
Trump po shkatërron 100 vjet epërsi konkurruese brenda 100 ditësh
Artikulli nga Fareed Zakaria i publikuar në “The Washington Post” më 25 prill 2025

Ndërsa ndryshimet radikale të administratës Trump kanë mbushur rajonin, politikat e saj tarifore kanë marrë vëmendjen më të madhe. Por politika që në fund të fundit mund t’u kushtojë më shumë Shteteve të Bashkuara në planin afatgjatë është sulmi i Shtëpisë së Bardhë ndaj universiteteve dhe fushës së kërkimeve më në gjerësi.
Universiteti i ShBA-së Harvard/Foto nga VCG
ShBA-ja ka qenë një lidere botërore në shkencë për aq shumë kohë, sa është e lehtë të besosh se kjo ka qenë gjithmonë një nga epërsitë natyrore të vendit. Në fakt, në shekullin e 19-të dhe fillimin e shekullit të 20-të, ShBA-ja ishte më shumë një ndjekëse sesa një udhëheqëse. Industrialistët britanikë shpesh ankoheshin se kompanitë amerikane ua vidhnin teknologjinë dhe ua dhunonin patentat. Në dekadat e para të shekullit të 20-të, vendi me më shumë çmime “Nobel” në shkencë ishte Gjermania, që mori një e tretën e të gjitha çmimeve. Vendi tjetër ishte Britania, me pothuajse 20 %. ShBA-ja kishte vetëm 6 % të çmimeve “Nobel” në shkencë.
Tre forca të mëdha kanë ndryshuar strukturën e shkencës në mesin e shekullit të 20-të. Së pari, ishte Adolf Hitleri, i cili i shtyu një brez të talenteve më të mira shkencore të Evropës – shumë prej të cilëve hebrenj – të kërkonin strehim në Amerikë (deri në vitin 1932, rreth një e katërta e çmimeve “Nobel” në shkencë të marra nga Gjermania ishin fituar nga hebrenjtë, të cilët përbënin më pak se 1 % të popullsisë gjermane). Shumë prej këtyre shkencëtarëve erdhën në ShBA, duke u bërë shtylla kurrizore e komunitetit shkencor amerikan. Pas Reformës së Imigracionit në vitin 1965, ShBA-ja vazhdoi të tërheqë talentet më të mira të botës, shumë nga Kina dhe India, të cilët erdhën për të studiuar dhe më pas qëndruan për të ndërtuar laboratore kërkimore e kompani teknologjike.
Foto nga VCG
Forca e dytë ishin dy luftërat botërore. Deri në vitin 1945, Anglia, Franca, dhe veçanërisht Gjermania, u shkatërruan seriozisht, me miliona të vrarë, qytete të kthyera në rrënoja dhe qeveri të zhytura thellë në borxhe. Bashkimi Sovjetik doli fitimtar në Luftën e Dytë Botërore, por humbi rreth 24 milionë njerëz në konflikt. Në krahasim me ta, Shtetet e Bashkuara fituan epërsi absolute ekonomike, teknologjike dhe ushtarake nga konflikti.
Forca e tretë që nxiti përparimin e ShBA-së, është vendimi largpamës i qeverisë amerikane për t’u bërë financuese në shkallë të gjerë e shkencës bazë. Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, shpenzimet totale të Shteteve të Bashkuara për kërkim dhe zhvillim arritën në afro 2.5 % të PBB-së së vendit, shifra më e lartë në botë. Shtetet e Bashkuara e kanë arritur këtë objektiv nëpërmjet një modeli inovativ. Universitetet publike dhe private në të gjithë vendin konkurrojnë për fonde qeveritare për kërkime. Qeveria federale firmos çeqet, por nuk përpiqet t’i menaxhojë vetë programet. Konkurrenca dhe liria kanë krijuar institucionet shkencore moderne amerikane më të suksesshme në historinë e njerëzimit.
Të tre këto forca tani janë përmbysur. Administrata Trump është në luftë me universitetet kryesore të Amerikës, duke i kërcënuar ato me blerje armiqësore dhe duke ndaluar miliarda dollarë fonde kërkimore. “Xhevahiret e kurorës” së shkencës amerikane – Institutet Kombëtare të Shëndetit (NIH) dhe Fondacioni Kombëtar i Shkencës – po dobësohen.
Epërsia e dytë më e madhe e Shteteve të Bashkuara ndaj pjesës tjetër të botës është zvogëluar ndjeshëm që nga viti 1945. Por ia vlen të theksohet se gjatë dekadës së fundit, Kina është bërë vendi kryesor në botë në shumë tregues kyç të shkencës. Kina i kalon Shtetet e Bashkuara për sa i përket numrit të artikujve të botuar në 82 revistat kryesore shkencore të përfshira në Treguesin e revistës “Nature”. Kina tani është gjithashtu shumë përpara Shteteve të Bashkuara në artikujt e inxhinierisë dhe teknologjisë. Kina zë pothuajse gjysmën e aplikimeve për patenta në botë. Edhe për sa u përket universiteteve më të mira, nga 27 ndër 500 universitetet më të mira të botës që kishte në vitin 2010, Kina u rrit deri në 76 në vitin 2020. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur prirjen e kundërt, duke rënë nga 154 në 133.
Epërsia e fundit e Shteteve të Bashkuara, një me të cilën Kina nuk mund të krahasohet, është se tërheq talentet më të mira dhe më inteligjente në botë. Nga viti 2000 deri në vitin 2014, më shumë se një e treta e amerikanëve që fituan çmimin “Nobel” në shkencë ishin emigrantë. Në vitin 2019, gati 40 % e zhvilluesve të softuerëve ishin emigrantë. Në vitin 2015, në qendrat kryesore për sëmundjen e kancerit, përfaqësimi i emigrantëve varionte nga 30 % (“Fred Hutchinson”) në 62 % (“MD Anderson”). Qindra viza janë tërhequr, studentët janë dëbuar masivisht dhe të diplomuarit e studiuesit nga Kina tani përballen me një hetim të vazhdueshëm nga FBI-ja. Kina ka krijuar plane stimuluese bujare për të mirëpritur kthimin e talenteve më të mira në atdhe. Shumë të tjerë zgjodhën të shkonin diku tjetër – nga Evropa në Kanada e deri në Australi. Muajin e kaluar, revista “Nature” i pyeti lexuesit e saj nëse studiuesit amerikanë po merrnin parasysh të largoheshin nga vendi. Nga më shumë se 1 600 lexues, 75 % thanë se po shqyrtonin mundësinë për largimin nga vendi.
Këta janë gurët e themelit të fuqisë së jashtëzakonshme që Amerika ka krijuar gjatë 100 vjetëve të fundit. Tani ata po çmontohen vetëm brenda 100 ditësh.
Burimi CGTN