
Kumbaro: Mbështetja financiare zgjerohet në master, bursat për studentët në nevojë rriten në 25.000 lekë/muaj
Në Komisionin për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro tha se arsimi i lartë merr rritjen më të madhe në vlerë absolute në projektbuxhetin 2027, 14,23 miliardë.lekë, afërsisht 157 milionë euro.

Në Komisionin për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro tha se arsimi i lartë merr rritjen më të madhe në vlerë absolute në projektbuxhetin 2027, 14,23 miliard lekë, afërsisht 157 milion euro.
Gjithashtu, në seancën dëgjimore, Kumbaro theksoi se kërkimi shkencor është fusha me rritjen më të shpejtë, ose me rritjen më të lartë në raport me vetveten: programi financohet me 2,27 miliard lekë, afërsisht 25 milion euro, me një rritje 28,2%.
“Arsimi i lartë merr rritjen më të madhe në vlerë absolute: 14,23 miliard lekë, afërsisht 157 milion euro, pra 1,25 miliard më shumë se në 2026, një rritje prej 9,6%. Bashkë me të ardhurat e vet universiteteve publike, fondet totale arrijnë 17,5 miliard lekë ose 191 milionë euro. Tarifat e shkollimit kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2018, dhe Pakti për Universitetet na angazhon t’i mbajmë në nivele të përballueshme. Edhe në tarifat që studentët paguajnë, nuk përfaqësojnë koston reale të një programi studimi. Aq sa paguajnë studentët, mesatarisht përfaqëson rreth 8,5% të tarifës reale të studimit, ndërsa buxheti i shtetit mbulon koston më të madhe prej 91,5%”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro shtoi se 1 në 2 studentë nga universitetet publike nuk paguajnë tarifë të plotë, nga pjesa që u takon për të paguar.
“Në vitin 2027, me shtimin e buxhetit për arsimin e lartë, sigurohen rritja e bursës për studentët nga familjet në nevojë, e cila rritet nga 10.000 në 25.000 lekë në muaj, pra rreth 275 euro, dhe për herë të parë vijon edhe gjatë studimeve Master. Kjo paketë mbështetje suporton mbi 11,500 studentë në tri kategori. 5.900 studentë nga familjet në nevojë marrin 25.000 lekë në muaj. 5.500 studentë me notë mesatare 9–10 marrin 10.000 lekë, dhe177 studentë të programeve me përparësi kombëtare marrin 50.000 lekë në muaj, me një ndryshim thelbësor sepse tanimë skema e mbështetjes financiare edhe për studentët e programeve prioritare, zgjerohet edhe në ciklin master”, vijoi ajo.
“Gjithashtu, parashikohen fonde në formën e grantit për akomodimin e studentëve në “Shoqëritë e Trajtimit të Studentëve” në Tiranë dhe në qytete të tjera universitare, në vlerën 375 milion lekë (rreth 4 milion euro). Kjo skemë siguron akomodim për 7,000–7,500 studentë, ndërsa bashkë me të ardhurat nga tarifat e akomodimit dhe kontributet e njësive të vetëqeverisjes vendore, financimi total arrin në rreth 900 milion lekë në vit (rreth milion euro).Ky financim synon përmirësimin e kushteve të jetesës në konviktet e Tiranës, Kamzës, Vlorës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës”, tha ministrja.
Duke folur për kërkimin shkencor, ministrja Kumbaro tha se programi financohet me 2,27 miliard lekë, afërsisht 25 milion euro, me një rritje 28,2%, rritja më e shpejtë në raport me vetveten:
“Kërkimi shkencor është fusha me rritjen më të shpejtë, ose me rritjen më të lartë në raport me vetveten: programi financohet me 2,27 miliard lekë, afërsisht 25 milion euro, me një rritje 28,2%. Investimet kapitale nga buxheti i shtetit pothuajse dyfishohen, nga 350 në 650 milion lekë.Sipas planit që kemi berë, kjo rritje shkon në 750 milion lekë në 2028 dhe 850 milion në 2029, pra vetëm për investimet kapitale në programin e kërkimit shkencor financojmë 2,25 miliard lekë në tre vjet, dhe bashkë me financimin e huaj arrijnë 3,45 miliard lekë, rreth 38 milion euro”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro përmendi investimet në laboratorë, mbështetje për programet e doktoraturës, infrastrukturës kërkimore dhe pjesëmarrjes së shqipërisë në programe ndërkombëtare si Horizon Europe apo Erasmus+.
Burimi ATSH

















