
Koçiu dhe Salla në Zall-Herr: 18 miliardë lekë për bujqësinë dhe 3 miliardë për sigurinë ushqimore në vitin 2027
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizituan sot në Zall-Herr Shoqërinë e Bashkëpunimit Bujqësor “FLOEN”, ku u njohën me veprimtarinë e 17 fermerëve të bashkuar në këtë strukturë.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizituan sot në Zall-Herr Shoqërinë e Bashkëpunimit Bujqësor “FLOEN”, ku u njohën me veprimtarinë e 17 fermerëve të bashkuar në këtë strukturë.
Koçiu vlerësoi modelin e bashkëpunimit mes fermerëve, duke theksuar se organizimi në shoqëri të përbashkëta ndihmon në uljen e kostove, rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve bujqësore.
Ajo bëri të ditur se buxheti i vitit 2027 parashikon 18 miliardë lekë për bujqësinë, niveli më i lartë i financimit deri më tani, ndërsa rreth 3 miliardë lekë do të orientohen drejt sigurisë ushqimore.
“Shqipëria nuk mund të jetë jashtë tregut të përbashkët evropian. Ne duhet të konkurrojmë me produktet tona vendase, por edhe mbi bazën e cilësisë dhe standardeve që kërkon tregu evropian”, u shpreh Koçiu.
Ajo nënvizoi se fermerët shqiptarë kanë nisur të eksportojnë produkte si vaji i ullirit dhe agrumet, por për të rritur praninë në tregjet evropiane duhet të garantohet përputhshmëria e cilësisë dhe standardeve me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Sipas Koçiut, siguria ushqimore është një nga prioritetet ku do të përqendrohen investimet e buxhetit të vitit të ardhshëm, me synimin për të forcuar konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare.
Nga ana e tij, ministri Salla u shpreh se synimi është zgjerimi i modelit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor në të gjithë vendin.
Ai vlerësoi organizimin e fermerëve të Zall-Herrit në sektorin e ullirit, duke bërë të ditur se deri tani, në bashkëpunim me pushtetin vendor, janë krijuar 33 shoqëri të tilla, ndërsa 12 të tjera janë në proces.
Salla theksoi se bashkëpunimi mes fermerëve duhet të shtrihet jo vetëm në procesin e prodhimit, por edhe në tregtimin e produkteve, për të garantuar cilësinë dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Burimi ATSH



















