
Shtetësia për interes të posaçëm shtetëror, përcaktohen kriteret dhe procedurat e verifikimit
Këshilli i Ministrave përcaktoi sot procedurat, kriteret dhe kontrollet për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror, si dhe organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.

Këshilli i Ministrave përcaktoi sot procedurat, kriteret dhe kontrollet për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror, si dhe organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.
Sipas vendimit, shtetasit e huaj mund të aplikojnë kur cilësitë, aftësitë apo veprimtaria e tyre private ose publike i përgjigjen një nevoje konkrete, sjellin dobi, risi apo krijojnë përparësi për shtetin shqiptar.
Vendimi parashikon se interesi shtetëror duhet të jetë konkret, i përcaktueshëm qartë, i verifikueshëm dhe i lidhur me politika specifike të dokumentuara dhe të miratuara. Vlerësimi i tij bëhet nga ministria që mbulon fushën përkatëse.
Aplikimi për njohjen e këtij interesi paraqitet pranë ministrisë përgjegjëse nga vetë kërkuesi ose nga institucione dhe organizata kulturore, arsimore, sportive, shkencore apo ekonomike që bashkëpunojnë me të, pasi kanë siguruar pëlqimin e tij me shkrim.
Pas lëshimit të deklaratës së ministrit për njohjen e interesit shtetëror, kërkesa për shtetësi duhet të paraqitet brenda pesë ditëve kalendarike pranë Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.
Agjencia verifikon dokumentacionin, të dhënat penale dhe nëse aplikuesi është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare të pranuara nga Shqipëria.
Për kontrollin e sigurisë kombëtare, rendit publik dhe pastërtisë së figurës angazhohen Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Policia e Shtetit, të cilat duhet të përgjigjen brenda 20 ditëve kalendarike.
Po ashtu, brenda 30 ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, Agjencia i paraqet ministrit përgjegjës për punët e brendshme relacionin me rekomandimin për propozimin e dhënies së shtetësisë ose mbylljen e praktikës.
Propozimi i përcillet Presidentit të Republikës i cili dekreton dhënien e shtetësisë ose e kthen dosjen pa veprim për mbyllje dhe arkivim.
Vendimi parashikon se aplikimi nuk krijon të drejtë individuale për marrjen e shtetësisë. Deklarimi i të dhënave të rreme sjell përgjegjësi penale dhe përbën shkak për ndërprerjen e procedurës ose heqjen e shtetësisë së dhënë.
Agjencia Shtetërore e Posaçme e Shtetësisë funksionon si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për Punët e Brendshme, me seli në Tiranë. Ndërsa drejtori i përgjithshëm emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.
Burimi ATSH


















