
Rijetëzim i kullave në 4 qarqe, Gonxhja: Ruajmë trashëgiminë, fuqizojmë itineraret e turizmit kulturor
Në 4 qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë ka nisur programi për Rijetëzimin e Kullave dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e turizmit, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në 4 qarqe dhe 14 bashki të veriut të Shqipërisë ka nisur programi për Rijetëzimin e Kullave dhe përfshirjen e tyre në zinxhirin e turizmit, një nismë që lidh trashëgiminë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja në fjalën e tij tha se “qëllimi i këtij programi është të dokumentojë, restaurojë dhe të vërë në funksion kullat tradicionale si pjesë aktive e zhvillimit kulturor dhe ekonomik të zonave ku ato ndodhen”.
“Kullat përbëjnë një pasuri të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Shumë prej tyre ndodhen në gjendje të dëmtuar, ndaj programi synon t’i rikthejë ato në funksion përmes ndërhyrjeve të planifikuara dhe të qëndrueshme. Prandaj kemi këtu edhe specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Instituti i Regjistrimit të Objekteve të Monumenteve dhe specialistëve të tjerë të fushës”, tha Gonxhja.
Programi është i ndarë në dy faza kryesore: faza e parë, që do të zhvillohet gjatë viteve 2025–2026, përfshin qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës.
“Në këtë fazë do të kryhet inventarizimi, dokumentimi, vlerësimi i potencialit dhe përzgjedhja e kullave që do të përfshihen në projektet pilote”, theksoi Gonxhja.
Faza e dytë, vijoi Gonxhja, për periudhën 2026–2027 do të fokusohet në zbatimin konkret të ndërhyrjeve restauruese dhe në funksionimin e kullave me koncepte të reja si: bujtina, qendra interpretimi, muze lokalë apo hapësira për artizanat dhe aktivitete kulturore.
Gonxhja tha se gjatë viteve të fundit, të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të interesit për trashëgiminë kulturore të lidhura me turizmin e qëndrueshëm.
“Krahasuar me periudhën janar–shtator 2024, vizitat në sitet e trashëgimisë kulturore janë rritur me 13%, gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2025; numri i vizitorëve është rritur nga 1,092,598 në 1,259,774 vizitorë. Në raport me vitin 2023 rritja është 36%, ndërsa në raport me 2022 rritja arrin në 55%. Po ashtu, numri i projekteve të restaurimit dhe konservimit është rritur me 309% dhe investimet në monumente me 363 %”, bëri të ditur Gonxhja.
Ministri Gonxhja informoi se “gjatë gjithë javës kemi mbyllur marrëveshje të rëndësishme herë me programe që janë ndërajonale si Interct dhe IPA, herë me programe me financimet e organizatave që lidhen me programet e BE-së ose me programe që lidhen me shtete të ndryshme, herë MTKS dhe ne FSHZH dhe vetë bashkitë po bëjmë një operacion që të shpëtojmë dhe të rijetëzojmë kisha objekte kulti, xhami, objekte që janë në rrezik, objekte që janë sot shpesh edhe në përdorim të institucioneve të ndryshme fetare në vend, por edhe në shërbim të komuniteteve”.
Sipas tij, një komponent i rëndësishëm i programit lidhet me mbështetjen e ekonomisë krijuese si dhe me mbështetjen e artizanëve vendas.
“Deri tani, 43 artizanë kanë përfituar nga thirrjet për zhvillimin e produkteve autentike dhe tradicionale. Ky rrjet, në bashkëpunim me Fondacionin “Culturalb”, do të zgjerohet me qëllim që çdo produkt kulturor të pasqyrojë historinë dhe identitetin lokal. Ky program, përfaqëson një model të ri të menaxhimit të trashëgimisë kulturore. Ai kombinon ruajtjen me përdorimin e qëndrueshëm si dhe krijon mundësi për zhvillimin e turizmit, punësimit si dhe ruan identitetin lokal. Me përfshirjen e institucioneve qendrore, partnerëve ndërkombëtarë dhe komuniteteve, synimi është që kullat të shndërrohen në qendra funksionale që kontribuojnë në jetën shoqërore dhe ekonomike të zonave ku ndodhen”, theksoi Gonxhja.
“Rijetëzimi i Kullave” bëhet pjesë e një strategjie më të gjerë që synon krijimin e itinerareve kulturore dhe turizmit malor, që do të lidhin zonat e veriut përmes historisë, artit dhe natyrës së paprekur, duke ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm përvoje turistike që zgjat gjatë gjithë vitit.
Gonxhja u ndal edhe tek zgjerimi i sezonit turistik, duke theksuar se “sfida jonë kryesore është që duhet të zgjerojmë sezonin veror në sezone që janë përtej verës. Turizmi duhet të jetë i shtrirë gjatë gjithë vitit dhe në këtë mënyrë arrijmë një maksimizim të të ardhurave, por edhe një menaxhim më të mirë të gjithë sezonit vjetor, me trafik më të përballueshëm me flukse më të përballueshme dhe një kthim sa më të mirë në ekonomi”.
“Veriu i Shqipërisë me pasurinë e tij natyrore po bëhet gjithnjë e më shumë shtylla e re e turizmit kulturor shqiptar. Ky program është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Ministrisë, për ta bërë trashëgiminë kulturore një burim zhvillimi të qëndrueshëm, si dhe në të njëjtën kohë ta afrojë atë me jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Gonxhja.
Lidhur me “Paketën e Maleve”, Gonxhja i bëri apel banorëve të zonave malore që të aplikojnë dhe të besojnë tek kjo paketë, e cila do të çlirojë të tjera energji dhe potenciale për të gjallëruar ekonominë në këto zona.
MTKS dhe GIZ Shqipëri synojnë të bashkëpunojnë për zhvillimin e “Programit të rijetëzimit të Kullave”, një nismë vizionare për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të Shqipërisë së Veriut, përmes trashëgimisë kulturore.
Përmes kësaj marrëveshjeje, partnerët angazhohen zyrtarisht përbashkëpunim dhe kontribut në këto fusha: Restaurimi i shtëpive-kullë dhe konservimi i tyre, me fokus në ruajtjen e integritetit historik, arkitektonik dhe kulturor si rijetëzimi i kullave si shtëpi pritëse tradicionale, muze, qendra kulturore duke i transformuar ato në asete të turizmit të qëndrueshëm që kontribuon në ekonominë lokale, përmirësojnë përvojën e vizitorëve dhe forcojnëidentitetin rajonal.
Gjithashtu programi përfshin integrimin e kullave të rijetëzuara në turin e kullave, duke i lidhur me operatorë turistikë dhe përvoja të tjera lokale si ecje malore, çiklizëm, agroturizëm, punime artizanale, eksperienca kulinarie etj si dhe inkurajimi i bashkëpunimit me institucione publike, autoritete rajonale dhe lokale, institucione akademike dhedonatorë të tjerë për t’i shtuar vlerë këtij programi.
Faza e parë e programit do të zhvillohet në periudhën 2025-2026) dhe do të fokusohet në
identifikimin e kullave në 4 qarqe: Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës. Kjo fazë përfshin hartimin e projekteve tip për secilin qark dhe zhvillimin e programit të plotë për rijetëzimin e kullave që synon të përfshijë më tepër aktorë të tjerë publikë, apo donatorë të tjerë.
Faza e dytë do të zhvillohet në periudhën 2026-2028 dhe përfshin restaurimin e kullave, rijetëzimin e tyre, lidhje me operatorë turistikë, përfshirje në itinerare dhe zhvillimin e produkteve të tjera turistike rreth kullave, etj.
/Burimi ATSH


















