
Gogu vizitë në Romë, në fokus forcimi i bashkëpunimit në drejtësi dhe integrimi europian
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu nisi sot në Romë (Itali) një vizitë pune dyditore, ku zhvilloi takime me drejtues të lartë të shtetit italian.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu nisi sot në Romë (Itali) një vizitë pune dyditore, ku zhvilloi takime me drejtues të lartë të shtetit italian.
Gjatë ditës së sotme, Gogu u takua me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Senatit, Maurizio Gasparri, me presidentin e shtuar të Gjykatës së Kasacionit, Stefano Mogini, dhe me kryetarin e Komisionit të Drejtësisë të Dhomës së Deputetëve, Ciro Maschio.
Në qendër të takimeve ishin mbështetja italiane për integrimin europian të Shqipërisë, përvoja italiane në rikthimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në shërbim të komuniteteve, bashkëpunimi ndërmjet Gjykatës së Lartë dhe Kasacionit italian, si dhe ndikimi i reformave italiane në kohëzgjatjen e proceseve dhe në aksesin e qytetarëve në drejtësi.
“Shqipëria ka ndërtuar institucione të reja drejtësie. Tani provohet aftësia e tyre për të bashkëpunuar dhe për të dhënë rezultate sipas standardeve europiane. Italia është partner i rëndësishëm në këtë rrugë”, tha Gogu.
Vizita vijon nesër me takimin me ministrin e Drejtësisë të Italisë, Carlo Nordio, dhe me presidentin e Shkollës së Magjistraturës, Mauro Paladini.
Marrë nga ATSH


















