Rama: Integrimi gradual është i domosdoshëm, procesi i anëtarësimit në BE duhet të mbetet i bazuar në meritë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një qasje që e ka mbështetur prej kohësh, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të vijojë të bazohet në meritë.


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një qasje që e ka mbështetur prej kohësh, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të vijojë të bazohet në meritë.

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, në Bruksel, Rama ishte pjesë e panelit me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”,

I pyetur nëse e mbështet idenë e integrimit gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor, Rama u shpreh se jo vetëm që nuk e kundërshton, por ka punuar prej kohësh për këtë qasje.

“Jo vetëm që nuk e kundërshtoj, por kam luftuar për këtë gjë prej një kohe të gjatë. Mendoj se Plani i Rritjes është në vetvete një instrument që pasqyron këtë qasje nga ana e Komisionit dhe e vetë Bashkimit Evropian, sepse hendeku ende vijon të jetë i madh dhe nevoja për të pasur më shumë kapacitete për ta mbyllur këtë hendek është e jashtëzakonshme”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se ndryshimi i procesit të integrimit dhe krijimi i alternativave ndaj anëtarësimit të bazuar në meritë nuk do të ishte në interes të vendeve të rajonit.

“Procesi i bazuar në meritë është, mbi të gjitha, një dhuratë për ne. Është një proces që na bën të aftë të bëjmë gjëra për të cilat, përndryshe, nuk do të ishim në gjendje t’i bënim”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, përmes këtij procesi Shqipëria ka mundur të ndërtojë kapacitete dhe institucione që, për shkak të historisë dhe traditës së mungesës së institucioneve të konsoliduara, do të ishte e vështirë t’i zhvillonte e vetme.

“Për fat të mirë, jemi në mes të Evropës dhe kemi BE-në. BE-ja është burimi më i jashtëzakonshëm i dijes se si ndërtohen institucionet dhe si krijohet një sistem që funksionon”, tha Rama.

Ai e cilësoi procesin e integrimit njëkohësisht të vështirë, duke e krahasuar me një proces që kërkon përpjekje të vazhdueshme, por që ka sjellë ndryshime në Shqipëri.

“Shqipëria sot është një vend krejtësisht ndryshe falë këtij procesi. Kështu që, të kërkosh të kesh diçka ndryshe nga procesi i bazuar në meritë është njësoj si të marrësh një patentë pa ditur t’i japësh makinës. Rrezikon veten, por rrezikon edhe të tjerët, dhe Evropa nuk ta jep këtë gjë”, deklaroi kryeministri.

Rama vuri në dukje se ajo që mungon në këtë proces është vullneti politik, duke iu referuar edhe qëndrimeve të disa shteteve anëtare ndaj zgjerimit.

Duke kujtuar një episod që lidhej me kolegun e tij, Mark Rutte, kryeministri tha se politika shpesh mbetet pas zhvillimeve dhe se Evropa duhet të gjejë frymëzimin te shembujt e së kaluarës, si ai i ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl.

“Helmut Kohl nuk shkoi në vendet e Evropës Lindore për t’u thënë qytetarëve të tyre: ‘Jeni të lirë, por duhet të përmbushni 33 kapituj përpara se të jetojmë së bashku’. Jo, ai u tha: ‘Tashmë jemi bashkë’. Pjesa tjetër do të vijë më pas”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se, vendet kandidate duhet të jenë pjesë e procesit dhe të përfitojnë prej tij, por njëkohësisht të përmbushin detyrimet dhe reformat e kërkuara.

Në vijim, Rama theksoi rrezikun e mbajtjes së vendeve të rajonit jashtë Bashkimit Evropian, duke përmendur ndikimet e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.

“Nëse Ursula (Von der Leyen) do t’u thoshte fëmijëve se duhet të rriten diku jashtë, në lagje, përpara se t’i pranojmë në shtëpi, atëherë do të rrezikonim që ata të mos ktheheshin më në shtëpi”, tha ai, duke shtuar se rajoni nuk duhet të lihet jashtë procesit të integrimit.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është e angazhuar për anëtarësimin në BE dhe se do të vijojë përpjekjet pavarësisht vështirësive.

“Jemi plotësisht të dashuruar me Bashkimin Evropian dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tij, edhe nëse Bashkimi Evropian do të na kërkonte të prisnim”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se zgjerimi nuk është vetëm në interes të Shqipërisë, por i gjithë rajonit dhe i vetë Evropës.

/Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Rama: Integrimi gradual është i domosdoshëm, procesi i anëtarësimit në BE duhet të mbetet i bazuar në meritë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një qasje që…

Global 360

Vendet evropiane vendosin kushte për bisedimet e sigurisë me Rusinë

Një shumicë e madhe e vendeve evropiane janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me Rusinë për çështjet kryesore të sigurisë…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Rama: Integrimi gradual është i domosdoshëm, procesi i anëtarësimit në BE duhet të mbetet i bazuar në meritë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një qasje që…