
Ndryshimet në ligjin për sponsorizimet, Gonxhja: Bizneset mund të zbresin deri në 30% të tatimfitimit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se ndryshimet e parashikuara në ligjin për sponsorizimet synojnë që të nxisin bizneset që të financojnë aktivitete në sport, art dhe kulturë, përmes lehtësive fiskale.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se ndryshimet e parashikuara në ligjin për sponsorizimet synojnë që të nxisin bizneset që të financojnë aktivitete në sport, art dhe kulturë, përmes lehtësive fiskale.
Sipas Gonxhes, skema parashikon që bizneset të mund të zbresin deri në 30% të tatimfitimit përmes sponsorizimeve të aktiviteteve dhe eventeve në këta tre sektorë strategjikë.
Ministri argumentoi se financimi i eventeve nuk sjell përfitime vetëm për sportin, artin dhe kulturën, por krijon edhe efekte pozitive në ekonomi dhe në uljen e kostove publike.
“Në qoftë se ne financojmë në evente, në ekonominë e eventeve, në aktivitete që mund të jenë ndërkombëtare dhe kombëtare, në sport, jetesë aktive, në art, kulturë, kreativitet, jetë sociale e tjerë, fiton automatikisht në ulje kostosh shëndetësore, në ulje kostosh për sigurinë dhe për rendin, sepse do ketë më pak kriminalitet, në ulje kostosh të problemeve sociale. Dhe është një ekuacion i bërë në çdo vend të botës që funksionon. Nga ana tjetër, çdo lek i hedhur për këto evente sjell dy-tre lekë ekonomi eventesh, që sjell taksa, të ardhura, turistë, vizitorë, hotele plot, e tjerë”, tha ai.
Sipas ministrit, për vitin e ardhshëm buxhetor është parashikuar një tavan prej mbi 22 milionë eurosh, ose rreth 2 miliardë lekësh, për këtë mekanizëm.
“Pra kemi një tavan që duhet për shkak të planifikimit nga ana e Ministrisë së Financave të vitit buxhetor që vjen, që është, siç thashë, rreth mbi 22 milionë euro, ose 2 miliardë lekë”, tha ai.
Skema, theksoi ai, synon t’u japë mundësi kompanive të zgjedhin vetë aktivitetet që dëshirojnë të mbështesin, qoftë për arsye promocionale, përgjegjësie sociale apo interesi personal.
Për të përfituar nga lehtësia fiskale, bizneset do të duhet të paraqesin faturën dhe marrëveshjen e certifikuar të sponsorizimit të aktivitetit.
“Pra, paguajnë 70% të tatimfitimit, 30% në vend që ta paguajë, çon faturat e sponsorizimit të aktivitetit të garës, të eventit, të koncertit, të ekspozitës, të festivalit etj.”, tha ai.
Burimi ATSH


















