
Sejko: Vijon rritja ekonomike, turizmi dhe investimet me kontributin më të madh
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se “pas rritjes me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të ngjashme edhe në gjysmën e dytë të vitit”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se “pas rritjes me 3.6% në gjashtëmujorin e parë, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme të ngjashme edhe në gjysmën e dytë të vitit”.
Në konferencën për mediet, ku prezantoi politikën monetare, Sejko theksoi se se “të dhënat nga sektori real, monetar e fiskal, sinjalizojnë rritjen e mëtejshme të konsumit, investimeve dhe eksporteve të shërbimeve, duke reflektuar vijimin e trendit pozitiv gjatë muajve të fundit. Në veçanti, rritja me rreth 22% e shërbimeve të turizmit në tremujorin e tretë, tregon vijimin e kontributit pozitiv të këtij sektori. Kjo dinamikë ka ndikuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm, duke e çuar ekonominë shqiptare – për herë të parë në periudhën post-tranzicion – drejt suficitit të llogarisë korrente për tre tremujorët e parë të vitit”.
“Rritja ekonomike është pasqyruar edhe në ecurinë e tregut të punës. Shkalla e papunësisë zbriti në 8.1% në tremujorin e tretë, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke treguar një rritje dinamike dhe me bazë të gjerë. Deri tani, rritja e pagave ka mbështetur rritjen e fuqisë blerëse të familjeve, pagjeneruar presione shtesë mbi inflacionin. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe kufizimet në fuqinë punëtore vazhdojnë të mbajnë nën presion tregun e punës, duke përbërë një rrezik të kahut të sipërm mbi ecurinë e inflacionit”, tha Sejko.
Në tërësi, vijoi Sejko, faktorët mbështetës të rritjes ekonomike në afatin e mesëm paraqiten solidë.
“Gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat, së bashku me klimën pozitive të besimit dhe kushtet e favorshme të financimit, kanë nxitur rritjen e konsumit dhe investimeve private. Paralelisht me to, rritja e të ardhurave nga turizmi ka vijuar të japë një kontribut pozitiv në ekonomi. Njëkohësisht, politikat e kujdesshme dhe të koordinuara makroekonomike kanë bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kanë forcuar qëndrueshmërinë makroekonomike”, tha Sejko.
Në veçanti, shtoi Sejko, politika monetare ka lëvizur në kahun akomodues gjatë vitit 2025, duke ulur normën bazë të interesit në muajin korrik dhe duke vijuar të ruajë një prezencë të lartë në tregun valutor, me qëllim zbutjen e presioneve forcuese ndaj kursit të këmbimit. Këto ndërhyrje kanë kontribuuar në një stabilitet më të lartë të kursit të këmbimit dhe të mjedisit financiar.
“Për rrjedhojë, tregu financiar është shfaqur i qëndrueshëm, me prime të ulëta rreziku dhe norma të ulëta interesi. Kredia për sektorin privat ka vijuar të zgjerohet me ritme të larta, e nxitur nga kërkesa e qëndrueshme dhe e mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 14.2% në muajin tetor, duke qëndruar pranë ritmeve të vitit të kaluar, por dukshëm mbi mesataren e viteve të fundit. Në veçanti, vihen re tre zhvillime pozitive: së pari, rritja e qëndrueshme e kredisë për investime, e cila sinjalizon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të vendit; së dyti, rritja e shpejtë e kredisë në Lek dhe rritja e peshës së saj ndaj totalit, çka përmirëson si hapësirën e veprimit të politikës monetare ashtu edhe stabilitetin financiar të vendit; dhe, së treti, cilësia e qëndrueshme e portofolit, e ilustruar nga niveli i ulët i raportit të kredive me probleme, prej 4.3%”, nënvizoi Sejko.
Sipas tij, parashikimet për të ardhmen mbeten pozitive.
/Marrë nga ATSH


















