
Nufi: 28 Nëntori, dita që bashkon historinë dhe identitetin tonë kombëtar
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përcolli sot një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përcolli sot një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Nufi shkruan “nga Vlora historike e vitit 1912, ku Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçorri dhe firmëtarët e Pavarësisë ngritën flamurin kuqezi, nisi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare”.
Ministri thekson se kjo datë përfaqëson sakrificën e brezave, guximin e atyre që luftuan për liri dhe krenarinë kombëtare.
“Një ditë që mbart në vetvete sakrificën e brezave, guximin e atyre që luftuan për liri dhe krenarinë e të qenit shqiptarë. Një histori e shkruar me gjak, përkushtim dhe dashuri për atdheun, që vazhdon të na frymëzojë edhe sot”, shkruan ai.
Në përfundim të mesazhit, Nufi përcjell urimet për të gjithë shqiptarët me rastin e kësaj feste kombëtare.
“Flamuri kuqezi mbetet simboli që na bashkon, na përfaqëson dhe na kujton rrënjët e vlerat tona kombëtare. Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë!”, shkruan ministri.
Burimi ATSH


















