Shqipëria në Bienalen e Venecias me veprën e artistes Iva Lulashi, “Love as a Glass of Water”

Pavijoni i Shqipërisë përfaqësohet nga artistja shqiptare Iva Lulashi, me projektin “Love as a Glass of Water”, mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.


U çel dje në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit – Biennale di Venezia, pavijoni i Shqipërisë i përfaqësuar nga artistja shqiptare Iva Lulashi, me projektin “Love as a Glass of Water”, mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

I pranishëm në këtë event, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se, ““Love as a Glass of Water”, vepra e Iva Lulashit sillet rreth subjekteve universale të afta për të kapërcyer dallimet dhe kufijtë, jo vetëm ato gjeografike. Ajo arrin të thellohet në dimensione të kulturës vizuale dhe të tensionit që krijohet mes vetëdijes, publikes, dhe intimitetit që thërrasin ndjesi të trajtuara prej kohësh si tabu, sidomos gjatë epokës komuniste shqiptare”.

Shqipëria, vijoi ai, nuk ka patur përherë fytyrën që ka sot, dikur gjeneronte interes rreth rrezikut dhe pasigurive që ngjallte, ndërsa sot është një atraksion i njohur e kaq pranë me këtë qendër arti ku ndodhemi tani.

“Për të vazhduar integrimin cilësor të vendit dhe artistëve tanë në skenën dhe diskursin botëror, kemi vlerësuar se është shumë domethënëse dhe urgjente të sillen gjithë këto subjekte në këto hapësira ekspozitive, për të krijuar një kornizë koherente të ku ndodhemi sot, jo vetëm si lokacion, por si qendrime dhe projektime drejt të ardhmes”, tha Gonxhja.

Makrotema e këtij edicioni të Bienales së Venecias, 20 Prill – 24 Nëntor, është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa.

Tema që ajo trajton merr shkas nga teoria e “gotës së ujit”, që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai (1872 –1952).

Bëhet fjalë për një teori që lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Me një influencë shumë të madhe në qarqet artistike dhe letrare ruse, këto ide nisën të pengohen dhe përndiqen nga aparati politik revolucionar.

“Ndonëse metafora e gotës me ujë lidhet me lehtësinë e të pirit, nuk duhet harruar se uji është ai element jetësor, krejt si dashura. Dhe, është absurde që tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sot dhe ato asnjëherë nuk janë në qendër të aktiviteteve të mëdha apo të vogla, sikur të flitej për tabu për të cilat nuk flitet, apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”, shprehet kuratori Antonio Grulli.

Sipas tij, pyetja që ngre artistja përmes veprës së saj është: Përse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?

“Pikërisht, vepra e Iva Lulashit vendoset në këtë boshllëk artistik. Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së saj. “Dashuria dhe instinkti si një gjuhë universale, në gjendje për të tejkaluar të ndryshmen, kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata që ekzistojnë mes nesh; dashuria si forca primare e njeriut dhe botës “që lëviz diellin dhe yjet”, shton Grulli.

Kuratori Antonio Grulli shpjegon se tema e bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë. “Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj: janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë të huaj. Dhe, në Bienalen e Artit 2024 do të flitet për artistë që janë vetë të huaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…”.

Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia.

(Marrë nga ATSH)

Ushtria amerikane trajnon Forcat Ajrore Shqiptare për fikjen ajrore të zjarreve

Në fokus të stërvitjeve, të zhvilluara në Bazën Ajrore të Farkës, është përmirësimi i reagimit ndaj zjarreve, përfshirë edhe përdorimin…

Global 360

Negociatorët e SHBA-së dhe BE-së diskutojnë tarifat tregtare

Negociatorët tregtarë të SHBA-së dhe BE-së kane nisur sot në Paris – negociatat për një zgjidhje të mosmarrëveshjes së tensionuar…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

Koçi Tahiri, veprimtar i respektuar i elitës intelektuale dhe i politikës shqiptare

"Pishtari i Demokracisë" dhe ish-deputet (2017-2021) ka veprimtari të gjerë aktive 35-vjeçare, me karakter krahinor dhe kombëtar.

Masmedia

Ushtria amerikane trajnon Forcat Ajrore Shqiptare për fikjen ajrore të zjarreve

Në fokus të stërvitjeve, të zhvilluara në Bazën Ajrore të Farkës, është përmirësimi i reagimit ndaj zjarreve, përfshirë edhe përdorimin…