
Xhoana dhe Sokol Nano: Fatosi ndërtoi ura dhe jo mure, besoi te Shqipëria evropiane
Në Pallatin e Kongreseve u mbajtën sot homazhet zyrtare në nderim të Fatos Nanos, ish-kryeministër dhe lider historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili u nda nga jeta të premten, më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.

Në Pallatin e Kongreseve u mbajtën sot homazhet zyrtare në nderim të Fatos Nanos, ish-kryeministër dhe lider historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili u nda nga jeta të premten, më 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.
Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, u zhvilluan homazhe kombëtare dhe ceremonia funebre shtetërore, ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të lartë të shtetit, personalitete të jetës politike e kulturore, familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë.
Me fjalë të ndjera, bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, shprehu dhimbjen e madhe për humbjen e partnerit me të cilin ndau më shumë se gjysmë shekulli jetë.
“Kjo është dita më e errët dhe më e trishtë e jetës sime. Po ndahem nga një njeri me të cilin ndamë gjysmën e jetës. Sot është një nga ato ditë që s’do të dëshiroja ta jetoja kurrë, e tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë. E dija që kisha rënë në dashuri jo vetëm me Fatosin si person, por edhe me vizionin e tij për një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri që duhej të largohej përgjithmonë nga primitivizmi. Fatosi ishte shumë më tepër se një figurë historike, ai ishte njeriu i vërtetë, i sinqertë, që urrente populizmin dhe besonte në vlerat europiane”, u shpreh ajo mes lotësh.
Xhoana Nano theksoi gjithashtu se Fatos Nano ishte një njeri me zemër të madhe, që dinte të falte dhe të donte, i drejtë dhe i ndershëm në çdo hap, duke e konsideruar paqen sociale dhe konkurrencën politike si thelbin e demokracisë.
“Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Ai nuk bënte asgjë përgjysmë, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Ai kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja ishte një cilësi që jo vetëm nuk e kishte por as nuk donte ta njihte. Sot, mes dhimbjes së thellë, ndiej mirënjohje që pata fatin ta njihja dhe të ecja krah tij. Faleminderit, Fatos, që më deshe dhe më dhe mundësinë të të doja. Do të mbetesh përherë në kujtesën tonë si njeri i vërtetë”, përfundoi ajo.
Në fjalën e tij, Sokol Nano, djali i Fatos Nanos, e kujtoi babain si një udhëheqës dhe mentor jetësor.
“Sot Fatos Nano, babi, bashkëshorti, miku, lideri ikë nga kjo botë, por ikën vetëm fizikisht. Im atë ishte i pari që më foli për demokracinë. I pari që nuk e kishte frikë humbjen sepse ishte një kalorës dhe dinte të ringrihej.
“Ai më mësoi shumëçka, garën e vërtetë, udhëheqjen si përgjegjësi, ringritje. Ishte njeri shumë dimensional, më foli për gjithçka, Shqipërinë europiane dhe lirinë, sepse ai e donte demokracinë si frymë dhe jo si slogan. Ai besonte se politika shkonte përtej luftës personale. Ai ngrinte ura dhe nuk ndërtonte mure. Ai mbolli kulturë dhe qytetari. Ishte i butë dhe tolerante më gjithkënd që mendonte ndryshe. Brilant në argument. I ashpër dhe i drejtë kur kërkohej vendim dhe kurajoz në vendimmarrje për të ardhmen e vendit”, tha Sokol Nano.
“Sot i them lamtumirë tim eti dhe faleminderit për trashëgiminë e vyer, që na la. Faleminderit kampion për guximin, kulturën dhe qytetarinë dhe zemrën. Për lirinë që na mësove. Ne do të kujtojmë si baba, si shok dhe si burrë i madh shteti që vuri përgjegjësinë përballë vetes”, tha Sokol Nano.
Burimi ATSH



















