
Ibrahimaj: Nga 1 tetori, indeksim i pensioneve me 2,5%, efekti financiar 1,1 miliardë lekë
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se prej datës 1 tetor do të hyjë në fuqi norma e indeksimit për pensionistët, në masën 2,5%.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se prej datës 1 tetor do të hyjë në fuqi norma e indeksimit për pensionistët, në masën 2,5%.
Gjatë prezantimit të fundit mbi performancën ekonomike të vendit, në konferencën me temë “Stabilitet dhe Zhvillim përmes Ekonomisë dhe Inovacionit”, Ibrahimaj theksoi se efekti financuar në buxhetin e shtetit, për këtë normë indeksimi pensionesh është rreth 1,1 miliardë lekë.
“Norma 2,5% pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e pensionistëve dhe kjo është pak më e lartë se norma mesatare e indeksit të konsumit për periudhën korrik 2024 – gusht 2025. Nuk duhet të kategorizohet si një rritje e pensioneve, por si një politikë që ne e kemi ndjekur çdo vit, pasi duhet të garantojmë që rritja e çmimeve të mos prekë masën e përfitimit të pensionistëve”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj u ndal edhe te reforma e pensioneve, të cilën e konsideroi si një punë në proces.
“Nuk është një vendimmarrje e shpejtë, pasi targeti jonë për katërvjeçarin e ardhshëm është rritja e pensionit minimal dhe mesatar. Indeksimi i pensioneve e ka efektin financiar në total rreth 1,1 miliardë lekë. Janë 753 mijë pensionistë, por edhe përfitues të skemave të tjera që llogariten rreth 143 mijë afërsisht”, vijoi ajo.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se kontribut në rritjen e ekonomisë në vend, në tremujorin e dytë të vitit kanë pasur sektorë si ndërtimi, shërbimet, turizmi dhe transporti. Në sektorin e industrisë ka pasur një rritje reale me 1,79%, sipas Ibrahimajt.
“Edhe industria përpunuese ka qëndruar në nivelet e vitit të kaluar, ndërsa për sektorin e tekstileve, ndonëse nuk ka ndonjë ndikim të madh në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, sërish ka ndikim në punësimin në vend. Industria ka sektorë që kanë qenë në rritje. Bujqësia, nga pyjet dhe peshkimi, ka pasur rritje me 2,62%. Pra, të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë kanë shfaqur rritje”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj nënvizoi se edhe sektorët e informacionit dhe telekomunikacionit kanë pasur rritje dyshifrore, si sektorë kyç në ekonomi, pasi ecuria e tyre ndikon në gjithë sektorët e tjerë, si në shërbimet qeveritare, por edhe në modernizimin e sektorit privat.
“Pasuritë e paluajtshme, aktivitetet profesionale, unë pres që ne të kemi një kontribut pozitiv në rritje. Shërbimet vijojnë të kenë një rritje të lartë, por edhe sektorë prodhues që kanë potencial presim që të rriten. Turizmi u rrit me 19% në tremujorin e dytë dhe këtu u mat aktiviteti në hoteleri dhe turizëm”, theksoi Ibrahimaj.
Burimi ATSH