
Gonxhja: Të rinjtë nuk janë përballë nesh, dialogu duhet të kapërcejë dallimet
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mori pjesë sot në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë.
Gonxhja tha se në këtë takim përtej çështjeve të diskutuara, spikatën formimi, artikulimi, mendimi kritik dhe ndjeshmëria e një brezi që kërkon të dëgjohet, të përfshihet dhe të kontribuojë në të ardhmen e vendit.
“Folëm për zhvillimet e fundit, besimin te institucionet, punësimin, meritokracinë në administratën publike, platformën “Fol me Kryeministrin”, mbështetjen për startupet dhe nismat rinore. Nuk munguan pyetjet e vështira, kritikat, skepticizmi, këndvështrimet e ndryshme si dhe kërkesa për t’u informuar më gjerë për politikat dhe programet institucionale”, tha ai.
Gonxhja deklaroi se “dialogu nuk ka vlerë vetëm kur biem dakord”.
“Përkundrazi, ai merr kuptimin e tij më të thellë kur dimë të dëgjojmë edhe atë që na vë në diskutim, kur kemi përulësinë për të reflektuar dhe dinjitetin për t’u përgjigjur me sinqeritet, argumente dhe përgjegjësi”, vijoi ai.
“Të rinjtë nuk janë përballë nesh. Ata janë ne. Janë pjesë e së njëjtës shoqëri, e së njëjtës përpjekje dhe e së njëjtës shpresë për një Shqipëri më të mirë. Nuk duhet të ketë mure, hone apo ndasi mes brezave, mes institucioneve dhe qytetarëve, mes atyre që vendosin dhe atyre që kërkojnë me të drejtë të jenë pjesë e vendimmarrjes”, tha Gonxhja.
Gonxhja nënvizoi se “politika dhe institucionet duhet të kultivojnë gjithnjë e më shumë gjuhën e artë të mirëkuptimit dhe kompromisit, thjeshtësinë për të pranuar se jo çdo përgjigje është e mjaftueshme dhe pjekurinë për të reflektuar mbi shqetësimet, pritshmëritë dhe ndjeshmëritë e çdo komuniteti, veçanërisht të brezit të ri”.
Sipas Gonxhes, “të dëgjosh nuk do të thotë të heqësh dorë nga bindjet, sikurse të kundërshtosh nuk do të thotë të jesh kundërshtar”.
“Respekti i ndërsjellë është pikërisht ura që na lejon të ecim përpara, edhe kur nuk ndajmë të njëjtin mendim. E ardhmja nuk ndërtohet duke thelluar distancat mes nesh, por duke i kapërcyer ato. Me më shumë dëgjim, më pak paragjykim, më shumë reflektim dhe me bindjen se, pavarësisht dallimeve, na bashkon shumë më tepër sesa na ndan”, përfundoi Gonxhja.
Burimi ATSH

















