
Ambasadorja De Sousa: Shqipëria ka ecur përpara, pakënaqësitë të zgjidhen përmes dialogut
Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pas dorëzimit të Progres raportit për Shqipërinë tha se mesazhi i tij është i thjeshtë “Shqipëria ka ecur përpara”.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Sofia Moreira de Sousa në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, pas dorëzimit të Progres raportit për Shqipërinë tha se mesazhi i tij është i thjeshtë “Shqipëria ka ecur përpara”.
Duke ju drejtuar kryeministrit Edi Rama, Moreira De Sousa theksoi se “ky mesazh pasqyron punën e vërtetë e të fortë të qeverisë suaj dhe të ekipit tuaj negociator, si dhe angazhimin e vazhdueshëm në rrugën drejt BE-së. Të gjithë kapitujt e negociatave janë hapur dhe katër prej tyre janë mbyllur provizorisht”.
Megjithatë, nënvizoi ajo vijimi i këtij procesi kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe rezultate konkrete.
Sa i përket drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, Moreira de Sousa tha se raporti evidenton përparim të mirë, duke veçuar punën e SPAK-ut.
“Sa i përket drejtësisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, raporti evidenton përparim të mirë; SPAK-u ka vijuar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Këto përpjekje duhet të vijojnë, pasi korrupsioni mbetet një sfidë reale. Pikërisht për këtë arsye është kaq e rëndësishme që të punohet më tej edhe për parandalimin e korrupsionit”, tha ajo.
Ajo theksoi se “çdo reformë apo nismë e ardhme ligjore duhet të mbështetet në reformën e drejtësisë të vitit 2016 me qëllim ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të funksionimit efektiv të sistemit të drejtësisë, përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në nivele të larta”.
Në raportin e BE-së evidentohen shqetësime edhe për situatën demokratike në vend. Sipas ambasadores, Shqipëria vijon të ketë një klimë të polarizuar politike, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike kuptimplota.
“Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë thellësisht të polarizuar mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike kuptimplota. Reforma zgjedhore është urgjente me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe kjo kërkon një proces gjithëpërfshirës që të shkojë përtej dy partive kryesore, të cilat kanë përfaqësim të barabartë në Komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore”, tha ajo.
Për të drejtat themelore, Moreira de Sousa vlerësoi miratimin e ligjeve të reja për barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave, duke theksuar se sfida tashmë është zbatimi i tyre në praktikë.
“Në lidhje me të drejtat themelore, ligjet e reja për barazinë gjinore dhe për dhunën ndaj grave përbëjnë hapa realisht pozitivë, dhe tashmë shtohet kuadri ligjor për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe të të gjithë të drejtave themelore që të zbatohet në praktikë”, tha Moreira de Sousa.
Për sa i përket lirisë së medias, ambasadorja tha se “shpifja është dekriminalizuar pjesërisht”.
Sipas saj ky është një hap në drejtimin e duhur, por nuk mjafton në vetvete.
“Financimi i medias mbetet jo transparent, ende pritet një reformë gjithëpërfshirëse e medias që të trajtojë të gjitha mangësitë e identifikuara. Raportimet për përdorim jo proporcional të forcës nga policia ndaj gazetarëve duhet të trajtohet si çështje prioritare”, theksoi ajo.
Një tjetër pikë ku u ndal ambasadorja ishte ajo e mjedisit. Ajo tha se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjet e përsëritura të ligjit për investimet strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Moreira de Sousa bëri të ditur se edhe projekti i planifikuara në Zvërnec, do të vlerësohen në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
“Sa i përket mjedisit, përparimi ka qenë i kufizuar. Raporti konstaton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjet e përsëritura të ligjit për investime strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Dispozitat që bien ndesh me njëra-tjetrën duhet të fuqizohen, ndërsa projektet madhore, përfshirë ato të planifikuara në Zvërnec, do të vlerësohen përkundrejt standardeve të BE-së. Dhe sot paradite bëmë në fakt një diskutim të hollësishëm në lidhje me këtë çështje me kolegët e Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare, të cilat do të vazhdojnë ta diskutojnë këtë çështje edhe në ditët në vijim”, tha ajo.
Duke komentuar protestat që nisën në fund të muajit maj për shqetësimet mjedisore dhe më pas u zgjeruan në një lëvizje me kërkesa për transparencë, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit, ambasadorja u shpreh se protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike. Ajo theksoi se dhuna nuk ka vend në demokraci dhe se çdo reagim ndaj akteve të dhunshme duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Sipas saj, pakënaqësitë duhet të adresohen përmes dialogut gjithëpërfshirës.
“Dhe ishin pikërisht shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore, të cilat nisën në fund të muajit maj. Protesta më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Por e përsëris dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes një dialogu të gjithëpërfshirëse, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike është që të krijojnë hapësirën e nevojshme për zhvillimin e këtij dialogu”, tha ajo.
Në lidhje me objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, ambasadorja sqaroi se udhërrëfyesi i marrë së fundmi nuk vendos kushte të reja. Moreira de Sousa theksoi se arritja e këtij objektivi do të varet nga reformat dhe rezultatet konkrete.
“Dje Shqipëria mori edhe udhërrëfyesin orientues, standardizimet. Ai nuk vendos kushte të reja, as nuk ofron rrugë të shkurtra. Udhërrëfyesi pasqyron vetë synimin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Ky synim varet nga reformat dhe rezultatet konkrete. Shpejtësia nuk mund të ofrohet në dëm të cilësisë dhe gjithëpërfshirjes, pra reformat kërkojnë konsultim të gjithëpërfshirëse dhe debate të hapur në kuvend, që është përgjegjësi e të gjitha forcave politike në Shqipëri.
“Synimet për t’u anëtarësuar në BE është një zgjedhje të cilën e kanë bërë qytetarët shqiptarë dhe si e tillë i përket të gjithëve, si qeverisë dhe opozitës, ashtu edhe shoqërisë civile dhe komuniteteve vendore. Prandaj janë kyçe konsultimet e vërteta dhe kuptimplota. Në fund të fundit këto reforma nuk synojnë të kënaqen në Bruksel, por të ndërtojnë një shoqëri të fortë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike, të gatshme për t’u bërë pjesë e bashkimit më të madh të demokracive në botë”, tha ajo.
Në mbyllje ajo theksoi sërish se “Shqipëria ka ecur përpara, por ende nuk kemi mbërritur në fund të këtij rrugëtimi. Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë çdo hap të Shqipërisë në këtë rrugëtim”.
Marrë nga ATSH


















