kritik të publikuar nga një qytetar nga Tetova, duke ritheksuar qëndrimin e…