
Kina formëson të ardhmen ekonomike në realitetin e ri global
Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e mbajtur në Pekin më datën 8 dhjetor 2025 ishte një moment vendimtar për të parë qëllimet e vendit për të ardhmen

Nga Dr. Marsela Musabelliu
Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit(AIGS)
Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike e mbajtur në Pekin më datën 8 dhjetor 2025 ishte një moment vendimtar për të parë qëllimet e vendit për të ardhmen. Duke qëndruar në kryqëzimin ku Plani i 14-të Pesëvjeçar (2021-2025) po i afrohet përfundimit të tij të suksesshëm dhe Plani i 15-të Pesëvjeçar (2026-2030) është gati të nisë, Konferenca dha udhëzime për drejtimin ekonomik të Kinës dhe gjithashtu i ofroi botës një “dritare” për të vëzhguar Kinën.
Që nga fillimi i këtij viti – nga investimet ndërkombëtare, në rritjen e kapitalit në forcat prodhuese të Kinës me cilësi të re, deri te statistikat e fundit nga institucionet financiare në të gjithë botën që rritin parashikimet e rritjes së Kinës – një konsensus në rritje i “besimit në Kinë” po merr formë dhe po fiton vrull vazhdimisht.
Ky takim kyç ekonomik ofron një pasqyrë të rëndësishme mbi fazën e ardhshme të zhvillimit të Kinës, e cila do të mbështetet në reforma të thelluara vendore, rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve, forcimin e inovacionit dhe vijimin e hapjes ekonomike. Të gjitha këto elemente pritet të formësojnë peizazhin ekonomik si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Terminali i kontejnerëve të portit Shandong Qingdao Port Qianwan/Foto nga VCG
Pak sfond…
Në javën e parë të dhjetorit, pothuajse të gjitha mediat kryesore perëndimore hapën titujt e tyre me të njëjtën shifër befasuese: suficiti tregtar i Kinës mbi 1 trilion dollarë. Një shifër historike, e paprecedent, që në vend të skepticizmit ngjalli një pyetje të vetme dhe të pashmangshme: Si ia doli Kina? – Në një botë të mbushur me tarifa ndëshkuese, proteksionizëm dhe tensione globale, kjo nuk është thjesht statistikë: është dëshmi e fuqisë dhe zgjuarsisë së modelit ekonomik kinez. Përballë pengesave, Kina nuk u tërhoq. Ajo rindërtoi strategjitë e saj, diversifikoi tregjet dhe ruajti konkurrueshmërinë. Eksportet janë zgjeruar në vendet në zhvillim, zinxhirët e furnizimit janë përmirësuar, dhe produktet kineze po mbërrijnë në çdo cep të botës, shpesh duke shmangur barrierat dhe tarifat. Ky suficit historik nuk është aksident; është rezultat i një vizioni afatgjatë që kombinon kapacitetin prodhues, fleksibilitetin tregtar dhe aftësinë për t’u përshtatur me një botë gjithnjë e më të fragmentuar. Titujt nuk flasin vetëm për shifra – ai flet për një Kinë që po dominon tregtinë globale dhe po shfaq fuqinë e saj në mënyrë të padiskutueshme.
Kur Trump mori detyrën, ai u përpoq të ndryshonte tregtinë globale. Vendosi tarifa pa dallim duke besuar se mund të diktonte kushtet aktuale të globalizimit. Por, realiteti e përgënjeshtroi dhe shifrat nuk bashkëpunuan me vizionin e tij. Lufta tregtare nuk po funksionon, sigurisht jo për Amerikën e as për Evropën.

Punëtorët në një kompani prodhimi makinerish po nxitojnë të prodhojnë makina shpimi dhe prerjeje/Foto nga VCG
Viti 2025 ka qenë sfidues në shumë drejtime për Kinën, veçanërisht për shkak të goditjeve të jashtme. Rikthimi i administratës Trump u shoqërua me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj tregtisë globale, dhe shkaktoi një nivel të jashtëzakonshëm pasigurie dhe ndërprerjesh në mbarë botën. Kinës i është dashur të përballojë këto goditje të jashtme, ndërkohë që ka vijuar proceset e saj të transformimit strukturor për të rritur cilësinë e produktivitetit të ekonomisë, duke rritur njëkohësisht të ardhurat e familjeve dhe duke ruajtur stabilitetin e punësimit.
E sërish, eksportet kineze kanë thyer rekorde. Suficiti tregtar mbi 1 trilion dollarë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Dhe viti ende nuk ka përfunduar. Këto shifra mbulojnë vetëm 11 muaj, nga janari në nëntor. Deri në fund të vitit 2025, shifra mund të jetë edhe më e lartë, pasi Kina po shet më shumë se kurrë. Dhe kjo po ndodh pavarësisht barrierave tregtare. Eksportet kineze drejt ShBA-së kanë rënë me 29%. Evropa dhe Japonia kanë vendosur kufizime. Edhe vendet në zhvillim po shtrëngojnë rregullat për mallrat kineze. Megjithatë, eksportet kineze po thyejnë rekorde. Si po e arrin Kina këtë? Çfarë po e nxit këtë bum eksportesh?
Nga makinat te kimikatet, nga makineritë te elektronika. Vërehet një konsensus i gjerë se Kina ka riorientuar me sukses eksportet e saj drejt tregjeve të tjera. Ndërkohë, eksportet janë ridrejtuar drejt vendeve të tjera, duke treguar se, edhe pse tregu amerikan mbetet i rëndësishëm, Kina ka alternativa të shumta. Humbja e një pjese të tregut amerikan është kompensuar nga fitimi i një pjese më të madhe të tregjeve të tjera globale.
Një faktor shumë i rëndësishëm lidhet me vetë ndërmarrjet kineze. Ato janë shumë të forta në disa drejtime. Fabrikat janë jashtëzakonisht të afta në prodhimin masiv me kosto të ulët. Për shkak të konkurrencës së ashpër, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, ato kanë arritur të mbajnë çmime shumë konkurruese, jo për shkak të kursit të këmbimit, por falë efikasitetit dhe shkallës së prodhimit. Nga ana tjetër, rritja kryesore e eksporteve ka ardhur nga fusha dhe rajone të reja, siç u përmend më herët. Vendet e ASEAN-it mbeten partneri më i rëndësishëm tregtar, por gjithashtu po rriten me shpejtësi Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe rajone të tjera në zhvillim. Ndërmarrjet kineze kanë treguar një aftësi të lartë për të përshtatur destinacionet, strategjitë dhe mënyrën e tregtimit të mallrave dhe shërbimeve të tyre.
Përse asgjë nuk është rastësi në ekonominë kineze
Suksesi i tregtisë dhe ekonomisë kineze nuk është një rastësi, por rezultat i një planifikimi të kujdesshëm qendror. Çdo hap strategjik, çdo riorientim i eksporteve dhe çdo nxitje e konsumit vendas kalon përmes mbikëqyrjes dhe mbështetjes së ngushtë të autoriteteve qendrore. Asgjë nuk ndodh rastësisht: politikat fiskale, stimujt për bizneset, investimet strategjike dhe koordinimi mes ministrive dhe agjencive janë motorët që drejtojnë ekonominë dhe sigurojnë që rezultatet e jashtëzakonshme të tregtisë dhe zhvillimit të mos jenë thjesht statistika, por fitore të prekshme dhe të qëndrueshme.

Punëtoret në degën Xinle të Oriental Jiule Automotive Electronics (Shanghai) Co., Ltd. po punojnë me zell për të përfunduar porosi për eksport./Foto nga VCG
Konferenca Vjetore Qendrore për Punën Ekonomike, është momenti ku sa më sipër hidhet në letër dhe përcakton agjendën ekonomike për vitin pasardhës, në këtë rast për vitin 2026. Ajo që bie më shumë në sy nga ky takim është përcaktimi i qartë i prioriteteve për vitin e ardhshëm.
Elementi më i rëndësishëm është mënyra se si janë formuluar objektivat dhe detyrat për vitin që vjen. Detyra numër një, e theksuar vazhdimisht në të gjithë dokumentin, është nxitja e kërkesës së brendshme. Rritja ekonomike me cilësi të lartë do të mbështetet gjithnjë e më shumë në kërkesën e brendshme. Konferenca ka theksuar qartë se kërkesa e brendshme duhet të jetë motori kryesor i rritjes dhe se duhet ndërtuar një treg i fortë i brendshëm. Ajo ka parashikuar nisma të posaçme për nxitjen e konsumit dhe hartimin e planeve për rritjen e të ardhurave si për banorët urbanë ashtu edhe për ata ruralë. Kjo nënkupton më shumë masa për stimulimin e konsumit dhe për rritjen e të ardhurave. Politikat që synojnë subvencionimin e interesave për kredi konsumatore, blerjen e pajisjeve elektronike, shërbimeve, automjeteve dhe mallrave të tjera do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Të dhënat e gjysmës së parë të vitit, me një rritje ekonomike prej 5.3%, mbi objektivin prej 5%, tregojnë se këto politika po japin rezultate dhe po e çojnë ekonominë në drejtimin e duhur.
Në analizën e politikave për nxitjen e konsumit, është e rëndësishme të theksohet se kërkesa e brendshme përfshin jo vetëm konsumin, por edhe investimet. Këto dy komponentë janë të lidhur ngushtë, pasi rritja e investimeve nxit rritjen e produktivitetit dhe, rrjedhimisht, rritjen e pagave.
Më tej, theksohet sërish inovacioni, në përputhje të plotë me Planin e 15-të Pesëvjeçar. Vëmendje e veçantë i kushtohet rolit të sistemit arsimor, i cili duhet të prodhojë më shumë talente në fushën e kërkimit origjinal, por edhe të sigurojë transformimin e rezultateve të kërkimit shkencor në krijim vlere për ndërmarrjet.
Sa i përket politikave makroekonomike, Kina synon të ruajë një politikë fiskale proaktive dhe një politikë monetare relativisht lehtësuese edhe në vitin 2026. Ka më shumë hapësirë për përdorimin e politikës fiskale, veçanërisht për rritjen e të ardhurave të familjeve dhe mbështetjen e sektorëve që krijojnë shumë vende pune, duke pasur parasysh se raporti i borxhit të qeverisë qendrore ndaj PBB-së mbetet relativisht i ulët, rreth 18–20%. Përmes emetimit të obligacioneve afatgjata dhe subvencioneve të drejtpërdrejta, qeveria ka mundësi të mbështesë konsumin, punësimin dhe ndërmarrjet kyçe. Në politikën monetare, ndërsa uljet e mëtejshme të normave të interesit kërkojnë kujdes për shkak të stabilitetit financiar, ekziston hapësirë për uljen e normës së rezervës së detyrueshme dhe ruajtjen e kostove të ulëta të financimit.
Fjalë kyçe: treg kombëtar i unifikuar dhe inovacion
Ndërtimi i një tregu të unifikuar kombëtar është një tjetër shtyllë kyçe e reformave. Kjo synon eliminimin e barrierave të padukshme mes qyteteve, provincave dhe orientimin e zhvillimit sipas avantazhit krahasues të secilit rajon. Një qasje e tillë shmang mbivendosjen e panevojshme të industrive, forcon efikasitetin ekonomik dhe rrit qëndrueshmërinë e ekonomisë në tërësi. Në këtë kuadër, edhe korrigjimi i konkurrencës së çrregullt është thelbësor, pasi konkurrenca e tepruar dhe jo e shëndetshme mund të dëmtojë ndërmarrjet dhe tregun. Strategjia synon pikërisht krijimin e një mjedisi konkurrues të shëndetshëm, që mbështet zhvillimin afatgjatë dhe stabilitetin ekonomik.
Duke u rikthyer tek koncepti i tregut të unifikuar kombëtar, për audiencën jashtë Kinës është e rëndësishme të kuptohet pse ky koncept po theksohet kaq shumë. Ky vizion ka disa nivele kuptimi. Së pari, Kina ka një popullsi prej rreth 1.4 miliardë banorësh, çka e bën tregun e saj të brendshëm një nga më të mëdhenjtë në botë. Në kushtet kur tregjet ndërkombëtare janë të mbushura me pasiguri dhe ndikohen gjithnjë e më shumë nga faktorë joekonomikë, rreziqet janë të vështira për t’u menaxhuar. Zgjidhja më e qëndrueshme është forcimi i tregut të brendshëm. Nëse tregu i brendshëm bëhet më i unifikuar, duke hequr barrierat e dukshme dhe të padukshme, atëherë edhe mallrat dhe shërbimet me cilësi të lartë mund të gjejnë hapësirë në pjesë të ndryshme të vendit. Kjo përbën një zgjidhje të qëndrueshme nga brenda dhe redukton varësinë nga strategjitë e orientuara vetëm drejt eksporteve apo nga bashkëpunimi i qeverive të tjera në kufij.
Megjithëse Kina ka një treg të madh të brendshëm, ai nuk ka qenë plotësisht i unifikuar për shkak të këtyre barrierave. Pasi të arrihet unifikimi, përfitimet shfaqen si në anën e prodhimit, ashtu edhe në anën e konsumit. Në zonat bregdetare ekzistojnë qytete me të ardhura të larta, ku konsumatorët kanë fuqi blerëse për produkte të cilësisë më të lartë dhe më të shtrenjta, ndërsa në pjesë të tjera të vendit ka shtresa të ndryshme të ardhurash. Një treg realisht i unifikuar krijon një qarkullim të brendshëm të plotë, ku prodhimi dhe konsumi lidhen në mënyrë organike. Ky është kuptimi i vërtetë i qarkullimit të brendshëm dhe thelbi i strategjisë afatgjatë.
Një tjetër prioritet i rëndësishëm për vitin e ardhshëm është inovacioni dhe rritja ekonomike e nxitur nga inovacioni. Kjo është një politikë afatgjatë dhe një shtyllë themelore e strategjisë ekonomike të Kinës. Thelbi i saj lidhet me synimin për ta bërë ekonominë gjithnjë e më efikase nga pikëpamja energjetike. Kina po ecën drejt një ekonomie të elektrifikuar. Ky transformim është i mundur vetëm përmes aplikimeve inovative të shkencës dhe teknologjisë.
Kina po i transformon dividentët e hapjes së saj në mundësi zhvillimi për t’i ndarë në të gjithë botën. Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike theksoi rritjen e vazhdueshme të hapjes institucionale, zgjerimin e hapjes vullnetare në sektorin e shërbimeve, optimizimin e paraqitjes dhe fushëveprimit të zonave pilot të tregtisë së lirë, promovimin e zhvillimit të integruar të tregtisë e investimeve dhe të tregtisë së brendshme dhe të jashtme.

Në një punishte, robotët inteligjentë po kryejnë operacione/Foto nga VCG
Së fundmi, ajo që përshkruan Konferenca Qendrore e Punës Ekonomike nuk është vetëm një “plan ndërtimi” për zhvillimin e Kinës në vitin e ardhshëm, por edhe një seri mundësish për botën. Një ekonomi e madhe me pritshmëri më të qarta rritjeje, një makro-mjedis më të qëndrueshëm dhe drejtime më të parashikueshme politike u mundëson të gjitha vendeve të gjejnë siguri mes pasigurive globale. Në sfondin e konkurrencës në rritje mbi burimet globale të aksioneve, ato mund të shfrytëzojnë fitimet graduale të sjella nga tregu i gjerë i Kinës, nxitësit e rinj të rritjes dhe hapja me standarde të larta. Duke arritur sukses të ndërsjellë, vendet mund të thellojnë konvergjencën e interesave, të kultivojnë një moment të ri për rritje dhe së bashku të hapin horizonte të reja. Ekonomia e Kinës mbetet e qëndrueshme dhe dinamike, me perspektiva të shkëlqyera zhvillimi. Kina i ka treguar edhe një herë botës se planifikimi afatgjatë, të menduarit strategjik dhe lidershipi i qëndrueshëm janë mjete të fuqishme për përparimin kombëtar.
Burimi CGTN



















