
Pezullimi i Ballukut, Rama: Do ta çojmë në Kushtetuese
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos pas Samitit “Plani i Rritjes -Rruga jonë drejt BE-së”, i pyetur në lidhje me masat e GJKKO ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, Rama tha se mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë është prioritet absolut.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “do ta ruajmë dhe mbështesim pavarësinë e gjyqësorit, do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtuese”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos pas Samitit “Plani i Rritjes -Rruga jonë drejt BE-së”, i pyetur në lidhje me masat e GJKKO ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, Rama tha se mbrojtja e pavarësisë së drejtësisë është prioritet absolut.
“Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë është prioriteti absolut edhe përballë situatave kaq flagrante sa kjo situatë, për të cilën po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen kushtetuese”, tha Rama.
“Këta jemi ne, ky jam unë dhe kështu do të jetë deri në fund kur unë të kem privilegjin që të udhëheq Shqipërinë për ta bërë anëtare të Bashkimit Europian”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “nëse sot Shqipëria i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim ndër disa arsye themelore është edhe fakti se Shqipëria po e lufton seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
“Pa diskutim që sot edhe fakti që mund të bëhen pyetje me këtë përmbajtje lidhet me një epokë të re ku kemi hyrë. Në këtë epokë të re Shqipërinë e ka futur kjo shumicë qeverisëse me mua në krye”, u shpreh Rama duke iu referuar pyetjes së gazetares për Ballukun.
Më tej, Rama tha se “së pari pavarësia e gjyqësorit nuk është as slogan, as manovër politike dhe as eksperiment i përkohshëm, por është një shkëputje historike nga e kaluara, e realizuar vetëm në vitet e fundit. Kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive duke filluar nga një fakt i pamohueshëm varrosja e kulturës 100 e kusur vjeçare të pandëshkueshmërisë”.
Por, vijoi Kryeministri, ama ka shfaqur edhe dobësitë e natyrshme të një pushteti krejt të ri fëminor për nga mosha si dhe reflekse të vjetra antidemokratike.
“Së dyti dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin dhe jo thjesht për ne këto reflekse të vjetra antidemokratike të trupave të reja speciale për ne dhe për mua personalisht, mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë sepse siç thotë edhe një fjalë e mençur që mua më pëlqen shumë “Kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “pezullimi nga detyra i një ministri në këtë rast edhe zv/kryeministres drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e qeverisë në mungesë të Kryeministrit është një tjetër shfaqje e pikërisht atyre dobësive që përmenda më lart dhe një pushteti krejt të ri dhe e reflekseve antidemokratike që përmenda po ashtu më lart”.
“Ky është një rast unikal në historinë e Europës dhe po ashtu në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit europian të vendeve të ish -lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie. Por, nëse një prokuror special dhe një gjykatës special i shkallës së parë të Speciales këtu në Shqipëri kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenimi i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të një pushtetit tjetër të pavarur siç është ekzekutivi duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit dhe të Parlamentit prej nga buron mandati i qeverisë dhe çdo ministri zgjedhja jonë në raport me këtë fakt është strategjikja, si gjithmonë për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht edhe në këtë rast ekstrem”, nënvizoi Rama.
E thënë drejtpërdrejt, shtoi Kryeministri, ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti dhe as nuk të angazhohemi, larg qoftë, në një betejë politike, retorike me drejtësinë”, tha Rama.
“Por ne do të vazhdojmë me durimin tonë strategjik”, tha kryeministri Rama.
Burimi ATSH


















