
Spiropali viziton Institutin e të Miturve në Kavajë: Prioritet riedukimi dhe parandalimi, jo ndëshkimi
Sot, në Ditën e Shën Terezës, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi Institutin e të Miturve dhe të Rinjve në Kavajë.

Sot, në Ditën e Shën Terezës, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi Institutin e të Miturve dhe të Rinjve në Kavajë.
Spiropali u shpreh në një prononcim për mediet se, mesazhet e humanizmit dhe dhembshurisë të Nënë Terezës kanë rrezatuar në të gjithë botën.
“Sot, në një ditë shumë të rëndësishme të shënuar për shqiptarët, në 5 shtator, ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, kësaj shenjte që më së shumti na përket si populli i saj, por që mesazhet e saj të humanizmit, të dhembshurisë i ka rrezatuar në të gjithë botën, vendosëm të ishim sot këtu në Institutin për të mitur dhe fëmijë në Kavajë, për të dhënë një mesazh, që përtej çdo vështirësie, përtej çdo rënie, përtej çdo konflikti, përtej çdo dëshpërimi ka shpresë”, tha Spiropali.
“Pashë me shumë kënaqësi që në këtë institucion 21 të miturit dhe të rinjtë. që kryejnë dënimin e tyre, marrin të gjithë trajtimin shëndetësor që u duhet, edukimin dhe kujdesin për sigurinë e tyre”, theksoi ajo.
“Mesazhi i Nënë Terezës shkon përtej të gjitha dallimeve sociale-ekonomike të prejardhjes dhe është një mesazh që udhëton deri te të vetmuarit, udhëton te të sëmurët, udhëton te të izoluarit, te njerëzit që vuajnë dënimin, e të gjithë ata që kanë humbur shpresën”, theksoi Spiropali.
“Unë besoj se është detyrë e institucioneve që në këtë ditë më së shumti, të reflektojnë, t’i vizitojnë, jo vetëm në, spitale, në burgje, në qendrat e tilla të riedukimit, por edhe të bëjnë politika më të mira për ta”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Konkretisht, shtoi Spiropali, “për të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin është me rëndësi parësore që si politikat penale, ashtu edhe qasja riedukuese dhe e rehabilitimit të jetë një qasje parësore. Parandalim përpara se fëmijët të vijnë këtu, edukim shumë më i fortë dhe sigurisht, këtu një qasje që u jep atyre mundësi për të patur një këndvështrim pozitiv mbi jetën, për t’u edukuar më shumë, për të marrë kujdes shëndetësor, për të marrë kujdesin që u duhet, për t’u ndjerë që ata nuk janë vetëm, jo vetëm nga familjet e tyre, por edhe nga institucionet”.
Duke folur për Kodin e ri Penal, Spiropali u shpreh se politikat penale nuk duhet të synojnë ndëshkimin, por sidomos për të miturit, rehabilitimin, riedukimin dhe parandalimin.
“Këto ditë që ne diskutojmë Kodin e ri Penal, duhet të mbahen pa diskutim në mendje që politikat penale dhe sistemi ynë penal nuk duhet të synojë ndëshkimin, por duhet të synojë mbi të gjitha, sidomos për të miturit, rehabilitimin, riedukimin dhe parandalimin”, tha ajo.
“Është me rëndësi që e gjithë shoqëria të kuptojë që mesazhet, jo vetëm të mëshirës, të shpresës, të mbështetjes, por edhe mesazhet për riintegrimin në shoqëri, pa diskriminim, pa paragjykim, të jenë për parësore”, nënvizoi Spiropali.
“Kuvendi do bëjë gjithçka është e mundur në bashkëpunim me institucionet e tjera, që Kodi i Ri Penal të reflektojë këtë qasje edhe në përputhje me standardet më të mira të Bashkimit Evropian, ku ne synojmë të jemi së shpejti,”, tha kryetarja e Kuvendit.
Spiropali u shpreh se, ky është “një mesazh për të gjithë shoqërinë, për familjet, një mesazh për institucionet, një mesazh për deputetët edhe të rinjtë, që në politikat e tyre në përfaqësim të kenë parasysh këtë kategori të mitur dhe të rinj, që unë i pashë sot, bashkëbisedova me ta. Janë me potencial të jashtëzakonshëm dhe kanë nevojë për një dorë, kanë nevojë për kuptim, kanë nevojë për institucione dhe kanë nevojë për të gjithë ne”.
“Gëzuar këtë ditë kaq të rëndësishme, ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës dhe qoftë një bekim për gjithë shqiptarët”, përfundoi Spiropali.
Burimi ATSH