Davos 2026 – “Shpirti i dialogut” dhe humnera e realitetit

Davos, ka qenë dëshmitar i shumë momenteve historike dhe ka qenë prej kohësh një pikë referimi për botën si një hapësirë nga i cili mund të vëzhgohet ekonomia globale, dhe në 2026 gjithnjë e më qartë, mund të shihet dobësimi i rendit ndërkombëtar të pasluftës

A camera man is seen on the final day of the Annual Meeting of the World Economic Forum in Davos, Switzerland, Friday, Jan. 23, 2026. (AP Photo/Markus Schreiber)

Nga Dr. Marsela Musabelliu

Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit (AIGS)

Davos, ka qenë dëshmitar i shumë momenteve historike dhe ka qenë prej kohësh një pikë referimi për botën si një hapësirë nga i cili mund të vëzhgohet ekonomia globale, dhe në 2026 gjithnjë e më qartë, mund të shihet dobësimi i rendit ndërkombëtar të pasluftës. Këtë vit, atmosfera ishte ndryshe. Në korridoret e forumit ndjehet tension, mosbesim dhe pasiguri strategjike. Pas pothuajse tetë dekadash aleance të ngushtë pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara po përballen me sfida të hapura, të shprehura përmes kërcënimeve tarifore, retorikës agresive dhe rikthimit të politikës së fuqisë dhe forcës.

Tensioni kulmoi kur presidenti amerikan përdori skenën e Davosit për të vënë në dyshim NATO-n, për të akuzuar Evropën për “mungesë mirënjohjeje” dhe për të rihapur pretendimet mbi Grenlandën — pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme nga Danimarka, Brukseli dhe disa kryeqytete evropiane. Disa delegatë refuzuan të qëndronin në sallë, duke parë fjalimin si një jehonë shqetësuese të politikës imperialiste, jo si diplomaci konstruktive. Ajo që dikur dukej si partneritet tani ndihet si një cikël i keq i kërcënimeve dhe pasigurive. Evropa, pas përpjekjeve për qasje të butë dhe diplomaci të heshtur, tani duket sikur po tregon vendosmëri, duke deklaruar gatishmërinë për të vepruar me një zë dhe vendosmëri nëse është e nevojshme. Por pyetjet kyçe mbeten: A është ky thjesht teatër politik, apo fillimi i një ristrukturimi strategjik të thellë transatlantik dhe rrjedhimisht global?

Ndërsa besimi po shkatërrohet, bota kërkon me ngut forca të reja stabiliteti. Në këtë kontekst, tema qendrore e forumit, “Shpirti i Dialogut”, nënvizoi nevojën urgjente për rikthimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

Kina në Davos


Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng në Davos, 20 janar 2026/Foto nga CMG

Në Davos Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng, një anëtar i lartë i Byrosë Politike të PKK-së dhe një nga politikëbërësit më të arrirë ekonomikë të vendit, mbajti një fjalim kryesor duke përfaqësuar qëndrimin e Kinës mbi bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik. Si Zëvendëskryeministër, ai është përgjegjës për çështjet ekonomike dhe angazhimin ekonomik të jashtëm, dhe vërejtjet e tij pasqyrojnë mendimin e gjerë dhe strategjik të Pekinit se si të përballohen tensionet gjeopolitike në rritje dhe modelet e reja tregtare.

Duke kujtuar fjalimin historik të Presidentit Xi në Davos të vitit 2017, ai demonstroi në mënyrë efektive se si Kina jo vetëm që e ka artikuluar, por edhe e ka zbatuar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj multilateralizmit dhe tregtisë së lirë, duke e shndërruar vizionin në veprim. Referenca e tij ndaj katër nismave globale të propozuara nga Presidenti Xi theksoi se si Kina vazhdon të ofrojë zgjidhje praktike për sfidat e përbashkëta globale, duke e pozicionuar veten si një palë e interesuar, përgjegjëse dhe proaktive në çështjet ndërkombëtare.

Në këtë linjë ai përmendi mesazhin se globalizimi nuk mund të kthehet pas dhe se është një trend historik që sjell përfitime për të gjitha vendet kur udhëhiqet nga bashkëpunimi. He theksoi se Kina vazhdon të mbështesë një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës dhe të dobishëm për të gjithë. Duke pranuar mangësitë e sistemit, ai paralajmëroi se luftërat tregtare dhe fragmentimi ekonomik nuk kanë fitues dhe minojnë prosperitetin. Qasja e Kinës, shpjegoi ai, është të mbështesë tregtinë e lirë, liberalizimin dhe lehtësimin e investimeve, duke siguruar që mundësitë e zhvillimit të ndahen me vendet e tjera. Ai përmendi respektimin e vazhdueshëm nga Kina për rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.


Qytet Shangai, Kinë Lindore/Foto nga VCG

Në kontekstin e vitit 2026, ky fjalimi e shfaq Kinën si forca më stabilizuese në kohët që jetojmë. Reforma e brendshme e Kinës, zgjerimi i tregut konsumator dhe zhvillimi i bazuar në inovacion janë mundësi për vendet e tjera për të përfituar, jo për të konkurruar. Zv/Kryeministri përmendi progresin e qëndrueshëm ekonomik të Kinës, me ritme rritjeje prej rreth 5.4% në vit, kontributin e saj prej afërsisht 30% në rritjen globale, dhe importet e vazhdueshme të mallrave dhe shërbimeve.

Përkushtimi i Kinës ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit teknologjik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fusha të reja si inteligjenca artificiale dhe industritë e ulëta në karbon theksojnë më tej faktin se Kina është një partner dhe jo një rival. Edhe kur lindin sfida dhe mosmarrëveshje, si në marrëdhëniet ekonomike me Shtetet e Bashkuara, ai theksoi se respekti reciprok, konsultimi dhe dialogu mund të menaxhojnë dallimet në mënyrë paqësore dhe konstruktive.

Jo “ligjit të xhunglës”

He Lifeng paralajmëroi kundër një bote të qeverisur nga “ligji i xhunglës.” Duke folur në një moment kur gjeopolitika është gjithnjë e më e tensionuar, ai theksoi rëndësinë e rregullave ndërkombëtare. “Një grusht vendesh nuk duhet të gëzojnë privilegje bazuar në forcën e tyre dhe bota nuk duhet të kthehet në ligjin e xhunglës, ku i forti do të hajë të dobëtin. Çdo vend ka të drejtë të mbrojë të drejtat dhe interesat e tij legjitime” tha ai. Të gjitha kombet kanë të drejtën sovrane për të mbrojtur interesat e tyre legjitime, duke paralajmëruar se veprimet e njëanshme dhe marrëveshjet ekskluzive tregtare nga vende të caktuara minojnë parimet e barazisë dhe bashkëpunimit që mbështesin sistemin ekonomik aktual.

“Që nga viti i kaluar, luftërat tarifore dhe tregtare kanë shkaktuar tronditje të konsiderueshme në ekonominë botërore dhe kanë paraqitur sfida serioze për multilateralizmin dhe tregtinë e lirë”, tha zëvendëskryeministri kinez. Ndërsa globalizimi ekonomik nuk është i përsosur dhe mund të shkaktojë disa probleme, asnjë vend nuk mund ta refuzojë plotësisht atë dhe të tërhiqet në izolim.


Porti Qingdao, Kinë Lindore/Foto nga VCG

Lidhur me marrëdhëniet Kinë-SHBA, He tha se konsultimet e fundit kanë ndihmuar në stabilizimin e lidhjeve ekonomike, duke nënvizuar se bashkëpunimi u sjell dobi të dyja palëve, ndërsa konfrontimi çon në humbje. Dallimet midis vendeve, tha ai, duhet të menaxhohen përmes dialogut të barabartë dhe jo antagonizmit. “Kina është një partner tregtar, jo një rival,” tha ai, duke shtuar se zhvillimi i Kinës duhet të shihet si një mundësi dhe jo si një kërcënim.

Tregti dhe partneritet

Unilateralizmi dhe tensionet gjeopolitike po përshpejtojnë ndryshimet e papara në një shekull, duke minuar sistemin tregtar shumëpalësh dhe duke prishur zinxhirët globalë të furnizimit. Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se fragmentimi ekonomik mund ta ulë prodhimin global me rreth 7%. He riafirmoi mbështetjen e Kinës për një sistem tregtar shumëpalësh të bazuar në rregulla, të përqendruar në OBT, duke kritikuar masat tregtare unilaterale që shkelin rregullat ndërkombëtare dhe dobësojnë qeverisjen ekonomike globale. Ai tha se Kina do të vazhdojë të mbështesë reformat e institucioneve shumëpalëshe, përfshirë OBT-në dhe FMN-në, për të rritur drejtësinë dhe përfaqësimin për vendet në zhvillim.

Ai theksoi gjithashtu fokusin e Kinës në inovacion, inteligjencë artificiale dhe zhvillim të gjelbër, duke vënë në dukje se vendi ka sistemin më të madh të energjisë së rinovueshme në botë dhe është zotuar të arrijë maksimumin e emetimeve të karbonit para vitit 2030 dhe të arrijë neutralitetin e karbonit deri në vitin 2060.


Turistë të huaj në Tempullin e Qiellit, Pekin/Foto nga VCG

Kina, tha ai, është gati të thellojë bashkëpunimin në qeverisjen e inteligjencës artificiale, veprimin ndaj klimës dhe financat e gjelbra, dhe ftoi bizneset globale të marrin pjesë në tranzicionin e saj të drejtuar nga inovacioni dhe me karbon të ulët.

Kina ofron siguri mes pasigurisë globale. Pozicionet e qëndrueshme të Kinës i ofrojnë botës mundësi për rritje të përbashkët. Hapja e vazhdueshme e tregjeve të kapitalit, së bashku me përdorimin në rritje të monedhës kineze në tregti, investime dhe si monedhë rezervë, po hedh një themel të fortë për rritjen ekonomike të Kinës.

He përmendi qëndrimin themelor të Kinës mbi multilateralizmin dhe tregtinë e lirë. Ky nuk është vetëm qëndrimi i Kinës, por përfaqëson edhe qëndrimin e shumicës së vendeve në botë. Ekonomia globale është e ndërvarur; asnjë vend i vetëm nuk zotëron gjithçka. Është e nevojshme që vendet të promovojnë politika universalisht të dobishme dhe gjithëpërfshirëse për të ruajtur zhvillimin e ekonomisë globale.

Udhëheqja kineze përcjell vazhdimisht një mesazh të qartë se bota është e ndërlidhur, të gjitha vendet janë të ndërvarura dhe ndajnë një fat të përbashkët, njësoj si pasagjerët në një anije të madhe.

Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng dërgon mesazhin e Pekinit në Davos se zhvillimi i Kinës është një mundësi, jo një kërcënim, dhe Kina është e gatshme të shfrytëzojë avantazhet e saj në treg dhe të ndajë mundësitë e saj me vendet e tjera.

Në Davos u trajtua roli i ekonomisë së Kinës në një botë në ndryshim. Veçanërisht, ai shprehu gatishmërinë që Kina të shërbejë jo vetëm si një qendër prodhimi (fabrika e botës), por edhe si një destinacion kryesor për mallrat globale (tregu i botës), duke theksuar gatishmërinë e saj për të zgjeruar importet dhe për të hapur tregun e saj më fuqishëm për partnerët globalë. Ky mesazh dërgon një sinjal të qartë: Kina është e përkushtuar si për pjesëmarrjen në zinxhirët globalë të furnizimit edhe për krijimin e një angazhimi ekonomik të dobishëm që mbështet kërkesën ndërkombëtare.

Një pozicionim i tillë është më shumë sesa retorikë. Ai pasqyron një njohje strategjike të strukturës ekonomike në zhvillim të Kinës dhe rolit të saj në rritje si një qendër konsumi dhe inovacioni. Duke theksuar rëndësinë e aksesit në treg dhe hapjes, Kina po i siguron investitorët ndërkombëtarë dhe partnerët tregtarë, se bashkëjetesa me një ekonomi të madhe dhe dinamike kineze mund të jetë konstruktive dhe jo konkurruese.


Foto nga VCG

Së fundmi, Davos 2026 na kujtoi se e ardhmja e rendit ndërkombëtar do të shkruhet nga aftësia e vendeve për të punuar së bashku për zgjidhje konkrete për problemet e kohës. Zhvillimi nuk duhet të jetë një lojë ku dikush fiton dhe dikush humbet. Përkundrazi, të gjithë duhet të kontribuojnë dhe të marrin pjesën e tyre të drejtë. Ideja është që “torta” të bëhet më e madhe bashkërisht, jo të lindin debate se kush do të marrë copën më të madhe. Kur punohet së bashku, ka më shumë për të gjithë. Siç vuri në dukje Presidenti Xi më herët, “që ne të thyejmë mjegullën dhe të përqafojmë një të ardhme të ndritur, forca më e madhe vjen nga bashkëpunimi dhe mënyra më efektive është përmes solidaritetit.”

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Gjinari, destinacioni i preferuar dimëror i vizitorëve

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gjinari, që këto…

Global 360

Osmani: Do të jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së në Bordin e Paqes

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të Bordit të Paqes në Davos, ku ajo firmosi krah…

Diplovista

Linda Rama në Katar, reflektime mbi tranzicionin, kompleksitetin global dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë

Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama zhvilloi një bisedë me Laila Humairah në Qendrën për Lidership të Katarit.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

100-vjetori i themelimit të Urdhrit të Skënderbeut

Një tubim shpirtëror ishte eventi përkujtimor i 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit të Skënderbeut dhe i shugurimit të Urdhrave të…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Gjinari, destinacioni i preferuar dimëror i vizitorëve

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gjinari, që këto…