Kina si një motor i rritjes ekonomike botërore krijon vazhdimisht mundësi zhvillimi për ekonomitë e vendeve të tjera

Edicioni i nëntë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) po zhvillohet aktualisht në Shangai, në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave dhe Konventave, nga data 5 deri më 10 nëntor 2026.


Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Edicioni i nëntë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) po zhvillohet aktualisht në Shangai, në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave dhe Konventave, nga data 5 deri më 10 nëntor 2026. CIIE ka tërhequr 4.142 ekspozues të huaj, përfshirë mbi 300 kompani të listuara në “Fortune Global 500” dhe liderë të industrisë. Pjesëmarrësit vijnë nga 162 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare. Në hapësirën e ekspozitës që shtrihet në një sipërfaqe totale prej 440.000 metrash katrorë, prezantohen mbi 480 produkte, teknologji dhe shërbime që shfaqen për herë të parë në Kinë. Këto variojnë nga teknologjitë e avancuara – si një prototip terminali 6G dhe një makineri precizioni të lartë për përpunim mekanik – e deri te mallrat e konsumit të përditshëm, përfshirë ushqimet, kozmetikën dhe veshjet, të gjitha gati për të testuar potencialin e tyre në tregun gjigant të Kinës. Kompanitë amerikane kryesojnë sa i përket hapësirës së ekspozimit për të tetin vit radhazi, të ndjekura nga pjesëmarrës nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Tërheqja e madhe për ekspozitën buron nga roli në rritje i Kinës si një blerës global gjigant, mbështetur nga popullsia e saj prej 1,4 miliardë banorësh, fuqia blerëse në rritje e njerëzve dhe dëshira e tyre në shtim për një cilësi më të mirë jete. Ekspozuesit në CIIE e shohin gjithnjë e më shumë Kinën jo thjesht si një treg konsumi, por edhe si një terren testimi për inovacionin dhe si një pikënisje për produktet që aspirojnë të arrijnë te konsumatorët në mbarë botën.


Në ceremoninë e hapjes së Edicioni i nëntë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, zëvendëskryeministri kinez Ding Xuexiang mbajti një fjalim./Foto nga Xinhua

Në ceremoninë e hapjes, zëvendëskryeministri kinez Ding Xuexiang bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta për të arritur tregti të ekuilibruar përmes hapjes më të madhe të tregut, bashkëpunimit më të thellë në investime, inovacion dhe heqjes së barrierave tregtare. Vendi vazhdon të hapë dyert për investitorët e huaj. Kjo qasje me dy drejtime injekton vitalitet në ekonomi dhe ndihmon në përballimin e rreziqeve që rrjedhin nga një mjedis kompleks global dhe vendas. Iniciativa “Një Brez, një Rrugë” që aspiron Kina, ka nxitur investimet e jashtme, ndërsa Zonat e saj të Tregtisë së Lirë në zgjerim dhe importet në rritje, lejojnë më shumë pjesëmarrje të huaj. Ndërsa të ardhurat e familjeve rriten dhe modelet e konsumit ndryshojnë drejt mallrave dhe shërbimeve me cilësi më të lartë, Kina ka hapësirë të konsiderueshme për të zgjeruar importet e produkteve premium, teknologjive dhe shërbimeve të përparuara. Struktura e importeve të Kinës ka evoluar nga e dominuar kryesisht nga mallrat e prodhuara në një strukturë më të diversifikuar që përfshin produktet industriale, energjinë dhe lëndët e para, si dhe mallrat bujqësore.


Më 6 nëntor, në Zonën e Ekspozitës së Pajisjeve Mjekësore dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor të Ekspozitës së 9-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, stafi i Johnson & Johnson demonstroi funksionimin e sistemit robotik kirurgjikal laparoskopik të tipit të ndarë HaiShan II®. Ky ishte debutimi global i produktit./Foto nga Xinhua

Ekonomia dhe tregtia e Kinës ofrojnë mundësi të mëdha, të nxitura nga konsumi i brendshëm masiv dhe kërkesa për kujdes shëndetësor për një popullsi në moshë, inovacioni i teknologjisë së lartë, si dhe zgjerimi i energjisë së gjelbër. Konsumi i brendshëm është bërë motori kryesor i rritjes ekonomike, duke kontribuar me më shumë se 50 për qind në rritjen e PBB-së. Shitjet me pakicë të mallrave të konsumit i kaluan 50 trilionë juanë në vitin 2025. Në kuadër të planit të Kinës për të zgjeruar konsumin gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030), synohet që kjo shifër të arrijë në rreth 60 trilionë juanë deri në vitin 2030. Po shfaqen modele të reja konsumi, ndërsa rritet kërkesa për produkte më cilësore, të gjelbra dhe inteligjente. Një klasë e mesme, që numëron mbi 500 milionë njerëz, vazhdon të tërheqë mallra nga tregu global — kryesisht makineri elektrike, lëndë djegëse minerale dhe produkte konsumi me vlerë të lartë — e mbështetur kjo nga zgjerimi i tregtisë përmes platformave si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës (CIIE).

Më 7 nëntor, në zonën e ekspozitës së produkteve bujqësore dhe ushqimore të Ekspozitës së 9-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, vizitorët u rreshtuan në stendën e Agjencisë Shtetërore të Promovimit të Investimeve Mato Grosso për të provuar mishin e viçit brazilian të importuar./Foto nga Xinhua

Demografia në ndryshim e Kinës dhe peizazhi ekonomik në zhvillim, po krijojnë mundësi të konsiderueshme për firmat e huaja në sektorë të ndryshëm. Popullsia e karakterizuar nga normat e ulëta të fertilitetit dhe jetëgjatësia më e gjatë, po përshpejton kërkesën për kujdes shëndetësor, kujdes për të moshuarit, produkte mirëmbajtje, produkte farmaceutike, menaxhim pasurie dhe shërbime të tjera financiare. Me mbi 450 milionë qytetarë që parashikohet të jenë 60 vjeç e lart deri në vitin 2035, kërkesa po rritet për kujdesin për të moshuarit, pajisjet mjekësore, produktet e mirëmbajtjes dhe farmaceutike. Kompanitë e huaja me ekspertizë në këta sektorë janë të pozicionuara mirë për të shfrytëzuar këtë treg në rritje.


Fotografia tregon vajin esencial të aromaterapisë perilla, të shkrepur më 6 nëntor në stendën e doTERRA në Zonën e Ekspozitës së Pajisjeve Mjekësore dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor të Ekspozitës së 9-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës. Ky është debutimi global i produktit./Foto nga VCG

Kina është tashmë si një qendër globale prodhimi, ashtu edhe një burim kyç i kërkesës botërore, me një kapacitet në rritje për të absorbuar mallra nga e gjithë bota. Shpenzimet e Kinës për kërkim dhe zhvillim (R&D) arritën në 2,8% të PBB-së, duke nxitur një rritje të shpejtë në fushat e inteligjencës artificiale, gjysmëpërçuesve, bio-prodhimit dhe robotikës së avancuar. Si prodhuesi kryesor në botë i energjisë diellore, asaj të erës dhe automjeteve elektrike, Kina krijon zinxhirë të gjerë furnizimi dhe kërkesë eksporti për pajisje të energjisë së rinovueshme dhe komponentë të teknologjive të pastra. Tregtia shumëpalëshe dhe nisma “Brezi dhe Rruga” përmes zgjerimit të zonave të tregtisë së lirë, marrëveshjeve dhe projekteve rajonale të infrastrukturës, hapin rrugë për logjistikën ndërkufitare, eksportin e produkteve të ndërmjetme të prodhimit dhe investimet. Në vitin 2025, importet dhe eksportet e produkteve të teknologjisë së lartë nga Kina u rritën me 11,4 për qind, duke kontribuar në pothuajse 60 për qind të rritjes së përgjithshme tregtare. Mbështetja e politikave të Kinës në fusha të tilla si efikasiteti i energjisë, mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i ujit dhe ekonomia ricikluese, ofrojnë mundësi të mëtejshme për kompanitë e huaja.


Më 6 nëntor 2026, në Qendrën Kombëtare të Ekspozitave dhe Konventave në Shangai u mbajt Ekspozita e 9-të Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE). Fotografia tregon një makinë garash Cadillac në ekspozitë.

Kërkesa në rritje e Kinës si për mallra të prodhuara të nivelit të lartë, ashtu edhe për mallra parësore, ofrojnë një treg gjithëpërfshirës për ekonomitë në faza të ndryshme të zhvillimit. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i Kinës demonstron një forcë stabilizuese dhe një nxitës të rritjes ekonomike botërore, duke krijuar vazhdimisht mundësi për ekonomitë e tjera. Specifikisht, vendet evropiane përfitojnë nga ekonomia e Kinës përmes tregtisë masive dypalëshe, investimeve të drejtpërdrejta të korporatave, krijimit të vendeve të punës dhe aksesit në një treg masiv të konsumit. Eksportet evropiane në Kinë mbështesin rreth 4 milionë vende pune në të gjithë Bashkimin Evropian. Kina është një destinacion I rëndësishëm për mallrat e prodhuara evropiane, artikujt luksozë, farmaceutikët dhe makineritë. Ajo shërben si një treg i domosdoshëm për industritë kryesore evropiane – veçanërisht sektorin e automobilave (si Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz) dhe kimikatet (si BASF). Kompanitë evropiane gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme jo vetëm duke eksportuar në Kinë, por edhe duke vepruar brenda saj. Investimet dhe financimi i drejtpërdrejtë kinez kanë ndihmuar në financimin e infrastrukturës evropiane, projekteve të energjisë së rinovueshme dhe zinxhirëve të furnizimit me automjete elektrike. Vende si Hungaria e kanë shfrytëzuar këtë duke tërhequr qendra të mëdha kineze të prodhimit të automjeteve elektrike dhe baterive (siç është BYD), duke i shndërruar investimet e huaja direkte në rritje ekonomike rajonale. Bashkimi Evropian dhe Kina formojnë një nga marrëdhëniet më të rëndësishme tregtare në botë. Në vitin 2025, importet e Bashkimit Evropian nga Kina arritën në 558.8 miliardë euro, 54 përqind mbi vitin 2019. Pjesa e Kinës në importet e Bashkimit Evropian u rrit nga 18.7 përqind në vitin 2019, në 22.3 përqind në vitin 2025; automjetet elektrike, bateritë, produktet diellore dhe kimikatet përbënin rreth 70 përqind të kësaj rritjeje.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Kina si një motor i rritjes ekonomike botërore krijon vazhdimisht mundësi zhvillimi për ekonomitë e vendeve të tjera

Edicioni i nëntë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) po zhvillohet aktualisht në Shangai, në Qendrën Kombëtare të…

Global 360

Mattarella: Bashkimi evropian është i paplotë pa Shqipërinë

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, deklaroi se Bashkimi Evropian do të mbetet i paplotë pa anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Kina si një motor i rritjes ekonomike botërore krijon vazhdimisht mundësi zhvillimi për ekonomitë e vendeve të tjera

Edicioni i nëntë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) po zhvillohet aktualisht në Shangai, në Qendrën Kombëtare të…