
Hoxha: Shqipëria solidarizohet me Francën pas sulmeve kibernetike, Evropa të qëndrojë e bashkuar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha shprehu sot solidaritetin e plotë të vendit tonë me Francën, pas sulmeve kibernetike shkatërruese dhe në një shkallë të paprecedentë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha shprehu sot solidaritetin e plotë të vendit tonë me Francën, pas sulmeve kibernetike shkatërruese dhe në një shkallë të paprecedentë, të kryera nga një njësi ofensive kibernetike e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
Hoxha, theksoi se Shqipëria e njeh nga afër këtë kërcënim, pasi edhe vendi ynë ishte objektiv i sulmeve të ngjashme në vitin 2022, të ndërmarra nga aktorë shtetërorë iranianë.
“Shqipëria e di shumë mirë, nga përvoja e saj, se me çfarë po përballet sot Franca. Në vitin 2022, vendi ynë u bë vetë objektiv i operacioneve kibernetike brutale dhe shkatërruese, të ndërmarra nga aktorë shtetërorë iranianë”, shkruan ai.
Sipas ministrit, sulmet kibernetike të sponsorizuara apo mbështetura nga shtetet nuk mund të normalizohen, të tolerohen apo të shndërrohen në një instrument kërcënimi, dhe të mbeten pa pasoja për autorët e tyre.
Hoxha nënvizoi se “një sulm ndaj infrastrukturës kritike është një sulm ndaj vetë funksionimit dhe sigurisë së një shoqërie, pavarësisht nëse kryhet me eksploziv apo me një kod keqdashës”.
Ministri bëri thirrje për unitet evropian, forcimin e qëndrueshmërisë kolektive dhe mbajtjen përgjegjës të autorëve të këtyre akteve.
“Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar, të forcojë qëndrueshmërinë e saj kolektive dhe të sigurojë që përgjegjësit për akte të tilla të japin llogari”, shkruan Hoxha.
Burimi ATSH



















