
Qeveria miraton rregulla të reja për resortet, certifikatë e detyrueshme para lejes së ndërtimit
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kategorive të strukturave akomoduese.

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kategorive të strukturave akomoduese.
Sipas vendimit, në projektet e kësaj kategorie, komponenti turistik duhet të zërë të paktën 60% të sipërfaqes totale të ndërtimit, ndërsa komponenti rezidencial nuk mund të kalojë 40% të saj. Këto raporte do të llogariten mbi bazën e sipërfaqeve totale të ndërtimit dhe do të përfshijnë edhe ambientet e përbashkëta, të cilat do të ndahen mes dy komponentëve në përpjesëtim me përdorimin e tyre.
Dokumentacioni i projektit duhet të paraqesë në mënyrë të dallueshme sipërfaqet turistike dhe ato rezidenciale, si dhe ambientet e përbashkëta dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre. Tabela e sipërfaqeve dhe përllogaritja e raportit duhet të nënshkruhen nga projektuesi përgjegjës dhe subjekti zhvillues.
Sipas vendimit, certifikata paraprake nuk zëvendëson lejen e ndërtimit dhe as nuk krijon të drejtë për të ndërtuar, pasi kompetencat për zhvillimin e territorit mbeten te autoritetet përgjegjëse. Çdo ndryshim i projektit që prek kategorinë e propozuar, ndarjen funksionale të komponentëve ose raportin 60% me 40%, duhet të shoqërohet paraprakisht me ndryshimin e certifikatës dhe, sipas rastit, me procedurat për ndryshimin e lejes së ndërtimit.
Vendimi përcakton gjithashtu se strukturat akomoduese do të ndahen në këto kategori: bujtinë, fjetinë (hostel), kamping, hotel, motel, resort, qendër kurative, fjetje dhe mëngjes (B&B), apart-hotel, strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore dhe resort miks. Ky i fundit parashikohet si nënkategori e resortit, vetëm për qëllime të certifikimit paraprak të zhvillimit të integruar.
Në vendim thuhet se rregulla të veçanta parashikohen për apartamentet, vilat dhe dhomat që do të përdoren për akomodim turistik. Në projektet e reja, këto njësi nuk do të kategorizohen më si struktura të veçanta, por do të përfshihen në komponentin turistik të një strukture të kategorisë “resort”, ku do të jenë pjesë e administrimit të përbashkët dhe do të mbulohen nga certifikata e saj.
Ndërkohë, njësitë e projektuara si banesa, jashtë një strukture të tillë, nuk mund të ofrohen si akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kërkesat e kategorisë “resort”, sipas legjislacionit në fuqi.
Pas përfundimit të ndërtimit të një zhvillimi resort miks, procedurës së kategorizimit dhe klasifikimit si strukturë akomoduese do t’i nënshtrohet vetëm komponenti turistik. Njësitë rezidenciale nuk do të kategorizohen si pjesë e strukturës akomoduese, përveç rasteve kur u ndryshohet destinacioni për t’u përdorur për akomodim turistik dhe plotësohen kërkesat ligjore.
Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Marrë nga ATSH


















