
Ibrahimaj: Hapa konkretë për të forcuar lidhjen midis arsimit dhe ekonomisë reale
Konferenca e Dytë Ndërkombëtare me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës, sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon” bëri bashkë akademikë të shquar dhe personalitete politike nga vendi dhe Kosova.

Konferenca e Dytë Ndërkombëtare me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës, sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon” bëri bashkë akademikë të shquar dhe personalitete politike nga vendi dhe Kosova.
Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, Delina Ibrahimaj e vlerësoi konferencën si një ngjarje me rëndësi për shpresat dhe zgjedhjet e qytetarëve tanë dhe shoqërisë sonë për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve që po ndodhin, të cilat kërkojnë një qasje të re politike, që të lidh arsimin, trajnimin profesional, inovacionin dhe punësimin në një sistem të vetëm dinamik dhe elastik.
“Në këtë frymë, Shqipëria ka ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar lidhjen midis arsimit dhe ekonomisë reale. Janë përditësuar kurrikulat profesionale, janë zhvilluar programe të reja për aftësi në energji të rinovueshme, siguri kibernetike, turizëm dhe teknologji informacioni, ndërsa bashkëpunimi me biznesin është bërë tashmë pjesë e qeverisjes së arsimit profesional”, tha Ibrahimaj.
“Ky bashkëpunim, shtoj ajo, është thelbësor sepse asnjë sistem arsimor nuk mund të funksionojë i shkëputur nga ekonomia që kërkon t’i shërbejë. Puna dhe arsimi janë bërë pjesë e një cikli të pandarë që kërkon mësim të vazhdueshëm, rikualifikim dhe përmirësim të aftësive. Në këtë drejtim, po promovojmë një kulturë të të nxënit gjatë gjithë jetës, me programe për aftësi digjitale, soft skills, si dhe përfshirjen e “mikro-kualifikimeve” që u japin njerëzve më shumë fleksibilitet për t’u zhvilluar profesionalisht”.
“Në partneritet me sektorin privat, po zgjerojmë aksesin në trajnime praktike, ndërsa digjitalizimi po e bën procesin më gjithëpërfshirës. Platforma puna.gov.al po i lidh qytetarët me vendet e punës në kohë reale, ndërsa aplikacionet e reja me inteligjencë artificiale po ndihmojnë të rinjtë të orientojnë karrierën e tyre me më shumë vetëdije dhe efikasitet. E ardhmja jonë varet nga mënyra si do të investojmë sot në njerëz; në aftësi, dije dhe mundësi”, tha Ibrahimaj.
Punimet shkencore trajtuan çështjen e krizës demografike, potencialin e zhvillimit ekonomik në dekadat e ardhshme, integrimin në Bashkimin Europian dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, dijes dhe kapitaleve; sfidat dhe mundësitë për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Gjithashtu u paraqitën kërkime ndërdisiplinore, që nga ekonomia e sociologjia, tek politikat e arsimit, teknologjisë dhe punësimit; dixhitalizimi, automatizimi dhe inteligjenca artificiale e më gjerë, në kuadrin e një një debati më të gjerë mbi vetë kuptimin e zhvillimit, në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri, me kriza energjetike, klimaterike e gjeopolitike, si një domosdoshmëri për të rishikuar mënyrën se si e matim dhe e kuptojmë progresin.
Pas sesionit të sotëm, punimet do të vazhdojnë në disa panele të tjera tematike gjatë dy ditëve të konferencës në mjediset e Akademisë së Shkencave.
68 kumtues: profesorë, studiues dhe ekspertë nga 10 universitete dhe institute kërkimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi , do të paraqesin rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore dhe propozime për politika të reja zhvillimore.
Burimi ATSH



















