
Holanda mbështet reformën në drejtësi, ambasadorja Monster takim me drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës
Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, zhvilloi një takim me drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi

Holanda riafirmoi angazhimin për të mbështetur reformat në fushën e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe forcimin e një sistemi drejtësie të drejtë, efektiv dhe llogaridhënës.
Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, zhvilloi një takim me drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ku rikonfirmoi mbështetjen afatgjatë të vendit të saj për këtë institucion përmes projekteve MATRA dhe bashkëpunimit me Qendrën Holandeze të Trajnimit dhe Studimeve për Gjyqësorin (SSR).
Në kuadër të angazhimit për zhvillimin profesional të aktorëve të sistemit të drejtësisë, ambasadorja Monster mori pjesë gjithashtu në hapjen e një trajnimi për gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë, të organizuar nga Qendra Holandeze për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (CILC).
Trajnimi fokusohet në bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale, duke synuar forcimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëmarrësve në këtë fushë.
Në njoftimin e Ambasadës së Holandës theksohet se një gjyqësor i fortë dhe i pavarur përbën themelin e sundimit të ligjit.
“Holanda do të vijojë të mbështesë sektorin e sundimit të ligjit në Shqipëri përmes partneritetit, shkëmbimit të njohurive dhe zhvillimit profesional”, thuhet në njoftim.
Marrë nga ATSH


















