
Ibrahimaj: 6 milionë euro për 170 ide inovative nga startup-et në 2027-ën
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të hapë në dhjetor thirrjen e re për mbështetjen e startup-eve për vitin 2027, me një fond prej 6 milionë eurosh, përmes të cilit synohet financimi i rreth 170 ideve inovative.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të hapë në dhjetor thirrjen e re për mbështetjen e startup-eve për vitin 2027, me një fond prej 6 milionë eurosh, përmes të cilit synohet financimi i rreth 170 ideve inovative.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj e bëri të ditur lajmin gjatë një bashkëbisedimi me studentët, në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes 2026, ku diskutoi mbi rrugëtimin e sipërmarrësve dhe mundësitë e financimit për zhvillimin e ideve të reja.
“Në dhjetor hapim thirrjen e re për startup-et për vitin 2027, me një fond prej 6 milionë eurosh, përmes të cilit parashikojmë të mbështesim rreth 170 ide inovative”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se të paktën 30% e financimeve do t’u dedikohen të rinjve që kanë një ide biznesi, por ende nuk kanë krijuar një sipërmarrje.
Sipas skemës së financimit, mbështetja do të arrijë deri në 15 mijë euro për idetë e reja, ndërsa për bizneset që synojnë zgjerimin në tregjet ndërkombëtare financimi do të jetë deri në 90 mijë euro.
Ibrahimaj theksoi se synimi është t’u krijohen më shumë mundësi të rinjve për të zhvilluar idetë e tyre dhe për t’i kthyer ato në sipërmarrje konkrete.
“Vazhdojmë të mbështesim të rinjtë që kanë guximin të provojnë, të krijojnë dhe t’i kthejnë idetë e tyre në sipërmarrje konkrete”, u shpreh ministrja.
Burimi ATSH


















