
Kuçi: Javën e ardhshme miratohet skema e re e investimeve, 20 milionë euro për 9 programe
Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit Bujqësor (AZHBR), Ardita Kuçi në një intervistë televizive sot, tha se javën e ardhshme qeveria pritet të miratoi skemën e re të investimeve për bujqësinë dhe blegtorinë me 9 programe, me vlerë 20 milionë euro dhe një kohështrirje 2-vjeçare.

Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit Bujqësor (AZHBR), Ardita Kuçi në një intervistë televizive sot, tha se javën e ardhshme qeveria pritet të miratoi skemën e re të investimeve për bujqësinë dhe blegtorinë me 9 programe, me vlerë 20 milionë euro dhe një kohështrirje 2-vjeçare.
Kuçi, duke folur për mbështetjen ndaj bujqësisë dhe blegtorisë, tha se mbështetja për fermerin është rritur nga viti në vit.
“Nga viti në vit kemi një rritje të numrit të aplikimeve të fermerëve, por edhe një rritje të numrit të financimeve të fermerëve. Çdo vit kemi patur mbështetje me skemat e investimeve. Prej vitit 2018, ndjeshëm është rritur vlera në para e investimeve dhe po ashtu buxheti i alokuar nga qeveria për Ministrinë e Bujqësinë dhe AZHBR. Kemi patur akses dhe në fondet e BE, siç është IPARD II”, tha Kuçi.
Drejtoresha e AZHBR tha se nga vitit 2024 është aplikuar skema e dedikuar e investimeve.
“Në vitin e shkuar ka patur buxhet 15 milion euro. Është çelur si skemë në shtator deri në nëntor. Ka patur numër tepër të lartë aplikimesh, kjo edhe si rezultat i thjeshtimit të procedurave.
“Këtë vit, javën e ardhshme miratojmë me vendim të Këshillit të Ministrave skemën e re të investimeve me kohëzgjatje 2 vjeçare, 2025-2026 me 9 masa mbështetëse, përkundër 5 masave që ishin vitin e shkuar dhe me një buxhet prej 20 milionë euro”, theksoi Kuçi.
Kuçi tha se me buxhet fillestar të miratuar na qeveria, Bujqësia ka patur fondin 44 milionë euro. “Kësaj i shtojmë dhe buxhetin 20 milionë me euro me kohëzgjatje 2025-2026, që fokusohen në 9 programe, në bujqësi dhe blegtori. Fokusi është tek shtimi i sipërfaqeve të mbjella, serave, stallave, dhe stabilimenteve për shpendët, ndërtimit të serave diellore po ashtu, rrjetat antibreshër, akuakulturën, agroturizmi këtë vit”.
“Vetëm vitin e shkuar kemi paguar 52 milionë euro për skemat direkte, buxheti fillestar i alokuar nga qeveria ishte 33 milionë euro, që u shtua me aktin normativ për të mbuluar të gjithë kërkesën e 67 100 fermerëve aplikues për vitin 2024 dhe kemi çelur skemën direkte të pagesave këtë vit dhe kemi parë 71 000 aplikime që janë në proces kontrolli administrative dhe shumë shpejt nisin pagesat”, tha ajo.
“Nëse shohim shifrat e investimeve, kemi marrë një kërkesë prej 404 aplikimesh vitin e shkuar. Afati i aplikimeve ka qenë dhe më I shkurtër se këtë vit. Këtë vit do u lihen 2 muaj e gjysëm kohë për të aplikuar. Deri në fund të muajit shtator për të përpiluar dosjen e aplikimit, që të kemi dosje më efikase dhe rezultat më pozitivë për fermerët. Thirrja pritet të hapet në korrik deri në fund të muajit shtator. Gjatë gjithë kësaj kohe do të jemi në punë. Kemi plan shumë të mirë komunikimi”, tha Kuçi.
“Kemi 3 instrumenta shumë të rëndësishëm, jo vetëm pra skemën e investimeve, që ka një interes tepër të shtuar. Pres që këtë vit të kemi shumë më shumë aplikime për investime. Nga ana tjetër kemi dhe kreditë e buta dhe garancinë sovrane”, nënvizoi Kuçi.
Burimi ATSH